2014-08-14 10:06:46

Seuli


Me 10 milion e katërqind mijë banorë, përveç 20 milionëve të tjerë në zonën metropolitane, është kryeqytet i Koresë. I përshkuar nga lumi Han, ndodhet në verilindje të vendit, 53 kilometra në jug të zonës së çmilitarizuar të Panmunjon, që ndan dy Koretë. Është qendra më e madhe politike, kulturore, shoqërore, ekonomike; seli e shumëkombsheve të pranishme në vend. Zemra tradicionale e Seulit, është qyteti i vjetër, i ndërtuar në kohën e dinastisë Joseon, sot është qendër historike, ku ndodhen shumë zyra të qeverisë, qendra drejtuese e ndërmarrje, hotele e tregje tradicionale. Yeuido, ishull i madh në mes të lumit Han, është seli e parlamentit, shumicës së studiove radiotelevizive dhe një numri të madh pallatesh, seli e qendrave drejtuese, si për shembull Korea Finance Building. Seuli ka numrin më të madh të rrokaqiejve në Azi, menjëherë pas pas atyre të qyteteve si Hong Kongu e Singapori.
Historia e qytetit nis nga shekulli i 18-të. E dëshmojnë këtë mbetjet e mureve, që u ndërtuan asokohe. Në luftën e gjatë për kontrollin e Koresë, zona e Seulit u pushtua nga një mori forcash ndërluftuese. Thuhej se vetëm mbretëria, që do të kishte nën kontroll luginën e lumit Han, nyje qendrore komunikimi, do të mund të kontrollonte mbarë gadishullin.
Fillimisht qyteti rethohej nga mure prej guri, 6 metra të larta e portat hapeshin e mbylleshin çdo ditë, nën tingëllimin e këmbanave. Seuli u bë kryeqytet i Koresë nën sundimin e dinastisë Joseon(1392), e kështu mbeti deri kur u pushtua nga japonezët, në fund të jetës së dinastisë (1910).
Gjatë luftës së Koresë (1950-53) Seuli kaloi herë nën kontrollin e forcave verikoreane, filokineze e herë nën atë të trupave jugkorenae, filoamerikane, duke pësuar dëme të ndjeshme. Në përfundim të periudhës së luftës, numëroheshin 2,8 milionë viktima, njerëz të vdekur e të humbur; 2.5 milionë të shpërngulur në zonën metropolitane; 191 mijë pallate të rrënuara; 55 mijë shtëpi e një mijë ndërmarrje industriale të bëra hi e pluhur.Nga viti 1960, Seuli u prin përpjekjeve të pabesueshme për rindërtimin dhe modernizimin e vendit, duke e bërë përsëri qendër ekonomike e politike. Sot popullsia e zonës metropolitane përbën 24% të mbarë popullsisë jugkoreane. Seuli mikpriti Olimpiadën e 1988-tës dhe Kampionatin Botëror Fifa 2002, së bashku me Japoninë.







All the contents on this site are copyrighted ©.