Atë Lombardi: Papa do të takohet më nuncët në Lindjen e Mesme
Për zgjedhjen e kardinalit Fernando Filoni si i dërguar i Papës në Irak e për nisma
të tjera të Selisë së Shenjtë në ndihmë të të krishterëve, të dëgjojmë reflektimin
e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:
Kardinali
Filoni është pa dyshim njeriu më i përshtatshëm, pasi ka qenë nunc në Irak e në Jordani
për gjashtë vjet: në vitet e fundit të regjimit të Sadam Hyseinit, gjatë gjithë luftës
e në vitet e para pas saj. Kujtojmë se gjatë luftës ai qëndroi në Bagdad, pavarësisht
nga bombardimet. Ishte i vetmi diplomat i huaj në atë situatë. Pra, është njeri i
guximshëm, e do popullin e Irakut e të rajonit dhe tregon përkushtim të madh, përveçse
e njeh mirë gjendjen dhe problemet. Ka ndonjë nismë të veçantë të Selisë së
Shenjtë për Lindjen e Mesme? Në emër të Papës, të gjithë nuncët e rajonit janë
ftuar ta shohin me kujdes thirrjen e djeshme të Atit të Shenjtë dhe t’ua shpjegojnë
autoriteteve politike e kishtare të vendeve të ndryshme, për të promovuar lutje e
solidaritet ndaj popullsisë së prekur nga kjo tragjedi. Gjithashtu, mund të shtoj
se po studiohet mundësia e një takimi në Romë, ndërmjet nuncëve të rajonit dhe Atit
të Shenjtë për të studiuar gjendjen e për të shkëmbyer ide mbi nismat e mundshme.
Takimi ka gjasa të bëhet në shtator. Në nivelin mediatik, a ka ndonjë ndërhyrje
të Selisë së Shenjtë? Po përpiqemi të krijojmë një atmosferë lutjeje, përshpirtërie
e solidariteti. Një nga mjetet është intensifikimi i tweet-eve të Papës mbi këtë temë.