2014-08-08 13:39:34

Françesku për Papën, Kishën e Botën: intervista (6)


Arrijmë sot tek pjesa e 6-të dhe e fundit e intervistës së Papës dhënë Henrique Cymerman, intervistues i gazetës “La Vanguardia”(08. 06.20154). Françesku vijon të na flasë për Papën, Kishën e Botën, sot duke nisur nga Këshilli i të tetëve, për të vijuar me përpjekjet për afrimin me Kishën ortodokse, lidhjen e shkencës me fenë, për krerët e shteteve, që takon çdo ditë (ndërmjet të cilëve, kreu i qeverisë shqiptare) e deri për paraardhësin e tij, Benediktin dhe përfytyrimin e pleqërisë së tij të shtyrë…
Duke ia përshtatur fjalët e thëna nga kardinali Pietro Parolin për shtegtimin e Papës në Kore, shtegtimit në Shqipëri, u kujtojmë gjithë shqiptarëve se Shqipëria është vendi i parë, që ka hirin, e edhe nderin, të presë Papën Françesku, vizita e të cilit vërteton me sa vëmendje e ndjek jetën e këtij trualli ballkanik, mbruajtur me gjak martirësh, e të këtij populli të vogël, tejet të vuajtur:


Pra, Ju krijuat të ashtuquajturin ‘Këshilli i të Tetëve’…

Janë tetë kardinaj nga të gjitha kontinentet dhe një koordinator. Mblidhen këtu çdo dy-tre muaj. Tani, më 1 korrik, kemi një takim katërditor e do të bëjmë ndryshimet që i kërkojnë vetë kardinajtë. Nuk është e detyrueshme të bëhen, por nuk do të ishte e urtë të mos e dëgjosh atë që dinë.

Keni bërë përpjekje të mëdha edhe për t’u afruar me Kishën ortodokse…

Im vëlla, Bartolomeu, erdhi në Jeruzalem për të përkujtuar takimin e Palit VI me Atenagorën, 50 vjet më parë. Takim, që bëhej pas më se njëmijë vjet ndarjeje. Duke nisur nga Koncili II i Vatikanit, Kisha katolike po bën përpjekje të afrohet me Kishën ortodokse. Me disa nga Kishat ortodokse ka më shumë afërsi se me të tjerat. Desha që Bartolomeu të vinte me mua në Jeruzalem e atje lindi edhe ideja, që të merrte pjesë në lutjen në Vatikan… Ishte hap i rrezikshëm për të. Mund edhe ta qortojnë. Por duhej bërë ky gjest përvuajtërie, ishte i nevojshëm për ne, sepse nuk mund as të konceptohet përçarja e të krishterëve, është mëkat historik, që duhet shpërblyer.

Përballë shtrirjes së ateizmit, ç’mendoni për njerëzit që besojnë se shkenca e feja e përjashtojnë njëra-tjetrën?

Pati një rritje të ateizmit në epokën më ekzistencialiste, atë sartriane. Por më pas lindi rishtas progresi drejt kërkimit shpirtëror. Drejt takimit me Hyjin, në njëmijë mënyra, e jo doemos me ato fetare tradicionale. Ndeshja e shkencës me fenë arriti kulmin në periudhën e iluminizmit, ndërsa sot nuk është edhe aq në modë, faleminderës Zotit, sepse të gjithë po e shikojnë afërsinë ndërmjet të dyjave. Papa Benedikti XVI ka një magjister të mirë lidhur me marrëdhëniet ndërmjet shkencës e fesë. Në vijë të përgjithshme, shkencëtarët e respektojnë shumë fenë e shkencëtari agnostik ose ateist, thotë: “Nuk guxoj të shkel në këtë fushë”.


Ju keni njohur shumë krerë shtetesh.

Kanë ardhur shumë e larmia e tyre është interesante. Secili, me personalitetin e vet. Më tërheq vëmendjen një fakt i tërthortë, që e vërej ndër politikanët e rinj, qofshin të qendrës, të së majtës apo të së djathtës. Ndoshta flasin për të njëjtat probleme, por me një muzikë të re, e kjo më pëlqen, më jep shpresë, sepse politika është një nga format më të fisme të dashurisë, të bamirësisë. Pse? Sepse çon kah e mira e përbashkët. Mendoj se njeriu që mundet, por nuk impenjohet në politikë për të mirën e përbashkët, është egoist. Ndërsa ai, që e përdor politikën për dobinë e vet, është i korruptuar. Rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë ipeshkvijtë francezë patën shkruar një Letër baritore, një reflektim, me titull “Réhabiliter la politique”. Tekst i bukur. Të bën të mendosh për gjithë këto gjëra.

Ç’mendoni për dorëheqjen e Benediktit XVI?

Papa Benedikti XVI bëri një gjest shumë të madh. Hapi një portë, krijoi një institucion, këtë të papëve të mundshëm të nderit. Deri shtatëdhjetë vjet më parë nuk kishte ipeshkvij nderi. Sa janë tani? E po mirë, pra, meqë po jetojmë më gjatë, arrijmë edhe në atë moshë, në të cilën nuk jemi më në gjendje të merremi aktivisht me punë. Unë do të bëj të njëjtën gjë. Do t’i lutem Zotit të më ndriçojë, kur të vijë çasti e të më thotë atë, që duhet të bëj. E jam i sigurt se do të ma thotë.

Ju a keni ndonjë dhomë të rezervuar në Buenos Aires?

Po, në një shtëpi pushimi për meshtarët e moshuar. Më duhej ta lija kryeipeshkvninë deri në fund të vitit të kaluar, nësa ia kisha paraqitur kërkesën për dorëheqje Benediktit XVI, sepse i kisha mbushur tashmë 75 vjetët. Zgjodha një dhomë e thashë me vete: “Dua të vi e të jetoj këtu. Do të punoj si prift, duke ndihmuar famullitë”. Kjo duhej të ishte e ardhmja ime, para se të bëhesha Papë.

...

Si do t’ju pëlqente të kujtoheshit në histori?

Nuk e kam menduar, por më pëlqen shprehja që përdoret, kur ndokush kujton dikënd: “Ishte njeri i mirë. Bëri gjithë ç’ishte e mundur. Jo keq, prandaj”. Kjo më mjafton.









All the contents on this site are copyrighted ©.