2014-08-10 11:00:23

Roma kremton dymijëvjetorin e Augustit: Perandorit të “shekullit të artë”


Mjedise arkeologjike, ekspozita e kuvëndime: tejet i pasur, programi për kremtimet e dymijëvjetorit të vdekjes së perandorit August. Do të nisin në shtator, por u paraqitën në një konferencë shtypi, mbajtur më 6 gusht, në Romë. Me këtë rast, do të hapen për publikun zonat e restauruara: Fori romak dhe Palatini. Përkujtim me peshë ndërkombëtare, ky. I kujton botës rolin, që luan një prijës i vërtetë, në zhvillimin e vendit të vet, edhe dymijë vjet pas vdekjes. Për këtë flet, në mikrofonin tonë, Maria Rosaria Barbera, anëtare e Këshillit bashkijak për pasuritë arkeologjike të Romës:

Përgjigje: - Parapëlqyem nisma jetëgjata, me natyrë strukturore. Prandaj, njëherësh me ekspozitat, realizuam e do të vijojmë të realizojmë nisma restaurimi, rihapjeje për publikun, zgjerimi. I kushtuam vëmendje, sidomos, fuqizimit e mirëmbajtjes të pasurisë sonë, që në rastin e nismave kushtuar Augustit, i ka rrënjët kryesisht në kodrën Palatine, kodër një herë e Romulit e dhe e Remit, e pastaj e Augustit. Punuam, prandaj, së pari për riorganizimin dhe përtëritjen e muzeumit palatin, u zgjeruam, pastaj, në shtëpitë fqinje të Augustit e Livias mbi Palatin, bërthamë kryesore e atij që, më pas, do të bëhet sistemi i madh e selive perandorake, duke hapur sektorë të gjerë, pjesërisht të paparë ndonjë herë, për publikun. Edhe këtu synuam të realizojmë gjëra afatgjata. U shtrimë, pastaj, në Forin romak, në bazilikën Julia, e këtu restauruam çka mbetej nga bazilika. Vijuam me Termet e Dioklecianit, pastaj, ku riorganizuam një pjesë të mirë të kompleksit, por, për t’u rikthyer tek Augusti, ekspozuam në formë të qëndrueshme, materiale e koleksione themelore të riteve fetare në epokën augustiane.

Pyetje: - Po kush ishte Augusti?

Përgjigje: - Personalitet që, duke ruajtur formën e republikës, krijoi një strukturë krejt të re. Është Njeriu, që qeverisi kohën! Ngadhënjimtar i madh: nuk qe perandor luftëtar, po perandor që luftoi shumë, e, mbi të gjitha, që diti të bënte politikë. Personalitet i mbyllur, i akullt. Shumë pak i ngatërruar me gratë. Deshi kryesisht gruan e tij, Livien, e njerëzit e tij të gjakut. Gjë që nuk e pengoi aspak ta degdiste të bijën e vetme në internim! Personalitet vigan, pra, i mbarë historisë së njerëzimit. Më pëlqen të mendoj se ishte i pari që plazmoi mendimin e Evropës. Prej këndej, ne të gjithë jemi trashëgimtarë e stërnipa të Augustit.

Pyetje: - Do të keni vizitorë të shumtë, sigurisht. Cili është mesazhi i Augustit, që arrin mes nesh sot, dymijë vjet pas tij?

Përgjigje: - Augusti është perandor, që nuk pushoi së ushtruari ndikim mbi Mesjetën e edhe mbi Rilindjen! Është ai, që krijoi përfytyrimin kolektiv të perandorit romak. Është Perandori! Kështu trashëgimia e tij la gjurmë të pashlyeshme. Është ai, që jo vetëm, siç thotë Svetoni, g"jeti një qytet prej tullash e e la të derdhur në mermer”, por edhe ai, që gjeti një republikë në grahma të vdekjes, të dërmuar nga luftërat e përgjakshme civile, e bëri prej saj, atë që mbeti në histori si epoka e artë: bëri “Pax Augustea”. E kjo paqe mbretëroi mbi Romën për gati 40 vjet. Ishte, pra, perandor që diti të përzjejë urtisht, me dozat e duhura, vjetërsi e risi, luftë e paqe, duke e kthyer baltën në mermer. E ashtu na e la trashëgim, ne të gjithëve.










All the contents on this site are copyrighted ©.