2014-08-08 13:40:03

Kishat Lindore: myslimanët të dënojnë dhunën kundër të krishterëve


Të krishterë e myslimanë e kanë për detyrë t’i bëjnë ballë së bashku ekstremizmit fetar, për t’u lënë brezave të ardhshëm një Lindje të Mesme të lirë nga kjo plagë, duke shndritur ndërgjegjet e inteligjencën e njerëzve”: kështu shkruhet në një komunikatë të Patriarkëve të Kishave Lindore Katolike e Ortodokse, në përfundim të takimit të tyre në Dimane të Libanit.
Duke iu referuar largimit me forcë të 100 mijë të krishterëve nga Pllaja e Ninives, në Irak, patriarkët vënë në dukje me trishtim pasojat e sulmeve të xhihadistëve të Kalifatit islamik, që “nuk kanë të dytë në histori”. U kërkohet arabëve dhe myslimanëve të mbajnë qëndrim mbi ngjarjet e fundit, duke i nxitur krerët e fesë islame të nxjerrin fatva, ndërsa politikanët të miratojnë ligje, që dënojnë diskriminimet fetare të pakicave.
Patriarkët vënë në dukje se deri tani, denoncimi i eksodit të të krishterëve nga ana “islamike, arabe dhe ndërkombëtare” ka qenë i paktë dhe i pamjaftueshëm. Kritikojnë sidomos shtetet evropiane, të cilat e rëndojnë gjendjen, pasi i nxisin të krishterët të largohen, “me pretekstin për t’i mbrojtur”. “Është qëndrim që dënojmë”, shkruajnë patriarkët e Lindjes së Mesme, të cilët, natyrisht, nuk kanë ndërmend të lejojnë fundin e pranisë së krishterë në rajon.
Ata i bëjnë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të miratojë një rezolutë, me anë të së cilës të urdhërojë, “me të gjitha mjetet e mundshme”, kthimin e shtëpive e të pasurive, që u janë marrë irakianëve. I kërkojnë gjithashtu, Gjykatës Penale Ndërkombëtare të merret me krimet kundër njerëzimit, që janë kryer në Mosul e në Gazë.








All the contents on this site are copyrighted ©.