2014-08-13 15:29:55

Kardinali Tauran: solidaritet për irakianët, ose shkohet drejt humnerës


Pas publikimit të mesazhit të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, me të cilin u kërkohet krerëve myslimanë të dënojnë mizoritë e xhihadistëve në Irak, autoritete të ndryshme islamike, si Myftiu i Madh i Egjiptit, iu përgjigjën pozitivisht thirrjes. Të dëgjojmë kreun e dikasterit vatikanas, nga i cili doli mesazhi, kardinalin Jean-Louis Tauran:

“Përballë kaq barbarive, para fakteve që shohim në gazeta e televizione, nuk mund të themi se nuk e dinim. Prandaj, nuk mund të heshtim. Ky mesazh synon të rizgjojë opinionin publik, por edhe krerët fetarë, sidomos krerët myslimanë, të cilët e kanë për detyrë të zbatojnë në praktikë mëshirën, mirëkuptimin e solidaritetin, përndryshe do të shkonim drejt humnerës. Është e vërtetë se në mesin e kësaj tablloje kaq të errët, ka edhe episode shumë të bukura solidariteti: familje myslimane, që kanë strehuar refugjatët e krishterë, duke i trajtuar si njerëzit e tyre. Këto janë gjëra të bukura. Por, duhet të kemi shumë kujdes e të mos mësohemi me situatat, që janë të padenja për njeriun”.








All the contents on this site are copyrighted ©.