Mesha e kardinalit Filoni ndërmjet të shpërngulurve. Do t’ua çojë ndihmat e Papës
edhe jazidëve
Kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve dhe i
dërguar personal i Françeskut në Irak, kremtoi sot Meshën në solemnitetin e Të Ngjiturit
të Zojës në Qiell, ndërmjet të krishterëve të shpërngulur në kampin e refugjatëve
të Duhok, në veri të Rrafshit të Ninives, ku strehohen 60 mijë vetë. Ditët e ardhshme
parashikohet edhe një vizitë pranë Lalish, ku xhihadistët shkatërruan tempullin kryesor
të jazidëve, pakicë tjetër fetare e persekutuar kohët e fundit në Irak, të cilëve
kardinali Filoni do t’ u dorëzojë një shumë parash, në emër të Papës. Dje prelati
i lartë u takua, në Erbil, me presidentin e zonës kurde, Masoud Barzani, të cilit
i dorëzoi letrën, që i kishte dhënë me vete Papa, për ta informuar për praninë e të
dërguarit të tij si dhe për t’i shprehur vlerësimin për strehimin e refugjatëve në
zonën kurde, si në Veri, ashtu edhe në Jug të Rrafshit të Ninives. Papa falënderoi
qeverinë kurde për ndihmën, që po u jep refugjatëve. Presidenti Barzani kujtoi
takimin që pati, në Vatikan, rreth 2 muaj më parë, me Papën dhe shprehu kënaqësinë
për mbrojtjen morale dhe lutjet e katolikëve, në situatën e vështirë, që po kalon
Iraku dhe mbarë Kurdistani. Barzani siguroi se me qeverinë e tij, do të bëjë çdo përpjekje
të mundshme për t’i plotësuar nevojat më të ngutshme të të krishterëve dhe të pakicave
të tjera, të dëbuara nga shtëpitë e nga fshatrat e tyre dhe pohoi, me forcë, impenjimin
për ta çliruar vendin nga pushtimi i xhihadistëve të ISIS, duke e pasur mirë parasysh
se Iraku është atdhe i gjithë irakianëve e i gjithë kurdëve. Uroi edhe që të krishterët
të mbeten në këtë vend, sepse janë pjesë e kulturës dhe e traditave më të lashta të
tij. Duke shpresuar në ndihmën nga vendet e tjera, që e duan Irakun, sqaroi se nuk
pret t’i vijnë nga jashtë burra, për të mbojtur atdheun e irakianëve, po armë moderne
e mbrojtje ajrore. Kërkoi, kështu, ndihmë ndërkombëtare të drejtpërdrejtë. Kardinali
Filoni e falënderoi, duke vlerësuar qëndrimin e kreut kurd e duke i kujtuar se Kisha
flet jo vetëm për të krishterët, por edhe për pakicat e tjera. Sipas statistikave,
numri i të krishterëve refugjatë në vende të tjera ka arritur në 100.000, i të shpërngulurve,
në 1. 000. 000. Aktualisht në Ankawa, lagje e krishterë e Erbilit, janë ngritur 23
kampe refugjatësh, ku strehohen më se 20 mijë vetë, ndërsa shumë familje strehohen
në shtëpi private ose atje, ku kanë mundur të gjejnë mbështetje. Presidenti Barzani,
në fund të bisedës me prelatin e lartë katolik, brohoriti nga zemra: “Do të vdesim,
ose do të jetojmë në këtë Atdhe, gjithë bashkë!”. Dje pasdite kardinali Filoni,
i shoqëruar nga patriarku Sako, nga nunci apostolik Giorgio Lingua, kryeipeshkvi vendas,
Bashar Warda e prelatë të tjerë, vizitoi kampin e refugjatëve pranë Kishës siro-katolike,
ku u takua me shumë njerëz, foli me ta, ndoqi me vëmendje dëshmitë e shqetësimet e
tyre, vizitoi të sëmurët dhe të gjymtët e dëgjoi histori rrënqethëse, që flasin për
dëbime e shkatërrime të papërshkrueshme. Këtu u takua edhe me një pakicë fisnore jo
të krishterë, pakicën kaki. Përfaqësuesit e saj e falënderuan për strehimin nga Kisha
katolike, kur ravgonin pa gjetë kund strehë. Më pas vizitoi kampin e famullisë
kaldease të Mar Elia, ku u lut e këndoi bashkë me fëmijët e shumtë, duke u çuar rrokjen
dhe dashurinë e Papës. Së fundi, pranë Kishës së bashkësisë Siro-ortodokse, në praninë
e kryepeshkopit ortodoks të Mosulit, u lut me sirët, i inkurajoi e vizitoi bashkësinë
e refugjatëve, strehuar pikërisht në lokalet e kishës. Mbrëmja përfundoi me një
vizitë tjetër, në kampin e refugjatëve fare pranë shtëpisë së ipeshkvit kaldeas të
Erbilit, që tashmë jeton i rrethuar nga një mijë refugjatë, të cilët flejnë përdhe,
nën qiell të hapur, jo vetëm pse të pastrehë, por edhe për shkak të vapës së padurueshme
të kësaj vere tejet të nxehtë irakiane (rreth 45 gradë). Kardinali Filoni i inkurajoi
të gjithë e u çoi bekimin e Papës, duke i siguruar se edhe barinjtë e kishave lokale
do t’i ndihmojnë për t’i kapërcyer vështirësitë më urgjente.