2014-08-18 14:11:11

Atë Lombardi: Françesku dhe kultura e takimit


Papa Françesku e përfundoi shtegtimin e tij apostolik në Kore, duke lënë pas një mesazh të ri paqeje e pajtimi. Edhe dje, gjatë takimit me ipeshkvijtë e Azisë, ripohoi nevojën e dialogut dhe të kulturës së takimit, duke nënvizuar një fjalë: empati, aftësi për t’i kuptuar menjëherë mendimet e gjendjen shpirtërore të tjetrit. Të dëgjojmë komentin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, në mikrofonin e Radio Vatikanit:RealAudioMP3

Përgjigje: - Papa, siç e dimë, e kërkon takimin: flet gjithnjë për kulturën e takimit. Njerëzit takohen, kur kjo dëshirë buron nga zemra e nga mendja, kur njeriu është i gatshëm të shkojë drejt tjetrit, ta kuptojë e ta mirëpresë, duke menduar se takimi të pasuron, se nga takimi kthehesh më i mirë e më i pasur me vlera shpirtërore e fetare, sesa ishe para tij. Atëhere Papa u thotë ipeshkvijve të këtij Kontinenti, në të cilin dialogu ndërmjet kulturave të ndryshme, feve të ndryshme e popujve të ndryshëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm, se duhet dialoguar, për ta përballuar këtë situatë, por më shumë se për ta përballuar, për ta jetuar, sepse është situata, në të cilën jetojnë normalisht të krishterët në Azi. E kjo empati, do të thotë aftësi e edhe sintoni për të hyrë në të njëjtën valë, për të kuptuar instinktivisht, sepse e gjithë vetvetja vihet në lëvizje për ta mirëpritur tjetrin. Mund të themi se nuk është pastërtisht veprim intelektual, e aq më pak, formal, por diçka, përmes së cilës vihesh në lojë. Prej këndej themi se në “fjalorin papnor” këtë fjalë e rigjejmë shpesh të konkretizuar në kulturën e takimit.

Pyetje: - Lidhur me fjalorin, homelia e Meshës në Ditën e rinisë aziatike vërtitej rreth një boshti, rreth motos: “Rini e Azisë, zgjohu!”
Përgjigje: - Ishte një homeli, e cila analizoi e u mbështet mbi fjalët e mëdha, që i mblodhën të rinjtë rreth Papës. Natyrisht Françesku kërkon t’i mbushë këta të rinj me entuziazmin, për të cilin kanë nevojë, që të mund t’i jetojnë situatat jo gjithnjë të lehta, madje edhe të vështira, ku ndodhen, shpesh situata të pakicave në shoqëritë e ndryshme. Situata, që krijojnë probleme të rënda me karakter shoqëror e edhe ekonomik. Prej këndej mund të pohojmë se janë të rinj, që duhen inkurajuar, jo me mëshirë të madhe, por me dinjitet të madh. E këtë dinjitet ata duhet ta zbulojnë e ta praktikojnë mbi themelet e fesë së jetuar. Shumë gjë e bukur t’i vësh të rinjtë ballë për ballë me dëshminë e martirëve, që janë heronjtë e vërtetë të jetës së krishterë, pse ditën ta vënë në lojë gjithë vetveten, edhe në situatat e persekutimit më mizor kundër fesë e kundër jetës së tyre, për të pohuar bukurinë e fesë, për të pohuar impenjimin për barazinë shoqërore, për dashurinë e krishterë në shoqërinë, e cila nuk i kushtonte të njëjtën vëmendje të gjithëve, duke i përbuzur posaçërisht më të ligshtit ose njerëzit e konsideruar si të ulët. Papa kërkon t’u tregojë këtyre të rinjve udhën e guximit, të entuziazmit, të gëzimit, gjithnjë të bazuar mbi një fe të sigurt, që vjen nga takimi me Krishtin, nga njohja e Jezu Krishtit e nga familjariteti me Të.

Pyetje: - Nga Koreja fara e kumtimit të ri u hodh: Indonezia 2017…

Përgjigje: - Këto ditë të rinisë aziatike përshkojnë vendet e ndryshme të kontinentit. Pamë, në një nga takimet e të rinjve me Papën, një shfaqje tejet të bukur kulturore, organizuar nga të rinjtë indonezianë, që ishin të pranishëm e që nxorën në pah pasurinë dhe veçoritë e kulturës së këtij arkipelagu vigan: ishin valle të pesë kulturave të ndryshme. E kjo do të thotë se problemet, që kanë të bëjnë me mikpritjen, me dëshirën për t’u mirëkuptuar, vlejnë edhe për secilin nga këto vende të mëdha. Fakti që udha kalon nga situata koreane, në një situatë shumë të ndryshme, si ajo indoneziane, flet për shtegtimin e madh, që duhet të bëjë vetë Kisha, flet për larminë e situatave të saj, për mrekullinë e kulturave e të situatave të cilat takohen e duhen ballafaquar, pastaj, me Ungjillin, që të ndihmohen për të dhënë gjithë ç’ kanë më të mirë nga vetvetja.









All the contents on this site are copyrighted ©.