2014-08-15 16:33:12

Jashtë programit, Papa Françesku viziton universitetin e jezuitëve në Seul


Pas takimit me të rinjtë aziatikë në Daejeon, Papa Françesku u kthye në Seul, ku, jashtë programit zyrtar, bëri një vizitë në universitetin e jezuitëve “Sogang University”, themeluar në vitin 1960. Ndër të pranishmit, edhe drejtori i revistës “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio Spadaro, që e tregon kështu këtë çast, në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Papa vendosi të shkojë për të takuar sivëllezërit e vet jezuitë dhe ua komunikoi dje. Prandaj, ishte diçka krejt e re edhe për ta, që mbetën të habitur, sepse nuk dinin as çfarë e as si të përgatiteshin. Në të vërtetë, takimi u zhvillua me një thjeshtësi të pabesueshme: ndjenja e shtëpisë, e familjes, e normalitetit, që ishte absolutisht e madhe, e fuqishme.
Çfarë ju tha Papa?
Eh, fillimisht Papa hyri dhe u prit, siç mund ta imagjinoni, nga një duartrokitje e stuhishme. Të gjithë u paraqitën një nga një, sipas veprimtarisë së tyre: të rinjtë që po formohen, pra, novicët e, pastaj, ata që merren me apostullimin shpirtëror, me apostullimin rinor… Qe përnjimend festë e madhe. Papa u kënaq shumë nga kjo atmosferë e më pas, foli pa letër, thjesht, por fuqishëm, i përqendruar tek një fjalë – ngushëllim – që për ne jezuitët është themelore: ngushëllimi shpirtëror. Tha se ne jemi mbarështues të ngushëllimit, se nganjëherë në Kishë, provojmë lodhjen, nganjëherë hapen plagë, nganjëherë njerëzit preken nga probleme të shkaktuara edhe nga të shuguruarit e Kishës. E përsëriti shprehjen, që më pati thënë gjatë intervistës, se Kisha është ‘spital fushor’. Ky është këndvështrimi i tij për Kishën. Na tha se detyra e jezuitëve – por edhe më gjerë, e të gjithë shërbëtorëve të Ungjillit, e meshtarëve , e rregulltarëve – është të jemi njerëz të ngushëllimit, që u japin paqe të tjerëve, që u lehtësojnë plagët. Dhe e përsëriti në mënyra të ndryshme, duke e theksuar jashtëzakonisht e me bindje.
A tha ndonjë gjë për gjendjen koreane, për vizitën e tij e për objektivat e saj?
Përshëndeti… Jo, nuk foli për vizitën në përgjithësi, por iu referua një situate në veçanti, sepse gjatë takimit me të rinjtë, një vajzë kamboxhiane i tha se në vendin e saj, askush nuk është shpallur akoma shenjt. Në të vërtetë, është një martir, ipeshkvi i parë, për të cilin vijon çështja e lumnimit, e shqyrtimit, për të cilën Papa është i vetëdijshëm. Pavarësisht nga kjo, Papa ishte prekur shumë nga fakti se një vajzë kaq e re i bëri një pyetje të tillë. E pamë edhe gjatë takimit. Kjo e preku thellë dhe e përsëriti, edhe sepse ishte i pranishëm një jezuit korean, që jeton në Kamboxhia.








All the contents on this site are copyrighted ©.