Konferenca ipeshkvnore italiane: më 15 gusht, lutje për të krishterët e persekutuar
Duke iu përgjigjur denoncimit të Papës, që pohon se sot ka më shumë të krishterë të
persekutuar, sesa kishte në shekujt e parë të krishterimit”, Kii do të kremtojë, më
15 gusht, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, një Ditë lutjeje për të
krishterët, viktima të persekutimit. Të gjitha bashkësitë kishtare, shkruhet në një
notë të kryesisë së Kii, ftohen të bashkohen në lutje, si shenjë konkrete e pjesëmarrjes
në vuajtjet e atyre, që jetojnë nën thundrën e hekurt të persekutimit. Një Kalvar
i vërtetë, vijon nota, i bashkon të pagëzuarit e vendeve, si Iraku e Nigeria, ku damkosen
për shkak të fesë së tyre e bëhen objekt sulmesh të paprera nga ana e grupeve terroriste,
dëbohen nga shtëpitë, kërcënohen, poshtërohen, përjashtohen nga radhët e shoqërisë,
detyrohen të marrin rrugët e mërgimit e edhe vriten. Kishat e tyre dhunohen, reliket
e lashta, shtatoret e Zojës së Bekuar e të Shenjtorëve, rroposen e copëtohen nga një
fanatizëm, që nuk ka asgjë të përbashkët me asnjë lloj frymëzimi të mirëfilltë fetar.
Në këto vende, pohojnë ipeshkvijtë italianë, prania e krishterë, historia e saj mijëravjeçare,
larmia e traditave e pasuria e kulturës, është në rrezik: rrezikon të shlyhet nga
vetë vendet ku lindi, duke nisur nga Toka e Shenjtë. Kuptimplotë, titulli i komunikatës:
“Ne nuk mund të heshtim!”, posaçërisht përballë Evropës sonë të çkujdesur e indiferente,
të verbër e të shurdhër, që nuk do ta dëgjojë fjalën persekutim, viktimë e të cilit
janë qindra mijëra të krishterë. Për frymën e kësaj nisme, të dëgjojmë kryetarin e
Kii, kardinalin Angelo Bagnasco, në mikrofonin tonë:
Përgjigje: -
Lind nga nevoja, nga detyra për të qenë pranë shumë e shumë vëllezërve e motrave,
që persekutohen për fenë e tyre në të katër anët e botës. Lutja është forma e parë
e solidaritetit dhe e afërsisë për ne të krishterët. E është edhe shprehje e dëshirës
për t’ia thënë me zë të lartë një fjalë të qartë, të fortë, posaçërisht botës perëndimore,
që duket plotësisht e çkujdesur e indiferente.
Pyetje: - Flitet për
luftëra të tmerrshme këto ditë, po çështja e të krishterëve të persekutuar duket sikur
fshihet, sikur mbulohet me heshtje e indiferencë. Pse, sipas jush, gjithë kjo heshtje?
Përgjigje:
- Ndoshta sepse ndokush nuk e ka më guximin të thotë se është i krishterë, sepse
nuk perceptohet më nga një farë mendësie tipike perëndimore, vlera tejet e madhe,
prehri, zanafilla e kulturës sate, e shoqërisë ku jeton. Nga ana tjetër, sigurisht
edhe për interesa të tipit ekonomik, ndokush mund të ketë frikë të ndeshet haptas
e i duket punë më e mirë të heshtë e të bëjë sikur nuk shikon, as nuk dëgjon gjë.
Kjo i duket punë më e bukur, sesa të vërë në rrezik interesat e veta ekonomike.
Pyetje:
- Thirrja e Kii-së përmes kësaj nisme?
Përgjigje: - Urojmë që bashkësitë
e krishtera të vendit tonë, së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, e janë shumë,
të bashkojnë zërat në një lutje korale, të vetme, ngulmuese, që autoritetet politike,
drejtuesit e kombeve e popujt t’i shikojnë këto fakte intolerance të papranueshme,
sepse e drejta për ta praktikuar fenë tënde, liria fetare, është e drejtë themelore,
bazë e të gjitha të drejtave njerëzore. Nuk mund të heshtësh përballë kësaj dhune
sistematike, strategjike, që vijon në shumë vise të botës, posaçërisht, këto çaste,
në Irak e Nigeri, e që vë në rrezik jo vetëm fenë e të krishterëve, por edhe vetë
qytetërimin e botës.
Pyetje: - Sipas të dhënave, çdo pesë minuta në
botë humbet jetën një i krishterë. Ne, të krishterët, si mund t’ua japim dorën këtyre
vëllezërve? Si mund t’i ndihmojmë? Përgjigje: - Përveçse me lutje, duke
e ndjerë fort në ndërgjegje hirin se jemi të krishterë; se mund të kemi fenë tonë,
që e respekton fenë e të tjerëve, në dialog konstruktiv. U bëj thirrje të gjitha mediave,
sepse mediat i kanë mjetet e përshtatshme, për të kumtuar se nuk mund të lejohet që
çdo pesë minuta të vritet një njeri për arsye të fesë; për asnjë arsye, por mbi të
gjitha, për fenë. Nëse mediat do të ishin më të pranishme, më të kujdesshme ditë për
ditë, për të tërhequr vëmendjen e botës, posaçërisht të kombeve perëndimore, që rrinë
e bëjnë sehir, jo pa qëllim, mbi këtë fakt çnjerëzor, të papranueshëm, besoj se prijësit
do të fillonin të mendojnë paksa më ndryshe.