2014-08-13 11:33:50

Kryeipeshkvi i Bagdadit: të ndalet “buldozeri”, që ia ndryshon faqen Lindjes së Mesme


Në Irakun e pështjelluar nga dhuna e xhihadistëve, po punohet për formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar, pas zgjedhjes së kryeministrit Haider al Abadi. Ndërkaq, vazhdojnë sulmet amerikane kundër milicëve të ISIS-it, të cilët, gjatë orëve të fundit, kanë marrë peng 600 gra të pakicës yazide. Të dëgjojmë dëshminë e kryeipeshkvit të Bagdadit të Latinëve, imzot Jean Benjamin Sleiman:
Lajmet e fundit nuk janë shumë të ndryshme nga të parat. Para së gjithash, kemi gjendjen tragjike të të krishterëve e të të tjerëve, që kanë humbur gjithçka. Akoma, jo të gjithë janë sistemuar. Tani kemi një kryeministër të ri e shpresojmë të formojë një qeveri, që t’i përfaqësojë të gjithë, por kjo shoqërohet edhe me një lloj frike. Shpresojmë që zgjedhja e tij t’i hapë udhën normalizimit të gjendjes, sepse paniku është gjithnjë i pranishëm.
Në këtë çast, duhet shpëtuar jeta e njerëzve, si ajo e të krishterëve, e yazidëve…
Ka edhe një kategori tjetër për të cilët flitet pak, që janë kurdët shiitë: edhe ata janë sulmuar e përzënë. Është një pakicë tjetër, e vogël në numër.
Pasi Perëndimi nuk lëvizi as gishtin, tani, amerikanët kanë filluar bombardimet, por gjendja mbetet e ndërlikuar…
Ne jemi bij të Kishës. Ka pasur një Papë që pati thënë: nëse bëni luftë kundër njerëzimit e bëni kundër Zotit. Nuk e citoj tekstualisht, por këtë e pati thënë Gjon Pali II, tashmë shenjt. Të mos fshihemi pas ‘politikisht korrekt”-it. Problemi nuk vjen prej këndej, vjen nga Perëndimi! Të ndalet ky „buldozer” që dëshiron të ndryshojë gjithçka në Lindjen e Mesme… plani si ai i Babelit, i kullës së Babelit, do të përfundojë gjithmonë me vende copë-copë e me njerëz e bashkësi copë-copë… Nuk duhet të fshihemi: problemi vjen nga një lloj i caktuar politikash ndërkombëtare. Në dukje është problem shiit-sunit, pastaj kristano-islamik: por e gjithë kjo, nuk është e vërtetë!
Të krishterët e të gjithë irakianët janë edhe të dëshpëruar, sepse kjo luftë nuk mbaron kurrë…
Nuk mbaron kurrë. Ka shumë njerëz të ndershëm, shumë njerëz, që duan të jetojnë në paqe. Për të bërë luftë mjaftojnë njëqind koka ‘tymçe’, që mbajnë armë, por shumica e njerëzve do të jetojë ndershmërisht, denjësisht.
Cilat janë shpresat tuaja? Ç’mund të thoni për këtë?
[Them] se po mbartim një kryq, por ky kryq është ai i Krishtit: Ai mund ta ndryshojë historinë njerëzore. Historia jonë bazohet në një mrekulli hyjnore. Nëse flasim si njerëz, duhet të themi se jemi të paaftë, të pafuqishëm. Vetëm Zoti mund të na shpëtojë.








All the contents on this site are copyrighted ©.