2014-08-14 13:04:21

Problemet e Koresë, shqetësim për ipeshkvijtë katolikë, i paraqiten Papës


E pikërisht sfidat e veçanta për katolikët koreanë, u vunë në dukje nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Pjetër Kang U-il, në përshëndetjen drejtuar Atit të Shenjtë. Ipeshkvi i Cheju-së foli për problemet e vendit, duke përvijuar sipas tyre programin e vizitës së Papës Françesku. RealAudioMP3
“Në këtë gadishull korean – tha ai – kanë kaluar 66 vjet nga ndarja e kombit në veri e në jug. Lufta e përgjakshme ndërmjet veriut e jugut të Koresë, që nga viti 1950 ka shkaktuar një milion e gjysëm të vdekur e tre milion e 600 mijë të plagosur në tri vjet, ka përfunduar qëkur tashmë. Por deri më sot, dy Koretë ndodhen akoma në gjendje pezullimi të përkohshëm të luftës. Prandaj, nga të dyja palët, jemi gjithnjë gati për luftë, në çdo çast. Po përforcohet një vijë demarkacioni ushtarak me armë gjithnjë e më të sofistikuara. Kjo tokë ka mëse 10 milion njerëz me familje të ndara”.
Kush jeton në veri, foli me trishtim ipeshkvi korean, nuk mund t’i shohë të afërmit në jug. Sistemet politike, ideologjitë dhe gjendja ekonomike janë krejtësisht të ndryshme, gjë që po pasqyrohet gjithnjë e më shumë në kulturë. Edhe nëse do të bashkoheshim, shprehu shqetësimin e vet ipeshkvi, nuk e dimë nëse do të jemi në gjendje të përqafohemi si vëllezër. Gadishulli korean, vijoi denoncimi, është vend ku përplasen krerët më të fuqishëm të botës.
“Kohët e fundit, çdo vend i verilindjes aziatike synon të shtojë e përforcojë armatimet, duke shpenzuar shifra të jashtëzakonshme për të qenë më lart se kundërshtarët, duke ushqyer gjithnjë e më shumë prirjet nacionaliste e duke shikuar vetëm interesat personale. Por, nga armët nuk vjen asnjë zgjidhje. Verilindja aziatike po hyn në një epokë, në të cilën do të kemi nevojë për bashkëpunim, bashkëjetesë dhe mirëqënie të përbashkët. Nuk mund të zhvillohet një vend i vetëm”.
Problemi tjetër, që i parashtroi Papës kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Koreanojugore, prek botën e industrializimit të shpejtë, të demokratizimit dhe të ungjillëzimit të shoqërisë koreane në gjysëmshekullin e fundit. Zhvillim kaq i shpejtë, sa u bën zili vendeve të tjera, ironizoi ipeshkvi, që vuri në dukje efektet dytësore e plagët e hapura.
“I gjithë vendi – nënvizoi ai – me këtë sistem ekonomik neoliberal, ka arritur në polarizimin e skajshëm… Njerëzit vuajnë shumë. Për shkak të ankthit për punë e të mungesës së sigurisë shoqërore, mund të arrihet deri në vetëvrasje. Kisha është rritur shumë në pak kohë, por nëse reflektojmë seriozisht, jo pak njerëz dyshojnë nëse kemi ndërtuar apo jo një bashkësi përnjimend ungjillore”.
Këtyre sfidave, natyrisht, Papa Françesku nuk mund t’u japë përgjigje me një udhëtim, por pikërisht përmes shtegtimit, do ta përforcojë në fe Kishën në Kore, duke i dhënë guxim e edhe këshillë për të ecur, me impenjimin e duhur, drejt së ardhmes.








All the contents on this site are copyrighted ©.