2014-08-14 17:53:10

Një Kishë, lindur pa klerin


Impenjimi i pak intelektualëve koreanë – ndër të cilët Kwang-Am Yi Byok1 (1754-1785) dhe disa të rinj studiues2 të filozofisë – është në zanafillë të Kishës në Kore. Kjo lëvizje e vogël kërkimi shpirtëror mbi “Shkencën e Qiellit” (kështu quhej atëherë katolicizmi) nisi ungjillëzimin e popullit korean, pavarësisht nga vështirësitë e persekutimet gjakësore.
Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XVII, disa studiues koreanë, që ktheheshin nga një udhëtim në Kinë, sollën me vete disa tekste, ardhur nga etërit jezuitë, që flisnin për një fe të panjohur, për krishterimin. Ata filluan t’i studionin tekstet e nga viti 1770 mblidhen në heremitazhin e mjeshtrit të madh Yi Byok, në Chon Jin Am3, për të analizuar këtë “shkencë” të re e për të ndjekur konferencat e tij. Yi Byok harton për grupin e studiuesve një përmbledhje të Besëlidhjes së Vjetër e të Re.
Kjo udhë i nxit t’i zbatojnë në praktikë mësimet e nxëna. Meqë kishin lexuar se ekziston jë ditë, që i kushtohet Zotit, ata vendosin që dita e shtatë, e katërmbëdhjetë, e njëzetenjëtë dhe e njëzetetetë e kalendarit të tyre hënor do të ishin të shenjta e do t’i kushtoheshin lutjes, kundrimit dhe agjërimit. Së fundi, grupi vendos t’u drejtohet disa misionarëve në Kinë për të thelluar edhe më, njohuritë e tyre për krishterimin.
Meqë asnjë prej tyre nuk ishte pagëzuar, Yi Byok dërgon në Kinë intelektualin e preferuar të grupit, Yi Seung-Houn (1783), për të marrë Sakramentin e Pagëzimit e për të mësuar më shumë për këtë fe. Pagëzuar në Pekin me emrin “Pjetër”, ai kthehet në Kore pas një viti, duke sjellë me vete disa objekte e libra fetarë. Atëherë, studiuesit pagëzojnë njëri-tjetrin e grupi fillon të rritet, duke arritur në 500 besimtarë, brenda një viti. Gradualisht, praktika e fesë katolike kthehet në lëvizje përtëritëse për shoqërinë, prandaj, pengohet nga klasa drejtuese e nuk vonojnë as persekutimet (1785) nga ana e pushtetit, në duart e konfucianëve.
Anëtarët e grupit të parë të krishterë, të gjithë laikë, arrestohen dhe martirizohen njëri pas tjetrit. I pagëzuari i parë, Pjetër Yi Seung-Houn bëhet mësues e pagëzon të krishterë të rinj, deri në dënimin e tij me vdekje e në ekzekutimin në burgun e Seosomoon-it të Seulit (1801)4. Pasardhësit e brezit të parë të themeluesve, edhe ata, të gjithë laikë, e mbajnë fenë, përgatisin kandidatë për meshtarë dhe i shkruajnë Papës, duke i kërkuar një ipeshkëv. Në vitin 1831 ngrihet dioqeza e Koresë e, kur misionarët e parë francezë mbërrijnë në vend (1836), katolikët janë 5 mijë vetë.
Valët e persekutimit, që sjellin mëse 10 mijë martirë, vazhdojnë deri në vitin 1886, datë e shpalljes së lirisë së fesë. Fatkeqësisht, faza e re zgjat vetëm 24 vjet e përfundon me pushtimin japonez të Koresë (1910) e me kontrollin e rreptë të vendit e të Kishës nga ana e trupave të pushtimit, me besim shintoist. Koreja çlirohet në fund të Luftës II Botërore (1945), por mbetet e ndarë: veriu, nën pushtimin sovjetik, kthehet në “Republikën Popullore Demokratike të Koresë”, ndërsa pjesa jugore e gadishullit, “Republika e Koresë”, është aleate me SHBA-të.
Regjimi koreanoverior është ateist e nuk ka lajme për Kishën, që në çastin e ndarjes, sipas vlerësimeve të kohës, numëronte 55 mijë besimtarë, rreth 50 famulli e mëse 150 meshtarë e rregulltarë.
Në Republikën e Koresë së Jugut është në fuqi liria e kultit dhe besimtarët katolikë janë sot, pak më shumë se 5,4 milion, 10% e popullsisë.
(marrë nga “Historia e mrekullueshme e Themelimit të Kishës Katolike në Kore”, shkruar nga imzot Pjetër Ki Young Byon, 2014, Botuar nga Shenjtërorja e Chon Jin Am).

1 Kwang-Am Yi Byok (Gjon Baptisti), mësues i madh e martir, konsiderohet Themeluesi kryesor i Kishës në Kore. Varri i tij u zbulua më 21 qershor 1979 gjatë gërmimeve të autorit të librit të cituar, imzot Pjetër Ki Young Byon. Trupi u zhvendos në Malin e Shenjtë të Chon Jin Am, ku ai pati mbajtur konferencat e para për “Shkencën e Qiellit”, nga viti 1770 në vitin 1784.
2 Grupi i 5 martirëve laikë, themelues të Kishës koreane, formohej nga: mësuesi i madh Kwang-Am Yi Byok (Gjon Baptisti), Yi Seung-Houn (Pjetri), Kwon Yil-Shin (Françesku), Kwon Cheol-Shin (Ambrozi) dhe Cheong Yak-Jong (Augustini).
3 Chon Jin Am, vendi ku lindi Kisha në Kore, është sot shenjtërore kombëtare, ku shtegtojnë shumë besimtarë e ku kremtohen meshë e përkujtime. Është në plan ndërtimi i një kishe të re e të madhe, guri i parë i së cilës (një bllok prej 30 tonelatash) ka të gdhendur bekimin e shën Gjon Palit II (21 shtator 1993).
4 Kufoma e Pjetër Yi Seung-Houn, koreani i parë i pagëzuar, është zhvendosur në Shenjtëroren e Chon Jin Am më 28 nëntor 1981.







All the contents on this site are copyrighted ©.