2014-08-15 10:58:46

Lutja Engjëllit të Tënzot e Papës në Daejeon: të bashkëpunohet për të mirën e përgjithshme


Pas Meshës, Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot. E fjalët e para ia drejtoi Zojës, Mbretëreshë e qiellit, në Pashkët e saj:RealAudioMP3
“Zojës së ngjitur në qiell ia ofrojmë gëzimet tona, dhimbjet tona, shpresat tona” theksoi e në vijim ia besoi Marisë, në mënyrë të posaçme, të gjithë ata, që humbën jetën gjatë mbytjes së tragetit “SeWol, si edhe ata, që vuajnë pasojat e kësaj fatkeqësie kombëtare.
“Lutem që Zoti t’i pranojë të vdekurit në paqen e tij, t’i ngushëllojë ata, që qajnë e të jetë pranë atyre, që i ndihmuan vëllezërit e motrat. Uroj që kjo ngjarje tragjike, e cila i bashkoi të gjithë koreanët në një dhimbje të vetme, t’i nxisë edhe për të punuar së bashku, me solidaritet, për të mirën e përgjithshme”.
Françesku iu lut Zojës t’i sjellë sytë e saj plot mëshirë kah njerëzit që vuajnë, posaçërisht kah të sëmurët, të varfërit, të papunët.
Së fundi, në ditën kur Koreja kremton festën e çlirimit, i ftoi besimtarët t’i kërkojnë Zojës së Bekuar ta ruajë këtë Komb e qytetarët e tij.
Ia besoi mbrojtjes amëtare të Marisë edhe ato bija të Koresë, që i kanë akoma të hapura plagët e padrejtësive, pësuar gjatë Luftës II Botërore, kur u shpërdoruan nga pushtuesit japonezë, për të vuajtur pastaj, gjithë jetën. E Marisë ia besoi, sidomos, të rinjtë e mbarë Azisë, duke uruar të jenë kasnecë gazmorë të një bote, në të cilën mbretëron paqja, sipas planit të bekuar nga Zoti!

Në Daejeon ishte i pranishëm edhe një grup prej dhjetë vetësh, ndërmjet të cilëve, disa që shpëtuan gjallë nga tragjedia e SeWol. Grupi u takua me Papën para se të fillonte Mesha. Prindi i njërit prej të rinjve të zhdukur tragjikisht, që kishte arritur aty pas një shtegtimi prej 900 kilometrash, me një kryq mbi supe, iu lut Papës ta pagëzonte. Papa pranoi menjëherë e do ta kremtojë Sakramentin nesër paradite, në nunciaturë. Një shenjë e re e zemrës së tij të madhe, që i zë të gjithë.










All the contents on this site are copyrighted ©.