2014-08-15 10:58:31

Mesha e Françeskut në Daejeon: të krishterët, forcë përtëritëse


150 kilometra me tren, për të arritur në Daejeon, ku, në fushën e World Cup Stadium Papën e prisnin 50 mijë vetë. E Ati i Shenjtë i çuditi edhe një herë të gjithë, duke e shpërfillur protokollin, që parashikonte zhvendosjen me helikopter në këtë qytet, i pesti në vend për nga rëndësia. Dita e dytë e Papës në trojet aziatike, ditë e Solemnitetit të Të Ngjiturit të Zojës në Qiell e festë kombëtare e Çlirimit të Republikës së Koresë, nisi, kështu, me turmën oqeanike, që e priti me brohoritje e me një kor të papritur në gjuhën italiane:RealAudioMP3
“Viva il Papa!”… Rroftë Papa!….
Meshën Shenjte, kremtuar në Daejeon, Françesku ua kushtoi viktimave të fundosjes së tragetit SeWol si dhe takimeve të të rinjve, që marrin pjesë në Ditën e tyre aziatike. Para se të niste kremtimin, priti, në sakresti, një grup familjarësh të viktimave të tragetit të mbytur.
Fjalët e para të homelisë, Papa ia drejtoi Marisë, Nënë e Kishës në Kore. E iu lut t’i ndihmojë koreanët të jenë besnikë ndaj lirisë mbretërore, që e morën ditën e Pagëzimit, t’i drejtojë përpjekjet e tyre për ta shndërruar botën sipas planit të Hyjit e ta bëjë Kishën e këtij vendi të aftë për të qenë tharm i Mbretërisë së Tij në mbarë shoqërinë koreane. Uroi, më pas, që të krishterët e këtij kombi të jenë forcë e fisme e përtëritjes shpirtërore në çdo fushë të shoqërisë…
“Të luftojnë kundër joshjes së materializmit, që ua zë frymën vlerave të vërteta shpirtërore e kulturore e edhe kundër shpirtit të shfrenuar të konkurencës, që lind egoizëm e konflikte. Të mos i pranojnë modelet ekonomike çnjerëzore, që krijojnë forma të reja varfërie e që i shtypin punëtorët si dhe kulturën e vdekjes, që e zhvlerëson fytyrën e Zotit, Zotit të jetës, duke shkelur mbi dinjitetin e çdo burri, të çdo gruaje e të çdo fëmije”.
Pastaj, thirrja e Papës për rikthim tek Fjala e Zotit e për solidaritet ndaj të varfërve, nevojtarëve e të ligshtëve dhe ftesa për t’ia ngulur plot shpresë sytë Marisë, Nënës së shpresës:
“Kjo shpresë, të dashur vëllezër e motra, shpresë, që na e dhuron Ungjilli, është ilaçi më i mirë kundër frymës së dëshpërimit, që duket se i shtrin metastazat si kancer në gji të shoqërisë, në dukje e pasur, por me shpirt të shqetë, të zbrazët. Sa e sa të rinj, nga gjiri ynë, i paguajnë haraç këtij dëshpërimi! Uroj që të rinjve, mes nesh këto ditë me gëzimin e besimin e tyre, të mos u rrëmbehet kurrë shpresa”.
Prekës, fjalimi i mirëseardhjes, që ipeshkvi i Daejeonit, imzot Lazër You heung-sik i drejtoi Atit të Shenjtë. Prelati kujtoi se kanë kaluar 30 vjet, që kur Papa Gjon Pali II vizitoi për herë të parë Korenë. Pesë vjet më pas, shkeli për herë të dytë në këto troje. Tani këtu shkel Françesku, që e gjen Kishën koreane të përtërirë. Asokohe Gjon Pali II gjeti një Kishë që vetëm merrte, tani po shndërrohet në Kishë që e ndan me të tjerët atë që ka e jep, më shumë se merr. Vuan akoma nga ndarjet e tensionet, vijon të mbajë zi për aksidentin e fundosjes së anijes SeWol, por nën velin e zi nis të vërë buzën në gaz, duke parë gjithë këto ndryshime.
Vizita e Papës në këto çaste kaq delikate e të vështira krize, bëhet rast i çmuar për ta dëshmuar Fjalën e Zotit, për t’iu përgjigjur thirrjes: “Ngreju e shndrite botën!”. Posaçërisht, vijoi prelati, përmes ndërmjetësimit të martirëve koreanë, që e pranuan fenë si dhuratën më të madhe, e jetuan me dashuri, pa frikë nga flijimi, e, duke ecur pas Mësuesit Jezus, e dëshmuan me jetë.Së fundi, ipeshkvi i Daejeon kujtoi takimet në dioqezë, kushtuar pikërisht këtij shtegtimi të Papës: lutjet, meshët, takimet e veçanta, në të cilat morën pjesë miliona e miliona besimtarë. Ju premtojmë se do të vijojmë të lutemi vazhdimisht për ju, e siguroi Papën prelati në përfundim të kësaj Meshe të jashtëzakonshme, masive. Do të mbetet në kujtesën e këtyre njerëzve, që dinë ta kthejnë konkretisht martirizimin në forcë, në veprimtari aktive, në Kishë të gjallë, e cila ndjehet fort në të gjitha skajet e skutat e jetës së këtij vendi, që nuk pret t’i vijë lumturia nga jashtë por, me besim në Zotin, e ndërton me duart e veta, mbi rrënojat e luftës.







All the contents on this site are copyrighted ©.