Për herë të parë avioni papnor mundi të fluturojë mbi trojet e Republikës Popullore
të Kinës, falë autorizimit të Pekinit. E Papa Françesku i drejtoi presidentit Xi Jinping
këtë telegram urimi: “Duke hyrë në hapësirën ajrore kineze, i drejtoj urimet më të
mira Shkëlqesisë Suaj dhe të gjithë qytetarëve tuaj e i lypi Zotit bekimin hyjnor
të paqes e të mirëqenies mbi Kombin”. Papa i dërgoi telegrame urimi edhe presidentëve
të vendeve të tjera, mbi të cilat fluturonte avioni i tij, gjatë shtegtimit drejt
Koresë: presidentit të Italisë, Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë, Sllovakisë, Polonisë,
Bjellorusisë, Rusisë e Mongolisë.