2014-08-06 15:16:10

Papa: familja, qendër dashurie, ku askush nuk mënjanohet


Familja është qendër dashurie, ku askush nuk mënjanohet: kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin, që i dërgon Kongresit të parë amerikanolatin mbi Baritorinë e Familjes. I filluar në Panama më 4 gusht,takimi i madh do të përfundojë më 9 të këtij muaji. Organizuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Amerikës Latine, ky kuvendim ka si temë: “Familja dhe zhvillimi shoqëror për jetën e begatë dhe bashkimin misionar”.
“Çfarë është familja?” pyet Papa në mesazh. E përgjigjja e tij është e qartë: familja është “qendër dashurie”, në të cilën mbretërojnë “ligji i respektit dhe i bashkimit”, i aftë t’u rezistojë manipulimeve të kësaj bote. Familja, nënvizon Ati i Shenjtë, na ndihmon ta kapërcejmë kundërvënien e rreme ndërmjet individit e shoqërisë. Askush nuk mënjanohet brenda saj, as të moshuarit e as fëmijët. E ajo është vendi ideal për lindjen e kulturës së takimit e të dialogut. Aty mësojmë t’i afrohemi Zotit e të tregohemi solidarë me të tjerët.
Papa vë në dukje dy karakteristika të veçanta të familjes: qëndrueshmërinë dhe fekonditetin. Aspekti i parë, që rrjedh nga “dashuria besnike deri në vdekje”, formon indin bazë të shoqërisë njerëzore. Ndërsa, fekonditeti, vijon Ati i Shenjtë, nuk do të thotë vetëm lindja e një jete të re, por e një bote të re, që vjen së bashku me brezin e ri. Pavarësisht nga dëshpërimi, që mund të na kaplojë nganjëherë, pasi gjërat nuk shkojnë gjithnjë mirë, në familje është e mundur bashkëjetesa e bazuar mbi respektin e besimin, sepse ajo nuk e konsideron njeriun vetëm me përmasën utilitariste, por udhëheq e shoqëron dëshirat e tij më të thella.
Familja, thekson më tej Ati i Shenjtë, është objekt dhe subjekt i ungjillëzimit. Pikërisht, në përvojën familjare njeriu kupton ç’do të thotë Zoti-Atë dhe e thith fenë së bashku me qumështin e nënës. Papa Françesku kujton sërish tri fjalët e tij të dashura për familjen: “më fal, faleminderit e të lutem” e ai vetë i lutet Virgjërës së Guadalupes ta bëjë çdo familje burim “jete, harmonie e feje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.