2014-08-11 15:51:22

Irak, Isis pushton Jalawla. Imzot Varduni: bota të bëjë diçka!


Në veri të Irakut xhihadistët vijojnë përparimin. Pavarësisht nga bombardimet e avionëve amerikanë, milicët e Shtetit islamik pushtuan qytetin e Jalawla-s. Ndërkaq edhe Lidhja Arabe i dënoi masakrat e kohëve të fundit kundër pakicës Yazedi, duke e aukuzuar Isis për krime kundër njerëzimit, ndërsa vijon kaosi politik në Bagdad, me amullinë që karakterizon veprimtarinë për formimin e qeverisë së re e me ndeshjen ndërmjet Malikit dhe presidentit Massum.
Mbi situatën kaq tragjike, në dukje pa rrugëdalje, komenti i imzot Shlemon Vardunit, ipeshkëv-ndihmës i kaldeasve, me telefon, nga Bagdadi:RealAudioMP3

Përgjigje: - Bashkëpunimi i botës është tepër i ligshtë e po aq, i vonuar. Edhe i Evropës, e edhe i Amerikës. Ju thoni “Më mirë vonë se kurrë!”, por tragjedia jonë nuk u mor seriozisht që në zanafillë. Prandaj patriarku, e ne të gjithë, e vumë në dukje çkujdesjen e botës që në hapat e para, për një muaj të tërë. E prandaj arritëm deri në këtë pikë. Në fillim, të paktën flisnin me fjalë të ëmbla me të krishterët, por kjo zgjati vetëm pak ditë… Pastaj ia nisën t’i dëbonin ose t’i vrisnin të gjithë ata, që nuk pranonin të bëheshin myslimanë. E kjo, jo vetëm në Mosul, sepse katër ditë më parë ‘u zbraz’ i gjithë Rrafshi i Ninives: fëmijë, pleq, flejnë në rrugë të madhe. Tmerr i vërtetë! Prandaj mund të pohoj me plot gojën se edhe Amerika arriti tepër vonë…. ne shikojmë sesi këta njerëz mbjellin frikë, frikë të madhe në zemër të pakicave, që lënë gjithçka e ikin, pa menduar dy herë. Ne duam një aksion të gatshëm tani, menjëherë! Sa fëmijë vdiqën, sa gra u nëpërkëmbën, sa burra u vranë! Prandaj Fortlumturia e Tij thotë, me ne të gjithë, se bota duhet të ndërhyjë menjëherë. Nuk duhet t’u shesë armë këtyre njerëzve!

Pyetje: - Atëherë në zonat e pushtuara gjendja është keqësuar, në krahasim me një muaj më parë. Po ç’ka ndryshuar në këto javët e fundme?

Përgjigje: - Më parë u thosha të krishterëve të mos largohen, sepse ndokush ua pëshpëriste në vesh fjalën ikje. Pastaj nisën t’i dëbojnë të krishterët nga funksionet publike në qeveri, pastaj u dukën shkrime mbi muret e shtëpive e pastaj nisi edhe gërthitja: “Jashtë të krishterët!”. Pas asaj, që ndodhi në Rrafshin e Ninives, e frikës që ia dolën të mbjellin në zemrën e të gjithëve, sapo njerëzit dëgjojnë se po afrohen, ikin menjëherë, vrapojnë njëri pas tjetrit… Me mijëra: 150-200 mijë njerëz janë jashtë, pa kurrfarë strehe. Kisha po përpiqet të bëjë ç’është e mundur për t’u gjetur vend e falënderojmë Zotin, shumica tashmë e ka një çati mbi kokë. Ne i bërtasim sa na ha zëri botës mbarë: “Ju lutemi, bëni diçka!”. “Ju lutemi, mos shisni armë!”. Kombet, që i ndihmojnë këta njerëz, duhet t’u bëjnë thirrje e t’u thonë: “Jeni në botë, apo jashtë bote?”. E nëse janë jashtë bote, atëhere duhen dënuar!

Pyetje: - A ndjehet, në kryeqytet, mungesa e unitetit politik? Është problem? A mund të mposhtet Isis, në se bashkohen të gjitha etnitë e Irakut?
Përgjigje: - Ky është një nga problemet më të mëdha. Qeveria e të gjitha partitë e tjera, që do të duhej t’i merrnin seriozisht gjërat, diskutojnë vetëm për poltronat, në vend që të thoshin: “Të shkojmë tek kurdët e të bëjmë një bllok të bashkuar, që të tregojë forcën e Irakut”. Ne nuk e duam luftën! Nuk duam t’i vrasim të tjerët, po duam të drejtat tona, duam paqe! Duam siguri për fëmijët tanë, për gratë tona, për vajzat tona të nëpërkëmbura. Këto përçarje janë boshllëk i madh në historinë e Irakut. Nëse qeveria do të bashkohej me kurdët, do të bëhej një zemër e vetme, sigurisht gjërat do të ishin krejt ndryshe. Por edhe amerikanët e Evropa duhet të ndërhyjnë. Edhe pse kurdët nuk janë me qeverinë!







All the contents on this site are copyrighted ©.