Çelësi i fjalëve të Kishës – atësia dhe amësia e përgjegjshme (IX)
Në rubrikën e përjavshme “Çelësi i fjalëve të Kishës”, vijojmë leximin e Letrës së
Shën Gjon Palit II drejtuar familjeve. Pasi kemi folur, gjatë javëve të shkuara, për
dhuratën e fëmijëve, me anë të së cilës shfaqet natyra e dhuratës që karakterizon
marrëdhëniet bashkëshortore, sot lexojmë kalimet ku flitet për përgjegjësinë e prindërve
(n. 12). Shkruan Shën Gjon Pali II:
“Ka ardhur
çasti të përmendim dy çështje që kanë lidhje me njëra-tjetrën. Njëra, më e përgjithshme,
ka të bëjë me qytetërimin e dashurisë; tjetra, më e veçantë,ka të bëjë me atësinë
dhe amësinë e përgjegjshme. E kemi thënë se martesa përfshin thirrjen për një
përgjegjësi të veçantë ndaj të mirës së përbashkët të bashkëshortëve, më parë, e pastaj
të familjes. Kjo e mirë e përbashkët është vetë njeriu, vlera e njeriut dhe gjithçka
që përfaqëson përmasat e dinjitetit të tij. Njeriu e mbart me vete këtë përmasë në
të gjitha sistemet shoqërore, ekonomike e politike. Në rrafshin e martesës dhe të
familjes, megjithatë, kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe, për shumë arsye. Kushtetuta
baritore "Gaudium et spes" nuk flet më kot për “vlerësimin e dinjitetit të martesës
dhe të familjes”. Tek ky “vlerësim” Koncili shikon detyrat e Kishës dhe të shtetit,
megjithatë, në të gjitha kulturat detyrimi bie mbi njerëzit që, të bashkuar në martesë,
formojnë një familje të caktuar. “Atësia dhe amësia e përgjegjshme” shprehin angazhimin
konkret për ta zbatuar këtë detyrim, që në botën bashkëkohore ka karakteristika të
reja. Atësia dhe amësia e përgjegjshme prekin drejtpërdrejt çastin në të cilin
burri e gruaja, duke u bashkuar e duke u bërë “një mish i vetëm”, mund të bëhen prindër.
Është çast me vlerë të veçantë si për marrëdhënien e tyre personale, ashtu edhe për
shërbimin e tyre ndaj jetës: mund të bëhen prindër – atë e nënë – duke i dhënë jetën
një qenieje të re njerëzore. Dy përmasat e bashkimit martesor, përmasa e bashkimit
dhe e riprodhimit, nuk mund të ndahen në mënyrë artificiale, pa e dëmtuar të vërtetën
e thellë të vetë aktit martesor. Ky, që është mësimi i përhershëm i Kishës dhe
“shenjat e kohës”, dëshmitarë të të cilave jemi sot, na japin arsye të reja për ta
përsëritur me forcë të veçantë. Shën Pali, aq i vëmendshëm ndaj kërkesave baritore
të kohës së vet, kërkonte haptas dhe me ngulm “të ngulej këmbë në çdo rast, të volitshëm
e të pavolitshëm” (khs 2 Tm 4,2), pa asnjë frikë për faktin se “nuk durohet më doktrina
e shëndoshë” (khs 2 Tm 4,3). Fjalët e tij i njohin mirë ata që, edhe pse i kuptojnë
me themel ngjarjet e kohës sonë, presin që Kisha jo vetëm të mos e braktisë “doktrinën
e shëndoshë”, por ta shpallë me më shumë forcë, duke kërkuar brenda “shenjave të kohës”
sonë arsyet për ta thelluar edhe më shumë. Shumë prej këtyre arsyeve i gjejmë tek
shkencat që kanë dalë nga trungu i lashtë i antropologjisë dhe janë zhvilluar në degë
të ndryshme, si biologjia, psikologjia, sociologjia dhe degëzimet e tyre të mëtejshme.
Të gjithë sillen, në një farë mënyre, rreth mjekësisë, e cila është vetë dija dhe
arti (ars medica) në shërbim të jetës dhe të shëndetit të njeriut. Por arsyet që përmendim
këtu burojnë kryesisht nga përvoja njerëzore, që është e shumëllojshme dhe që, në
një farë kuptimi, i paraprin shkencës dhe e pason. Prindërit mësojnë me përvojën
e tyre çfarë do të thotë atësia dhe amësia e përgjegjshme. E mësojnë edhe përmes përvojës
së çifteve të tjera, që jetojnë në kushte të ngjashme dhe janë bërë kështu më të hapur
ndaj të dhënave të shkencës. Mund të thuhet se “studiuesit” gati mësojnë nga “bashkëshortët”,
në mënyrë që, pastaj, të jenë në gjendje t’u mësojnë në mënyrë më kompetente domethënien
e riprodhimit të përgjithshëm dhe metodat e zbatimit të tij.