2014-08-07 11:53:39

Mijëra të krishterë ikin nga sytë këmbët në Irak. Patriarku Sako: katastrofë humanitare


Pavarësisht nga përpjekjet, aleanca e luftëtarëve kurdë të Irakut, Sirisë dhe Turqisë nuk ia del dot të mbrojë popullsinë civile, pakicat dhe mijëra të krishterët nga furia e xhihadistëve të Shtetit islamik në veri të Irakut. Rreth 150 mijë të krishterë po ikin drejt Kurdistanit, pa asnjë mbrojtje. Alarmin e dha sot në mëngjes Patriarku i Babilonisë së Kaldejve, Louis Raphael I Sako. “Katastrofë humanitare” e quan ai këtë eksod të ri, të nesërmen e Ditës së Lutjes për Paqen në vend, e cila, fatkeqësisht, u shoqërua me 50 atentate, që shkaktuan 30 të vdekur e 70 të plagosur.RealAudioMP3
Qindra gra e vajza të pakicës fetare yazide janë marrë peng nga xhihadistët, të cilët, sipas burimeve qeveritare, kanë masakruar edhe 500 burra të së njëjtës bashkësi. Kujtojmë se yazidizmi është fe 4000 vjeçare, e cila me kohë, ka marrë elemente edhe të krishterimit e të myslimanizmit. Ndjekësit e saj janë kurdë, që jetojnë kryesisht në zonat rreth Mosulit, gjithsej 500 mijë vetë. Myslimanët e tjerë i konsiderojnë apostatë dhe i quajnë adhurues të djallit.
Vazhdon pra avancimi i milicëve ekstremistë, që pas Mosulit, të dielën, pushtuan edhe qytetin e Sinjarit, duke sulmuar sistematikisht popullsinë, ose për arsye etnike, ose për arsye fetare. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e quan këtë “krim kundër njerëzimit”, por nuk mjafton, denoncon Patriarku i Kaldejve, imzot Sako, në mikrofonin tonë:

Sot kemi boshllëk në boshllëk. Qeveria nuk ka forcë për të kontrolluar vendin. Tani kemi edhe zgjedhjet parlamentare e nuk ka forcë për të sulmuar, nuk ekziston një ushtri e vërtetë, në ndryshim nga Siria, ku forcat e armatosura janë aktive. Këtu, kurdët po tërhiqen, kanë vetëm armë të lehta. Sot, mijëra njerëz kanë marrë rugën për të ikur, që prej 3-4 orësh. Janë gra, të moshuar, fëmijë: duhet mobilizuar opinioni publik dhe shoqëritë e të gjitha vendeve. Kjo është katastrofë humanitare!








All the contents on this site are copyrighted ©.