2014-08-16 11:47:57

Kisha ka nevojë për dëshminë e besueshme të laikëve: kështu Papa Françesku në Kkottongnae


Pas takimit me rregulltarët, Papa transferohet në mesin e turmës në festë, në Qendrën e Përshpirtërisë, ku u takua me krerët e Apostullatit Laik. Interesant fakti se Kisha Katolike në Korenë e Jugut ia ka kushtuar një kodër të tërë bamirësisë. 14 institucione, qendra e përshpirtërisë e shkolla e formimit u shërbejnë përnjimend më të varfërve e më të sëmurëve ndër njerëzit me të meta fizike. Gjithashtu, formojnë laikët e krishterë. Presidenti i Këshillit të Shoqatave të Apostullit të Laikëve katolikë të Koresë së Jugut vuri në dukje zanafillën e Kishës koreane, lindur nga impenjimi i laikëve, pa praninë e misionarëve të huaj. Të krishterët e parë, megjithëse u persekutuan për shkak të fesë, ecnin në këmbë për mijëra kilometra për të përhapur Ungjillin e Krishtit, shkonin deri në Pekin e i çonin letra Selisë së Shenjtë në Romë. Duke cituar vetë Papën Françesku, i cili e nxit Kishën të shkojë drejt periferive të botës, presidenti i Laikëve nënvizoi:
“Mendojmë se për ne, një nga periferitë drejt të cilave duhet të shkojmë, përbëhet nga vëllezërit, që jetojnë në Korenë e Veriut, përtej kufirit, ku pësojnë persekutime dhe presin një dorë prej nesh. Por edhe popujt e Azisë, që jetojnë pa e njohur Zotin, janë periferi për ne”.
E Papa, që sapo kishte kremtuar meshën e lumnimit të Paul Yun Ji-chung e të 123 martirëve të tjerë, nuk harroi të përmendë dëshminë e fesë së koreanëve, edhe përmes vuajtjes e vdekjes, por sidomos përmes solidaritetit shembullor të bashkësive të para të krishtera.
“Sot, ashtu si gjithmonë – theksoi Ati i Shenjtë – Kisha ka nevojë për dëshminë e besueshme të laikëve për të vërtetën shëlbuese të Ungjillit, për fekonditetin e saj në ndërtimin e një familjeje njerëzore në bashkim, drejtësi e paqe”.
Papa Françesku nënvizoi se misioni i Kishës së Hyjit është një i vetëm e laikët janë ndihma e saj e çmuar për ta çuar deri në fund këtë mision. Ati i Shenjtë falenderoi veçanërisht shoqatat, që ndihmojnë të varfërit e nevojtarët, pa pasur parasysh kulturën apo statusin e tyre shoqëror, sepse në Krishtin “nuk ka grek apo jude” (Gal 3,28). E megjithatë, edhe kjo vepër e mirë nuk është e mjaftueshme. Ati i Shenjtë kërkoi të shumëfishohen përpjekjet për të promovuar njeriun, që të gjithë ta ndjejnë gëzimin që vjen nga dinjiteti i fitimit të bukës së përditshme me punën vetjake, duke mbajtur kështu familjen.
“Ja pra, ky dinjitet – shtoi Ati i Shenjtë pa letër – në këtë çast, kërcënohet për shkak të kulturës së parasë, që i lë pa punë njerëzit. Nuk mund vetëm t’i lutemi Atit t’u japë punë njerëzve, nuk mjafton. Gjithkush duhet ta ndjejë dinjitetin e çuarjes së bukës në shtëpi”.
Papa çmoi kontributin e grave katolike koreane në jetën e në misionin e Kishës, si nëna familjesh, si katekiste e mësuese, por edhe në njëmijë mënyra të tjera. Nënvizoi rëndësinë e dëshmisë së familjeve.
“Në një epokë krize për jetën familjare – këshilloi Ati i Shenjtë – bashkësitë tona të krishtera janë të thirrura të përkrahin çiftet e martuara dhe familjet në përmbushjen e misionit të tyre në jetën e Kishës e në shoqëri. Familja mbetet njësia bazë e shoqërisë dhe shkolla e parë ku fëmijët njihen me vlerat njerëzore, shpirtërore e morale, të cilat i aftësojnë për t’u bërë fenerë të mirësisë, të integritetit dhe të drejtësisë në bashkësi”.
Papa Françesku kërkoi që formimi i laikëve të jetë më i plotë, përmes katekizmit të vazhdueshëm e udhëheqjes së tyre shpirtërore. Të gjithë, sipas Atit të Shenjtë, duhet të veprojnë në harmoni me barinjtë e Kishës, duke u vënë në shërbim të saj, me frymën e bashkimit e të misionit.
“Kontributi i laikëve – përfundoi Papa – është thelbësor, sepse e ardhmja e Kishës në Kore, ashtu si në gjithë Azinë, do të varet shumë nga zhvillimi i një botëkuptimi kishtar, themeluar në përshpirtërinë e bashkimit, të pjesëmarrjes dhe të ndarjes së dhuratave të Zotit me të tjerët” (shih Ecclesia in Asia, 45).
Takimi përfundoi më Falemi Marinë e me kërkesën e zakonshme të Papës Françesku për t’u lutur për të.







All the contents on this site are copyrighted ©.