2014-08-07 13:27:50

Deklaratë e atë Lombardit, në emër të Atit të Shenjtë, për gjendjen e të krishterëve në Irak


“Ati i Shenjtë ndjek me shqetësim të thellë lajmet dramatike, që vijnë nga veriu i Irakut për popullsinë e pafajshme. Preken veçanërisht bashkësitë e krishtera: është popull në ikje nga fshatrat e veta, për shkak të dhunës, që këto ditë po përshkon e pështjellon rajonin”. Kështu fillon deklarata e sotme e drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, i cili, në emër të Papës, bën thirrje të mbrohen të krishterët e Irakut.
“Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, më 20 korrik, - kujton atë Lombardi - Papa Françesku pati thirrur me dhimbje: ‘Vëllezërit tanë persekutohen, largohen me forcë, duhet t’i lenë shtëpitë pa pasur mundësi të marrin asgjë me vete. Këtyre familjeve dhe këtyre njerëzve dua t’ju shpreh afërsinë time e t’ju kushtoj lutjen time të vazhdueshme. Të dashur vëllezër e motra tejet të persekutuar, unë e di sa vuani, unë e di se keni humbur gjithçka. Jam me ju, duke besuar në Atë, që ka fituar mbi të keqen!’”.
Në dritën e ngjarjeve të fundit, tepër shqetësuese, Ati i Shenjtë ripërtërinafërsinë e tij shpirtërore me ata, që po kalojnë këtë sprovë tejet të dhimbshme, e bashkohet me thirrjet e zjarrta të ipeshkvijve të vendit, duke kërkuar, së bashku me ta e për bashkësitë e tyre të trazuara, të lartohet pa pushim nga e gjithë Kisha një lutje korale për t’iu përgjëruar Shpirtit Shenjt për dhuratën e paqes.
Shenjtëria e Tij i drejton gjithashtu thirrjen e tij të fuqishme bashkësisë ndërkombëtare, që, duke u aktivizuar për t’i dhënë fund dramës humanitare në vijim, të marrë masa për të mbrojtur të gjithë ata, që preken ose kërcënohen nga dhuna, si edhe për të siguruar ndihmat e nevojshme, sidomos ato më urgjentet, kaq shumë të shpërngulurve, fati i të cilëve varet nga solidariteti i të tjerëve.
Papa i bën thirrje ndërgjegjes së të gjithëve e çdo besimtari i përsërit: ‘Zoti i paqes zgjoftë në të gjithë dëshirën e vërtetë për dialog e pajtim. Dhuna nuk mundet me dhunë. Dhuna mundet me paqe! Të lutemi në heshtje, duke kërkuar paqen; të gjithë, në heshtje… Shën Mari, Mbretëreshë e paqes, lutu për ne!’” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 20 korrik 2014)








All the contents on this site are copyrighted ©.