2014-08-14 10:35:04

Fjalimi i parë i Papës në Kore: paqe e dialog.


Në fjalimin e parë, të përshëndetjes drejtuar Koresë së Jugut e të mbarë Azisë, Papa kujtoi menjëherë qëllimin e vizitës së tij në Korenë e Jugut, lidhur ngushtë me problemet e mbarë Azisë, duke u ndalur posaçërish tek ato të shoqërisë koreane. Pas përshëndetjeve të rastit, Papa kujtoi pasurinë historike e kulturore të Koresë, “Tokës së agimeve të qeta”, që në rrjedhë vitesh, u vu në provë të rëndë nga dhuna e nga lufta. U vu në provë, por pa e humbur kurrë shpresën në drejtësinë, paqen, unitetin.
Papa kujtoi, në vijim, dy arsyet kryesore të vizitës: Ditën IV Aziatike të Rinisë, kremtim gazmor i fesë së përbashkët, që i mbledh tok gjithë të rinjtë e Kontinentit aziatik dhe lumnimi i martirëve koreanë, dëshmitarë të fesë së krishterë: Paul Yun Ji-chung dhe 123 shokët e tij.
Në vijim e vlerësoi shoqërinë koreane për mënyrën si e kupton dhe e shfrytëzon urtinë dhe dinjitetin e të moshuarave si dhe rolin e tyre në gjirin e saj. Si popull i urtë, nuk vlerëson vetëm traditat e tyre, por edhe të rinjtë, duke u përpjekur t’u përçojë trashëgiminë e së kaluarës, që ta vënë pastaj në jetë, në kushtet aktuale. Papa preku edhe një temë tjetër të rëndësishme, atë të transmetimit të vlerave nga breznia, në brezni.
Në kontekstin e Koresë, nëvizoi dhuratën e paqes, të pajtimit, të stabilitetit në gadishullin korean. Është sfidë për diplomacinë, nënvizoi, duke pasur parasysh praninë e autoriteteve politike e të Trupit Diplomatik. Sfida e përhershme për t’i shembur muret e mosbesimit e të urrejtjes, duke promovuar kulturën e pajtimit e të solidaritetit. Objektiva që duhen parë në tërësinë e tyre e që, sigurisht, nuk mund të realizohen menjëherë. Paqja nuk është thjesht mungesë e luftës, është vepër drejtësie! Duhet ndërtuar mbi themelin e respektit reciprok, të mirëkuptimit e të pajtimit. Përvoja na mëson se në një botë, gjithnjë më të globalizuar, bashkëpunimi ynë për të mirën e përgjithshme, progresin e zhvillimin, duhet të ketë jo vetëm karakter ekonomik, por edhe njerëzor.
Si shumica e kombeve të zhvilluara, Koreja duhet të përballojë problematika të mprehta shoqërore, përçarje politike, pabarazi ekonomike, shqetësime, që burojnë nga shfrytëzimi me përgjegjësi i pasurive ambientale.
Papa i nxiti koreanët të bëjnë të pamundurën, për të krijuar një klimë shoqërore, ku çdo anëtar i shoqërisë dëgjohet, ku ruhet fryma e komunikimit të hapur, ku i kushtohet vëmendje e veçantë të varfërve, të ligështve, atyre që nuk kanë zë. E jo vetëm duke ua plotësuar nevojat e tyre më të ngutshme, por kryesisht duke i ndihmuar për rritjen njerëzore e shpirtërore. Sot, më shumë se kurrë, theksoi Papa, është i nevojshëm globalizimi i solidariteti, që të ketë si synim zhvillimin e gjithanshëm të çdo anëtari të familjes njerëzore.
Në përfundim, Papa Françesku kujtoi fjalët e Gjon Palit II, shqiptuar në Kore 25 vjet më parë, mbi dëshirën e bashkësisë katolike koreane për të marrë pjesë plotësisht në jetën e kombit. Kisha dëshiron të kontribuojë në edukimin e të rinjve, në krijimin e frymës së solidarietit për të varfërit e të pashpresët e, sidomos, në formimin e breznive të reja të qytetarëve, të gatshëm për të ofruar urtinë e largpamësinë e trashëguar nga të parët e të lindur nga feja e tyre, për të përballuar problemet e mëdha politike e shoqërore të kombit.








All the contents on this site are copyrighted ©.