Në fjalën për ipeshkvijtë, Papa Françesku tha disa gjëra jashtë tekstit të shkruar,
për të cilat informoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi,
në takimin me gazetarët, në fund të ditës së parë të udhëtimit të Atit të Shenjtë
në Korenë e Jugut: “Tri ishin pjesët
jashtë tekstit: ftesa drejtuar prelatëve për të mos rënë në tundimin e klerikalizmit,
duke pasur parasysh se themeluesit e Kishës koreane ishin laikë; rekomandimi për të
qenë pranë famullitarëve dhe meshtarëve, duke i mbështetur në shërbimin e tyre baritor;
Kisha duhet të jetë e varfër ndër të varfërit, sepse një Kishë e fortë, në një vend
të zhvilluar, nuk duhet të shohë faktorin ekonomik”. Atë Lombardi vuri në
dukje edhe çastet kryesore të ditës së sotme, duke nënvizuar gjendjen dhe humorin
e mirë të Papës Françesku: “Papa është shumë i kënaqur e aspak i lodhur. Fakti
që presidentja Park shkoi për ta pritur në aeroport, nuk është i zakonshëm. Kjo dëshmon
dashurinë dhe mirënjohjen e popullit korean e të përfaqësuesve më të lartë institucionalë
të tij. Papën e pritën edhe shumë përfaqësues të shoqatave e të lëvizjeve kishtare
lokale, si për të dëshmuar se Kisha koreane lëviz sëbashku dhe është një familje e
madhe”. Sot në mëngjes, Papa Françesku kremtoi meshën, sipas stilit të meshëve
në Shtëpinë e Shën Martës, në praninë e rregulltarëve. Atë Lombardi sqaroi edhe se
presidentja e Republikës së Koresë i dhuroi Atit të Shenjtë një pëlhurë të qëndisur
me subjekte tipike të traditës vendase. Zëdhënësi i Vatikanit nuk harroi të përmendë
Irakun, prej nga ka ardhur një mesazh telefonik i kardinalit Fernando Filoni, i dërguari
i Papës, me të cilin lajmërohet mbërritja e tij në vend dhe takimi me ipeshkvijtë
e me autoritetet civile. Lajmi i mirë është se sot, në Erbil, është lindur një fëmijë,
sfidë e Zotit para grykës së pushkëve.