Papa koreanëve: të moshuar e të rinj së bashku, garanci për të ardhmen
Në prag të shtegtimit të tij apostolik në Kore, nga 13 deri më 18 gusht, Papa u drejtoi
koreanëve këtë mesazh, transmetuar menjëherë nga një mori mjetesh botërore të informacionit.
Të dashur vëllezër
e motra! Pas pak ditësh, me ndihmë të Zotit, do të jem mes jush, në Kore. Ju falënderoj
që tani për pritjen e ju ftoj të luteni së bashku me mua, që ky shtegtim apostolik
të lidhë fryte të begata për Kishën e për shoqërinë koreane. “Ngreju, shkëlqe!”(Is
60,1): me këto fjalë, që Profeti ia pati drejtuar Jeruzalemit, unë po ju drejtohem
ju. Është Zoti, që ju fton ta pranoni dritën e Tij, ta pranoni në zemra, për ta pasqyruar
në një jetë përplot me fe, shpresë e dashuri, përplot me gëzimin e Ungjillit. Siç
e dini, vij me rastin e Ditës VI Aziatike të Rinisë. Të rinjve, në mënyrë të veçantë,
u sjell thirrjen e Zotit: “Rini e Azisë, ngreju! Drita e martirëve shndrit mbi ty”.
Drita e Krishtit të ngjallur shkëlqen si në pasqyrë, në dëshminë e Paul Yun Ji-Chung
e 123 shokëve të tij, të gjithë martirë të fesë, që do t’i shpall të lum më 16 gushtin
e ardhshëm, në Seul. Të rinjtë janë mbartës të shpresës e të energjive për të ardhmen;
por janë edhe viktima të krizës morale e shpirtërore të kohës sonë. Prandaj dëshiroj
t’u shpall atyre, e të gjithëve, të vetmin emër në të cilin mund të shpëtojmë: Jezusi,
Zoti! Të dashur vëllezër e motra koreane! Feja në Krishtin ka lëshuar rrënjë të
thella në trojet tuaja e ka sjellë fryte të begata. Të moshuarit janë rojtarë të kësaj
trashëgimie: pa ta, të rinjtë do të ishin krejt pa kujtesë. Takimi i të rinjve me
të moshuarit është garanci e përparimit të popullit. E Kisha është familja e madhe,
në të cilën të gjithë jemi vëllezër në Krishtin. Në emër të saj vij mes jush, me gëzimin
të ndaj me ju Ungjillin e dashurisë e të shpresës. Zoti ju bekoftë e Virgjëra Mari
ju mbrojtët!