2014-08-15 14:41:55

Papa, të rinjve: Koreja është një e vetme, bashkimi i vendit është i mundur


Papa, që nuk deshi të flasë anglisht e mënjanoi letrat për t’u folur të rinjve koreanë italisht, sepse “kështu mund t’ju flas me zemër”, u tha; Papa, që u ndal një çast për t’u lutur së bashku me 6 mijë të pranishmit, me duar të bashkuara në heshtje, për unifikimin e dy Koreve; Papa, të cilit një i ri, duke e lënë gjuhën koreane, iu drejtua në italisht, që Ati i Shenjtë ta kuptonte, e i tha thjesht: “Shenjtëri, unë quhem Gjon”; Papa, që u flet të rinjve me shembëlltyrat dymijëvjeçare të Ungjillit, por i interpreton me aq shpirt, sa të duken krejtësisht të reja; Papa, që edhe një herë, u kërkon të rinjve të mos dëshpërohen e të shpresojnë; Papa, të cilit ipeshkvi i Daejonit i tha me bindje “Atë i Shenjtë, ecni përpara për ungjillëzimin e botës e të Kishës, duke u mbështetur tek ne. Jemi me Ju, Shenjtëri”: ky ishte Papa Françesku, që sot në një tendë të madhe në shenjtëroren e Solmoes, u takua me 6 mijë të rinjtë e Ditës Aziatike të Rinisë, pasi krishte drekuar me përfaqësues rinorë nga vende të ndryshme të kontinentit.RealAudioMP3
Të rinjtë katolikë kanë ardhur nga 23 vende aziatike në një Ditë, tema e së cilës evokon shën Gjon Palin II e thirrjen e tij “Çojuni, të shkojmë”, e cila tingëlloi fuqishëm në mbyllje të Jubileut të Madh të vitit 2000. “Rini e Azisë, çoju! Lavdia e martirëve ndriçoftë mbi ty”. Pikërisht Papa Vojtila pati shpallur shenjt në Seul, në vitin 1989, Andrea Kim Dae-Geon, koreanin e parë shuguruar meshtar, martirizuar së bashku me shokët e tij. Sapo mbërriti në Solmoe, Papa Françesku u ndal në lutje para shtëpisë së vogël ku lindi e banoi martiri.
Takimi me të rinjtë e Azisë u hap e u mbyll me këngë. Spikati një inskenim artistik i delegacionit indonezian shumëngjyrësh, me përfaqësues nga 5 kulturat e arqipelagut. Papa Françesku ndoqi me vëmendje edhe një shfaqje muzikore koreane, me bazë shembëlltyrën e djalit plangprishës (Lk 15,11-32). Pas përshëndetjes së ipeshkvit të Daejonit, imzot Lazër You Heung-sik, i cili vuri në dukje jo vetëm martirizimin e Kishës në Kore, por edhe sfidat e sotme si mënjanimi i etikës, këndvështrimi ateist mbi botën, shkatërrimi i jetës dhe i ambientit, tre të rinj nga Kamboxha, Hong Kongu dhe Koreja, dhanë dëshminë e tyre të krishterë e i bënë pyetje Atit të Shenjtë. Të cilave, Papa iu përgjigj pa letër. Të dëgjojmë të dërguarin e Radio Vatikanit në Seul, Patrick Sean Lovett:

“Në një çast, gjatë takimit të Papës me rininë e Azisë, në shenjtëroren e Solmoes, u pa qartë se Atit të Shenjtë i kishte ardhur në majë të hundës leximi i tekstit të përgatitur në anglisht. Por, më parë, i pyeti të rinjtë nëse ishin të lodhur e nëse do ta lejonin t’u fliste (natyrisht, pa letër) në italisht:
‘Një miku im – tregoi Papa, duke improvizuar në anglisht – më tha se nuk mund t’u flas të rinjve me letër përpara. Duhet t’u flasësh nga zemra’.
Duartrokitjet e stuhishme, që pasuan, i mjaftuan Papës si inkurajim për të filluar një bisedë, në stilin e tij familjar të dialogut. Menjëherë, qëndrimi i tij ndryshoi e bashkë me të, edhe e gjithë atmosfera përreth. Të rinjtë filluan ta dëgjojnë me vëmendje më të madhe e Ati i Shenjtë u foli përnjimend ‘nga zemra’. Iu përgjigj me ndershmëri e sinqeritet pyetjeve të tyre dhe i ftoi të gjithë të luten në heshtje për bashkimin e të dyja Koreve. Asnjë pipëtimë gjatë lutjes:
‘Mos vallë ka dy Kore? Jo, është një, por e ndarë… familja është e ndarë. E kjo të dhemb. …Koreja është një, është një familje e vetme. Ju jeni vëllezër, që flisni të njëjtën gjuhë’.
Pjesë e shfaqjes artistike përgatitur nga të rinjtë për Atin e Shenjtë ishte edhe dramatizimi në muzikë i shembëlltyrës së Djalit Plangprishës. Papa Françesku e kapi këtë temë për të shpjeguar mesazhin e Zotit, i cili ‘pret gjithnjë kthimin tonë… e na uron mirëseardhjen kur hyjmë në shtëpinë e Tij’:
‘Askush prej nesh nuk e di ç’e pret në jetë: mund të bëjmë gjëra të shëmtuara, tepër të këqia, por Ati Qiellor na pret, pret të kthehemi në shtëpi e megjithëse unë jam mëkatar, prapë më fal… Ju meshtarët, ju lutem, përqafojini mëkatarët e kini mëshirë për ta’.
E papritura tjetër e pasdites (me orën e Koresë): Papa Françesku i premtoi një vajze të re nga Kamboxhia se sapo të kthehet në Romë, ‘do të flasë me Anxhelon’ (është fjala për kardinalin Anxhelo Amato, prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve) e do t’i thotë të bëjë diçka për lumnimin e martirëve kamboxhianë, të cilët janë shenjtorë, pavarësisht se Kisha nuk i njeh akoma. “Papa Françesku ejani në Kamboxhia për të nderuar viktimat e Pol Potit” i kërkoi vajza, duke u kujtuar të gjithëve diktatorin e tmerrshëm të vendit, në periudhën 1976-1979, përgjegjës i drejtpërdrejtë për torturimin e masakrimin e rreth një milion gjysëm njerëzish, të cilëve u shtohen edhe të vdekurit nga puna e detyruar, ushqimi i keq e mungesa e asistencës shëndetësore. Qindra mijëra vetë… një genocid i vërtetë me bazë idelogjinë marksiste, gjatë të cilit humbi jetën një e treta e popullsisë kamboxhiane. E s’paska shenjtorë pra, Kamboxhia? E Papa, vajzës:
‘Unë të premtoj se kur të kthehem në shtëpi, do të merrem me këtë, do të flas me të ngarkuarin për këto gjëra. Është njeri i mirë dhe e quajnë Engjëll… do t’i them atij të punojë për këtë çështje’.
Energjia e Papës dhe e të rinjve mund të thuash se e ndezi tendën. Kaq shumë buzëqeshje, duartrokitje, entuziazëm e njerëz në festë! Papa Françesku dukej i rilindur nga kjo energji, nuk mungoi të bënte edhe “selfie”-n e pashmangshëm në fund të takimit, i bindur se kishte arritur t’ua transmetonte këtë energji të rinjve, të cilëve që në fillim u tha (kësaj radhe në anglisht):
“Dear young friends, in this generation…
‘Të dashur miq, në këtë çast, Zoti beson në ju! Ai ka hyrë në zemrat tuaja ditën e pagëzimit; ju dha Shpirtin Shenjt në ditën e krezmimit; ju përforcon vazhdimisht përmes pranisë së Tij në Eukaristi, që ta dëshmoni para botës. A jeni gati t’i thoni ‘po’? A jeni gati?’
W Papa! W Papa!...
Përgjigja në kor dhe thirrjet ‘Rroftë Papa’ nuk patën nevojë për tjetër interpretim. Të rinjtë e kishin kuptuar thirrjen e Atit të Shenjtë për ta lënë Zotin të vendosë se ç’rrugë duhet të marrin në jetë. Papa Françesku u largua me një makinë koreane, e cila thuhet se do të shitet e shuma e mbledhur do të përdoret për bamirësi, sipas dëshirës së vetë Atit të Shenjtë. Natyrisht!

Nga Seuli, Sean-Patrick Lovett”








All the contents on this site are copyrighted ©.