2014-08-06 15:15:26

Françesku: Lumturitë janë “portreti i Jezusit, udha e lumturisë së vërtetë”


Lumturitë janë pasqyrë e jetës së krishterë. Në audiencën e parë të përgjithshme, pas ndërprerjes së shkurtër të korrikut, Papa Françesku rifilloi katekizmin për Kishën, duke ia kushtuar reflektimin e sotëm, temës së Predikimit të Jezusit mbi mal. Në përfundim, thirrja e re e Papës për paqe në Lindjen e Mesme.

Me Papën Françesku, në shkollën e Lumturive: ata, që nuk i dinë përmendësh, si Urdhërimet, sepse, thonë, nuk e kanë fituar këtë shprehi, e edhe ata, që pyesin ndërgjegjen ç’do të thotë të jesh e të jetosh si i krishterë. Ndërmjet 6 mijë vetëve, mbledhur sot nën strehën e Sallës së Palit VI, për t’u mbrojtur nga vapa e nga dielli përvëlues mbi Sheshin e Shën Pjetrit, në audiencën e parë të përgjithshme të gushtit, Papa foli përsëri me gjuhën e katekistit, duke u ndaluar, sot, tek risia që solli Jezusi, në krahasim me Besëlidhjen e Vjetër. Para se të ishte fjalë, shpjegoi Papa Françesku, kjo risi ishte Njeri. Gjon Pagëzuesi duket në agun e përvojës së krishterë, si figurë që lidh Besëlidhjen e Vjetër me Besëlidhjen e Re. E duket me një detyrë paraprake të mirëpërcaktuar:
“Me dëshminë e tij, Gjoni na e tregon Jezusin, na fton ta ndjekim e na thotë qartë se kjo ndjekje kërkon përvujtëri, pendesë, kthim në rrugën e Zotit: është ftesë për pëvujtëri, pendim, kthim”.
Pastaj, në qendër të skenës del Krishti, e Papa Françesku, përmes një paralelizmi me Moisiun, shpjegon pikërisht ndryshimin që sjell me vete. Patriarku u ngjit mbi mal, që të marrë nga Zoti ligjin për popullin e zgjedhur. Jezusi bën të njëjtën ngjitje, për ligjin e dashurisë. Ngjitet në kodrinën, që lartohet mbi brigjet e liqenit të Galilesë e përballë turmës, gjithë sy e veshë, i jep një kumt të jashtëzakonshëm: kumtin e Lumturive:
“Lumturitë janë udha, që tregon vetë Zoti, si përgjigje e dëshirës për lumturi të rrënjosur thellë në zemrën e njeriut, e njëkohësisht, edhe përsosje e Urdhërimeve të Besëlidhjes së Vjetër (…). Në këto fjalë përmblidhet gjithë risia, që solli Krishti, e gjithë e risia e Krishtit gjindet pikërisht në këto fjalë. Në të vërtetë Lumturitë janë portreti i Jezusit, forma e tij e jetës; e janë udha e lumturisë së vërtetë, që edhe ne mund ta përshkojmë, me hirin që na jep Zoti”.
Salla, për disa çaste, ushtoi nga Lumturitë, që besimtarët i përsëriten, duke ndjekur pas Atin e Shenjtë e duke krijuar, kështu, një ikonë të re të Françeskut, papë e mësues, asnjëherë teorik, i jetës së krishterë. Papë, që nuk heq dorë, gjë e njohur tashmë nga të gjithë, nga zakoni për t’u dhënë edhe detyra shtëpie, atyre që ulen në bankat e shkollës së tij. Detyra e sotme e shtëpisë për besimtarët ishte ta marrin në dorë Ungjillin, ta shfletojnë e t’i lexojnë Lumnitë në Kapitullin e 5-të të Mateut e, pastaj, në të 25-tin ku, përfundoi Papa, do të gjejnë edhe protokollin, mbi bazën e të cilit do të gjykohemi në fund të botës:
“Nuk do të kemi tituj, kredi a privilegje për të paraqitur. Zoti do të na njohë, nëse e kemi njohur në të varfrin, të uriturin, skamnorin, të padëshiruarin, të sëmurin e të vetmuarin. E ky është një nga kriteret themelore të verifikimit të jetës sonë të krishterë, me të cilin Jezusi na fton të matemi ditë për ditë. Lexoj Lumturitë e mendoj si duhet të jetë jeta ime e krishterë, e pastaj rrëmoj ndërgjegjen me Kapitullin e 25-të të Mateut. Çdo ditë: kam bërë këtë e këtë e këtë…. Na bën mirë! Janë gjëra të thjeshta, por konkrete”.
Në përfundim të audiencës, duke përshëndetur posaçërisht grupet e gjuhës arabe, Papa Françesku u drejtoi përsëri besimtarëve ftesën të luten për zonën e Tokës së Shenjtë:
“Të lutemi shumë për paqen në Lindjen e Mesme; shumë, ju lutem!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.