2014-08-06 14:12:29

Kardinali Parolin: Kisha katolike në Kinë është e gjallë


“Kisha katolike në Republikën popullore kineze është e gjallë e aktive. Ajo përpiqet t’i qëndrojë besnike Ungjillit, edhe pse ecën përmes kushtëzimesh e vëshirësish”. Këtë deklaron sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë dhënë revistës “Familja e Krishterë” .
“Selia e Shenjtë, shton hirësia e tij, është në favor të dialogut respektues e konstruktiv me autoritetet civile, për të gjetur rrugëzgjidhjen e problemeve, që i kufizojnë katolikët në ushtrimin e plotë të fesë si dhe për të garantuar klimën e lirisë së vërtetë fetare”
Duke folur, pastaj, për Korenë, në prag të shtegtimit të Atit të Shenjtë, kardinali Parolin nënvizon: “Nga një hulumtim i kohëve të fundit, del se Kisha katolike në këtë vend, me besimtarët e saj të shumtë, është bashkësia fetare, që ndikon më shumë nga të gjitha të tjerat, mbi jetën e shoqërisë vendase”. Papa Françesku, kujton më pas prelati i lartë, do të shkojë në Kore edhe për të çuar atje mesazhin e paqes, të pajtimit e të bashkimit, e jo më pak, për t’i dhënë nxitje të re dialogut e për të kontribuar në sheshimin e konflikteve, që i hapin akoma plagë gadishullit e popullit korean.
“Jam i bindur, shton sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, se mesazhi i Papës do të gjejë zemra e mendje të hapura për ta pranuar”.
Koreja e Jugut është vendi i parë aziatik, që ka hirin, e edhe nderin, të presë Françeskun, vizita e të cilit vërteton me sa vëmendje e ndjek Papa jetën e këtyre trojeve.










All the contents on this site are copyrighted ©.