2014-08-10 11:00:09

Katolikët, në Perandorinë otomane në shekullin XVIII: “Illyricum Sacrum” (6)


Në emisionin e gjashtë të rubrikës, mbështetur mbi studimin: “Katolikët në Perandorinë otomane në shekullin XVIII”, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, botuar në revistën e mirënjohur të jezuitëve “Civiltà Cattolica”, numri 3921, muaji nëntor 2013, vepra monumentale “Illyricum Sacrum”, së cilës do t’i kushtojmë dy emisione, sepse me rëndësi të dorës së parë për historinë e Shqipërisë. i pari titullohet “Illyricum Sacrum”:

Fryt i veprimtarisë misionare në rrethanat historike kur papnoi Klemeti XI është edhe vepra madhore “Illyricum Sacrum”- “Iliria Kishtare”, ose “Historia Kishtare e Ilirisë”, në nëntë vëllime, me format 38-26, ku rreshtohet historia kishtare, lidhur ngushtë me historinë civile të të gjitha krahinave, të cilat në kohët e vjetra njiheshin me emrin Iliri. Është vepra më e rëndësishme për historinë kishtare shqiptare e jo më pak, për historinë e Shqipërisë, në përgjithësi. Në të gjejmë të dhëna dokumentare për një periudhë të gjatë kohore e për problemet më të mprehta të historisë së trojeve shqiptare, duke nisur nga ilirët, duke vijuar me mesjetën e hershme, me sundimin e Justinianit e duke shkuar deri në shekullin XVIII, nëpër shtigjet historike të të cilit po ecim në këtë shkrim. Jemi, pra, në shekullin, kur u realizua enciklopedia e trojeve ilirike, fryt i punës 125 vjeçare të tre breza studiuesish, të tre misionarë jezuitë.
Autori i parë i kësaj vepre qe jezuiti Atë Filip Riceputi (16. 07. 1667- 05. 09. 1742), i cili mblodhi 300 blej me dorëshkrime. Atë Daniel Farlati (1690-1773), edhe ai jezuit, i ndihmoi atë Riçeputit dhe e vijoi punën e tij. Duke nisur nga vitit 1751 botoi katër vëllimet e para të “Illyricum”. I treti autor, që punoi për botimin e veprës madhore, qe jezuiti venedikas, Atë Jakob Koleti (1734-1824).
Atë Koleti, si pati kryer botimin e “Illyricum Sacrum” gjeti edhe 14 blej të tjerë, mbledhur nga Farlati, botuar vetëm pjesërisht, gjithnjë në serinë e veprës.
Që të mos humbisnin fare, atë Koleti ia dorëzoi dorëshkrimet priftit Coi, asokohe drejtor i Bibliotekës së Seminarit të Padovës. Atje duhet të gjinden edhe sot dorëshkrimet e çmuara, me shënimin Cod. 315 p.4a.
Nismëtar i projektit ishte atë Riceputi. Hamendësohet ta ketë marrë këtë detyrë nga vetë Papa Albani, që interesohej aq për historinë kishtare të trojeve të të parëve, sa pati nisur ta mblidhte vetë lëndën e nevojshsme për të dokumetuar zanafillën apostolike të Kishës në Iliri. Por, me sa duket, duke qenë tejet i zënë me punët e Selisë së Shën Pjetrit, ia dhuroi lëndën e mbledhur historianit jezuit, i cili e nisi punën në Padovë, qytet që i krijonte mundësi për thellimin e gërmimeve dokumentare aty e në qytetet për rreth: në Venedik, Milano, Firence, Romë, të gjithë të ngarkuar me biblioteka, me libra, me dokumente, që vijojnë të presin dorën e studiuesit të mësuar, për të zbuluar të fshehta të reja. Fillimisht, siç e tregon konceptimi i veprës, rregulltari jezuit mendoi të shkruante një histori kishtare të Ilirisë me katër pjesë: “Akte të Ilirisë së hershme”; “Historia e Koncileve dhe e Legatave apostolike pranë Kishës Ilirike”; “Jeta e Shenjtorëve të Kishës ilirike” dhe “Historia e monakizmit në Iliri”.
Më 1772, me atë Riceputin nisi të punojë atë Farlati. Së bashku hartuan më se 100 katalogë, me tetë indekse, që përfshinin 359 vëllime me dorëshkrime, 268 tituj të botuar, 627 zëra.
Më 1739 atë Riceputi e rikonceptoi veprën, duke e parashikuar botimin e saj në nëntëmbëdhjetë vëllime. Pas vdekjes së tij, atë Farlati, si e reduktoi planin e parë, nisi edhe botimin e veprës, që do ta vijonte atë Koleti. Vëllimi i parë pa dritën më 1751. Pasuan 8 vëllime të tjera, në të cilat trajtohet historia e ungjillëzimit të ilirëve, duke nisur nga kohët apostolike, për të vijuar me përhapjen e krishterimit, ndarjet administrative kishtare sipas kryeipeshkvnive dhe ipeshkvnive të pavaruara e sufragane, hierarkinë katolike, rendin e ipeshkvijve, abatëve, historinë e mungadeve dhe atë të urdhërave: bazilianëve, benediktinëve, domenikanëve, françeskanëve, jezuitëve, pa folur këtu për hollësira të tjera, që përfshihen në veprën monumentale, botuar latinisht në Venedik gjatë viteve 1751- 1819.
Vëllimi I përfshin historinë laike të Ilirisë e të Dalmacisë, nga zanafilla e ungjillëzimit:
Vëllimi II trajton historinë kishtare të Salonës (Spliti- kryeqytet i lashtë i Dalmacisë), të Ilirisë e të Dalmacisë, nga shek. IV, deri në fillim të shek. VII.
Vëllimi III, rindërton historinë kishtare të Dalmacisë e të Kroacisë
Vëllimi IV, i rikthehet historisë së ipeshkvnive sufragane të kryeipeshkvnisë së Splitit.
Vëllimi V paraprihet nga një hyrje e atë Koletit kushtuar atë Farlatit, vdekur pas përgatitjes së plotë për botim të vëllimit, që trajton historinë e Ipeshkvnisë metropolitane të Zarës e asaj sufragane të Zagrebit.
Vëllimi VI shqyrton historinë kishtare të Raguzës.
Interes të veçantë për shqiptarët paraqesin vëllimi VII dhe VIII.
Vëllimi VII, me 638 faqe, në dy shtylla, përshkruan historinë kishtare të bregdetit të Ilirisë jugore; Vëllimi VIII, atë të krahinave të Kosovës.
Vendet, që përshkruhen historikisht në Vëllimin VII, janë Dioklea e Tivari, me dioqezat e tyre sufragane si dhe Durrësi e Shkodra, gjithashtu me sufraganet e veta, krahina, që patën lidhje dhe ndikime të vazhdueshme njëra mbi tjetrën në rrjedhë shekujsh. Këtu gjindet edhe teksti i plotë i Kuvendit të Arbënit.
Vëllimi IX u botua nga don Frano Buliq, me shtesat e korrigjimet e atë Jakob Koletit për pesë vëllimet e para.
Në emisionin e ardhshëm, Illyricum Sacrum në Shqipëri.












All the contents on this site are copyrighted ©.