2014-08-13 12:58:13

Kardinali Parolin: Papa në Kore, duke shikuar mbarë Azinë


Papa vijon shtegtimin drejt Koresë. E presin ditë ngarkuar me veprimtari, takime, vizita. Një nga çastet kryesore të shtegtimit, që do të përfundojë më 18 gusht, do të jetë takimi me të rinjtë, mbledhur për Ditën e rinisë aziatike. Për këtë shtegtim të Papës që, nga Koreja, përfshin me vështrimin e tij mbarë Azinë, flet, nga Qendra Televizive e Vatikanit, sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Pietro Parolin:

Përgjigje: - Do të thosha se rëndësia e këtij shtegtimi lidhet kryesisht me tre faktorë: i pari është fakti se Papa, për herë të parë, shkon në Lindjen e largët, zonë e botës me vlerë gjithnjë më të theksuar në ekonominë dhe në politikën botërore. Shkon Papa, për t’iu drejtuar mbarë Kontinentit, e jo vetëm Koresë. Natyrisht, shtegton në Kore, por pa harruar asnjë nga vendet e Kontinentit, falë pikërisht kremtimit të Ditës aziatike të rinisë, që do të kremtohet në Kore e në të cilën do të marrin pjesë edhe përfaqësues të të rinjve të vendeve fqinje. E, pastaj, aspekti i tretë, është ai i së ardhmes. Rinia përfaqëson ardhmërinë, prej këndej, mund të themi se Papa i drejtohet ardhmërisë së këtij kontinenti, ardhmërisë së mbarë Azisë.

Pyetje: - Zemra e shtegtimit do të jetë takimi i Papës me të rinjtë e Azisë, të cilët shpesh, në një shoqëri ku ndjehet fort fryma e konkurencës, largohen nga Kisha, për ta kërkuar suksesin në shkollë e në punë Ç’mesazh do t’u çojë Papa?

Përgjigje: - Mesazhi, që unë besoj se do t’u çojë Papa këtyre të rinjve, është se duhet të bëhen protagonistë të jetës së Kishës. Një prani aktive, pra, prani që bashkëpunon, që është e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj. Kisha ka nevojë për të rinjtë, vijon të na kujtojë Shën Gjon Pali II, e të na e rikujtojë Papa Françesku. Prej këndej, bëhet fjalë për protagonizëm në gji të Kishës e protagonizëm edhe në mision. Të rinjtë, e kjo është thirrja e tyre themelore, duhet të bëhen ungjillëzues të bashkëmoshatarëve, kështu jemi gjithnjë në vijën e ungjillëzimit, e ky është edhe kumti i Papës, shoqëruar nga porosia që të mos verbohen nga vlerat kalimtare të shoqërive tona e të botës sonë e ta gjejnë në Jezusin përgjigjen për pyetjet e tyre, për shqetësimet e tyre.

Pyetje: - Çfarë dëshmie mund t’u japin breznive të reja katolike martirët koreanë, të cilët Papa Françesku do t’i lumnojë në Seul?

Përgjigje: - Kjo është një arsye tjetër, që e shtyu Papën të niset për në Kore: lumnimi i 124 martirëve koreanë. Duhet nënvizuar, besoj, fakti se në gjirin e këtij grupi është një meshtar i vetëm, ndërsa gjithë të tjerët janë shekullarë, me profesione nga më të ndryshmet, që nga më të përvuajturat, tek më të lartat. Niseshin, pra, nga këmbët më të ulta të shkallës shoqërore, për të arritur deri në majë. E kjo na kujton një nga karakteristikat e Kishës koreane: Kishë e lindur nga dëshmia e nga impenjimi i shekullarëve, që ditën ta ruajnë e ta transmetojnë fenë. Besoj se ky është edhe mesazhi themelor, që na kujton se në Kishë të gjithë jemi të thirrur për shenjtëri, shenjtëri që mund të shprehet në forma nga më të ndryshmet, por që duhet ta karakterizojë impenjimin e secilit.

Pyetje: - Papa Françesku do të takojë edhe të shpëtuarit e familjarët e viktimave të fundosjes së Sewol1. Mendoni se baritoria e dashurisë, e afërsisë ndaj atij që vuan, mund të lërë gjurmë edhe në Kore?

Përgjigje: - Po, sigurisht. E dimë se kjo ngjarje dramatike, ky kob, shkaktoi shumë dhimbje, hapi shumë plagë, që ndezën shumë polemika në shoqërinë koreane. Papa dëshiron të tregojë se metoda për t’i lehtësuar këto dhimbje e për t’i shëruar këto plagë, është pikërisht të jesh afër njerëzve. E kjo është shenjë e qartë: kjo afërsi, që është afërsi e Jezusit me të gjithë të vuajturit, duhet të jetë edhe afërsi e Kishës. Prej këndej, ka edhe këtë kuptim gjesti i dhimbjes e i mëshirës ndaj familjarëve të viktimave të kësaj tragjedie.

Pyetje: - Papa do ta përfundojë shtegtimin në Korenë, që ipeshkvijtë e quajnë “viktima e fundit e luftës së ftohtë”, me një meshë për paqen e pajtimin. A mendoni se ky shtegtim mund të hapë kanale të reja dialogu ndërmjet liderëve të dy Koreve e t’u japë shpresë edhe katolikëve të Koresë veriore?

Përgjigje: - Kjo ka qenë gjithnjë shpresa e madhe e Selisë së Shenjtë, që impenjohet edhe konkretisht në këtë drejtim. Është e qartë se Gadishulli vijon të përshkohet nga shumë tensione e se ka nevojë për paqe e pajtim. Besoj se shtegtimi i Papës do të ndihmojë, në këtë kuptim, në kuptimin e vijimit të veprës solidare ndaj popullsive, që kanë nevojë e do të favorizojë, në masën e mundshme, krijimin e hapësirave të komunikimit e të dialogut. Prej këndej mendoj, e është edhe bindja e shprehur shpesh nga Papa, se vetëm përmes këtij komunikimi e këtij dialogu, mund të zgjidhen edhe problemet, që vijojnë e se, kur ka vullnet të mirë nga ana e të gjithëve, kanalet gjinden gjithnjë.

1 Sewol quhej trageti i shoqërisë jugkoreane të lundrimeve detare, Chonghaejin Marine Company, që u mbyt më 16 prill 2014 në ujërat e Koresë së Jugut, duke shkaktuar vdekjen e 293 vetëve e humbjen e 10 të tjerëve. Nga 476 udhëtarë, shpëtuan vetëm 172.









All the contents on this site are copyrighted ©.