2014-08-17 11:55:46

Françesku ipeshkvijve të Azisë: dialog me të gjithë


Dialogu, identiteti i krishterë, empatia me të gjithë, me shpirtin e vërtetë kundrues, të hapjes së zemrës e të mikrpritjes së tjetrit. Në fjalimin drejtuar ipeshvkijve të Azisë, Papa Françesku e shtriu shikimin mbi misionin e Kishës në të gjithë Kontinentin aziatik. E tërhoqi vëmendjen mbi tre tundime, në udhën e dialogut me njerëz e kultura: relativizmi, karakteri sipërfaqësor dhe mbyllja e fesë në përgjigje të gatshme.RealAudioMP3
Takimi i Papës Françesku me ipeshkvijtë e ardhur nga mbarë Azia, u mbajt në Shenjtëroren e Haemit, mëngjesin e së dielës, 17 gusht, dita e parafundit e shtegtimit apostolik të Papës në Korenë e Jugut. Shenjtërorja e Haemit i kushtohet “martirit të panjohur”, sepse emrat e shumicës së martirëve, që u flijuan për Krishtin në këtë vend, në gjysmën e tetëqindës, janë të panjohur.
Françesku uroi që me frymën e hapjes ndaj të tjerëve, Vendet e Azisë, me të cilat Selia e Shenjtë nuk ka akoma marrëdhënie të plota, të mos ngurrojnë të ecin në rrugën e dialogut, në dobi të të gjithëve.
Papa u përqendrua tek roli i Kishës në këtë kontinent të pafund, ku banon një larmi e vërtetë kulturash e ku Kisha është e thirrur të japë dëshminë e Ungjillit, përmes dialogut e hapjes së portave për të gjithë. Pikënisja e pikëmbështetja kryesore është identiteti ynë, theksoi, identitet i të krishterit:
Nuk mund të impenjohemi në një dialog të vërtetë, pa qenë të vetëdijshëm për identitetin tonë, pa e njohur veten, pa e ditur kush jemi e ç’përfaqësojmë. Nëse duam të komunikojmë në mënyrë të lirë, të hapur e të frytshme me të tjerët, duhet ta kemi të qartë kush jemi, ç’ka bërë Zoti për ne e ç’kërkon nga ne. E nëse duam që komunikimi ynë të mos jetë monolog, nëse dëshirojmë të flasim me të tjerët, e jo me veten, duhet hapur mendja e zemra për të pranuar individë e kultura”.
Dëshmi e dialog, duke u nisur nga identiteti, kërkon Papa, duke kujtuar tri vështirësi, që duhen parashikuar e edhe duhen shmangur me maturi:
“E para është relativizmi, që na shtyn drejt rërës së lëvizshme të pështjellimit e të dëshpërimit. Është tundim që, në botën e sotme, i godet edhe bashkësitë e krishtera, duke i shtyrë njerëzit të harrojnë se përtej çdo gjëje, që ndryshon, janë realitetet e pandryshueshme; ata e kanë themelin e fundit në Krishtin, gjithnjë i njëjtë: dje, sot e në shekuj të shekujve” (Gaudium et spes, 10; cfr Heb 13,8). Nuk është fjala për relativizmin e kuptuar vetëm si sistem mendimi, por për relativizmin praktik, të përditshëm që, në mënyrë krejt të paperceptueshme, e ligështon çdo identitet”.
Mënyra e dytë me të cilën bota kërcënon identitetin, forcën e identitetit tonë të krishterë, është karakteri sipërfaqësor, cektësia: sendet e modës, të ikjes nga realiteti. Problem serioz baritor:
Për njerëzit, që i shërbejnë Kishës, kjo cektësi mund të manifestohet në joshjen nga programet baritore e nga teoritë, në dëm të takimit të drejtpërdrejtë e të frytshëm me besimtarët, posaçërisht me të rinjtë, që kanë nevojë për katekizëm të vazhdueshëm e për udhëheqje shpirtërore. Pa rrënjosjen në Krishtin, të vërtetat për të cilat jetojmë, brehen, praktikimi i virtyteve bëhet sa për formë e dialogu rëgjohet në bisedë, në marrëveshje a mosmarrëveshje”.
Tundimi i tretë, pastaj:
“Tundimi i tretë është siguria, në dukje, prirja për t’u fshehur pas përgjigjeve të lehta, frazave të gatshme, ligjeve, rregullave. Feja, për vetë natyrën e saj, nuk përqendrohet në vetvete, feja priret të dalë jashtë. Kërkon të kuptohet, të lindë dëshmi, të krijojë mision. Identiteti ynë si të krishterë, në fund të fundit, është impenjim për të adhuruar vetëm Hyjin e për të dashur njëri-tjetrin, për t’i shërbyer njëri-tjetrit, për t’i treguar të gjithëve jo vetëm në çka besojmë, por edhe çka shpresojmë e kush është Ai, në të cilin e kemi varur gjithë shpresën tonë (cfr 2 Tm 1,12).
Në vijim, theksimi:
“Është feja në Krishtin ajo, që përbën identitetin tonë më të thellë e më të frytshëm. Lind e ushqehet nga hiri i dialogut tonë me Zotin e nga nxitjet e Shpirtit të Tij, duke sjellë frytin e drejtësisë, të mirësisë, të paqes”.
Papa u kujtoi ipeshkvijve se identiteti i krishterë i Kishave të veçanta duket qartë në programet e tyre të katekizmit, në veprimtaritë baritore rinore, në shërbimin ndaj të varfërve, atyre që flaken në skutat e shoqërive tona të pasura e në përpjekjet për të ushqyer thirrjet për rrugën e meshtarisë e të jetës rregulltare.
Së fundi, njëherësh me njohjen e identitetit të krishterë, dialogu i vërtetë kërkon edhe aftësi empatie, aftësi për t’i kuptuar menjëherë mendimet e gjendjen shpirtërore të tjetrit:
“Nuk duhet të kufizohemi duke dëgjuar vetëm fjalët, që na thonë të tjerët, por të kapim çka nuk na thonë, shpresat e dëshirat, vështirësitë e gjithçka tjetër, që kanë më shumë për zemër. Një empati e tillë duhet të jetë fryt i aftësisë për të depërtuar në shpirtin e tjetrit dhe i përvojës personale, që na nxit t’i shikojmë të tjerët si vëllezër e motra, të dëgjojmë, përmes e përtej fjalëve e veprimeve të tyre, fjalën e pathënë të zemrës. Me këtë frymë hapjeje ndaj të tjerëve, Vendet kontinentit aziatik, me të cilat Selia e Shenjtë nuk ka ende marrëdhënie të plota, nuk do të ngurrojnë të hapin dialogun, në dobi të të gjithëve”.

Dita e sotme e Papës në Kore, pra, nisi me takimin shumë të rëndësishëm, që lidhet me perspektivat e Kishës në mbarë Azinë. Në orën 11.00, pranë Shenjtërores së Haemit, vend që të kujton të krishterët e vrarë gjatë persekutimeve të përgjakshme të shekullit XIX, filloi takimi me ipeshkvijtë e ardhur nga mbarë Azia. Papën e përshëndeti kardinali Osvald Gracias, kryeipeshkëv i Bombay dhe Kryetar i Konferencës së ipeshkvijve të Azisë. Nuk ishte përshëndetje formale, por analizë e thelluar, që preku të gjitha problemet themelore të Kishës në këtë Kontinent.
Kardinali Gracias kujtoi, në fillim, takimin aziatik të Papës Pali VI në Filipine, në vitin 1970 dhe vendimin që morën asokohe ipeshkvijtë aziatikë për të formuar një Konferencë ipeshkvnore kontinentale(FABC), si strukturë për ballafaqim të vazhdueshëm; por edhe të ngjashme me strukturat mbikombëtare e kontinentale, si CELAM, SECAM, ECCE. Kryetari i FABC përshkroi përmbledhtas zhvillimet e Konferencës, të Komisioneve të saj dhe veprimtaritë e tyre në rrjedhë vitesh. FABC i ndihmon vazhdimisht Kishat në Azi me anën e zyrave të saj, me programe formimi e gjallërimi baritor për ipeshkvijtë, specialistët dhe të gjithë ata, që punojnë në këtë sektor. Pa e kufizuar pavarësinë e Konferencave të veçanta ipeshkvnore, FABC e ushtron me delikatesë ndikimin e saj mbi Kishën në Azi. E pikërisht ky ishte vizioni i etërve themelues.
Gjatë përshëndetjes, kardinali Gracias reflektoi edhe për misionaritetin e Kishës universale në kontekstin aziatik, duke kujtuar se në Azi jeton 60% e popullsisë botërore. Kontinent, ku shumica e popullsisë është e re, e si pasojë, në shumë këndvështrime, Azia është me të vërtetë themelore për ardhmërinë e botës e edhe për ardhmërinë e Kishës.
Kishat e Azisë përcaktojnë tre drejtime kryesore veprimtarie, sepse tri janë edhe sfidat për t’u përballuar: dialog me kulturat, dialog me të varfrit, dialog me fetë. Po ç’na kujton Ungjilli lidhur me këto tri realitete të mëdha, të cilat ndodhen, të trija, përballë tre kërcënimeve serioze: kulturat duket sikur po e humbasin gjallërinë e tyre shpirtërore; të varfrit janë para rrezikut të mospërfshirjes në proceset e rritjes, madje të shpërfilljes së plotë graduale; ndërsa disa grupe fetare priren ta shikojnë fundamentalizmin si të vetmin mjet për të mbijetuar.
Në këtë kontekst, episkopati aziatik shikon tri sfida kryesore për Kishën në Azi:
shekullarizmi dhe materializmi po mbizotërojnë gjithnjë më shumë në shoqërinë aziatike. Popullsia aziatike është fetare për natyrë. Por tani disa po e zhvendosin Hyjin nga qendra e jetës, në skajet e saj.
Familja, dikur tejet e rëndësishme për mbarë shoqërinë aziatike, e rrënjosur thellë në të, tani po ronitet pak nga pak. Vërehen sulme kundër jetës bashkëshortorte. Divorci, dikur i parë si tabu, tani nuk është aspak i rrallë.
Lëvizjet kundër jetës shtohen, kërcënojnë vetë jetën, në mënyra nga më të ndryshmet: me konflikte etnike, çrregullime ndërmjet bashkësive, zhdukje me forcë të bindjeve fetare të ndryshme, kërcënim tragjik të jetës së njerëzve të pambrojtur, si të palindurit. E deri eutanazia ka nisur të ketë mbrojtësit e saj. Shpirti aziatik e kërkon dhe e gjen gëzimin në bashkësi. Po tani edhe ky aspekt sulmohet nga ndjenja e fortë e individualizmit, nga mungesa e vëmendjes për tjetrin, nga indiferenca për nevojat e tij, nga humbja e frymës së mikpritjes, tradicionale deri dje, në të gjithë shoqërinë aziatike.
Po humbasim frymën e harmonisë ndërfetare, theksoi kardinali Gracias, e, kohët e fundit, jemi dëshmitarë të sulmeve të dhunshme kundër fesë. Në disa vende, persekutimi i të krishterëve është në rritje. Kundërvënia ndaj tyre rrjedh nga feja sunduese e, nganjëherë, edhe nga ideologjitë, që duan të imponojnë autoritetin politik mbi grupet fetare.
Së fundi kardinali Gracias kujtoi disa aspekte të veçanta të kontekstit aziatik.
Për aziatikët, pohoi, feja është më shumë ndjekje e një vetjeje, sesa e një doktrine ose bindje ndaj disa rregullave. Prej këndej, Vetja e Jezusit i tërheq të gjithë: i tërheq mesazhi i Tij e jeta e Tij, mundimet, vdekja e ngjallja. Shenjtëroret mariane tërheqin njerëz të të gjitha besimeve, që e nderojnë fort Zojën e Bekuar. Mendësia aziatike kënaqet më shumë në lutje kundruese, sesa në meditim të thjeshtë. Pasuri, këto, që mund t’i krijojmë me të tjerët, e edhe t’i ndajmë me të tjerët.
Azia e re njeh një shpërthim të pashembullt të komunikimeve. Kjo është dhuratë e madhe e Zotit për përhapjen e Lajmit të Mirë. Detyra jonë është t’i edukojmë të gjithë, e posaçërisht të rinjtë, t’i përdorin mediat e reja e të përfitojnë pozitivisht prej tyre.
Kontinenti vigan aziatik shtrihet para nesh. Jemi pakicë në Azi, pothuajse në të gjitha vendet tona. Koreja është tokë, në të cilën shekullarët luajtën një rol krejt të veçantë në ungjillëzim e, prej këndej, bëhet model për shumë prej nesh. Urojmë të jemi prekur nga pasioni ngjitës i Kishës koreane, kur të kthehemi në Kishat tona.








All the contents on this site are copyrighted ©.