2014-08-05 12:01:01

Libi. Imzot Martinelli: do të rri këtu, derisa të mbetet edhe një i krishterë i vetëm


Bashkësia e krishterë në Libi është pakësuar në kulm, po unë do të rri këtu, derisa të mbetet qoftë edhe një i krishterë i vetëm, pohon, për Agjencinë Fides, imzot Giovanni Innocenzo Martinelli, mëkëmbës apostolik i Tripolit. Libia po jeton çastet më të vështira pas shembjes së regjimit të Gedafit. Në Tripoli, ndeshjet e përgjakshme ndërmjet milicëve të ndryshëm për kontrollin e aeroportit, dëmtuan rëndë infrastrukturat, duke shkaktuar ndotjen e ambientit, pasojë e djegies së një depoje karburanti. Situata në Cirenajkë duket edhe më e turbullt, për shkak të ndeshjeve të vazhdueshme të milicive për kontrollin e territorit.
Imzot Martinelli e përmbledh kështu, gjendjen në të cilën jeton bashkësia e krishterë në Libi: “Në Cirenajkë nuk ka mbetur më asnjë murgeshë, ndërsa po largohet pjesa më e madhe filipinasve, që janë zemra e bashkësisë së krishterë në Libi. Në Tripoli ka ende filipinas, por të gjithë po përgatiten për t’u nisur. Kisha jeton në lidhje me këtë prani laikësh, që punojnë në sektorin shëndetësor e, duke parë situatën, mund të themi se po kalon me të vërtetë një çast prove të fortë. Nuk e di si do të përfundojmë, por kam besim se jo të gjithë do të largohen. Besoj se do të ketë edhe nga ata, që do të mbeten këtu, në shërbim të Kishës”- pohon imzot Martinelli.
Problemi është çfarë fytyre do të ketë vendi, vijon mëkëmbësi apostolik. Tani për tani luftimet duket se kanë pushuar, por situata është krejt e paqëndrueshme. Aeroporti është i mbyllur e njerëzit, që nisen, shtegtojnë me anije. Edhe udhëtimi me tokë drejt kufirit tunizian, është bërë i pamundur. Po unë kam ende besim në ardhmërinë e Libisë. Sidoqoftë, jemi në dorë të Zotit, nënvizon imzot Martinelli, duke pohuar, në vijim, se nuk dëshiron të largohet nga vendi, derisa këtu të shkelë këmba e të krishterit të fundit. Sepse e ndjen për detyrë ta asistojë, edhe të fundmin. Shërbimi fetar është reduktuar në kulm, por unë nuk mund t’i braktis ata pak të krishterë që kanë mbetur akoma, përfundon imzot Martinelli, i cili u drejton të gjithë besimtarëve të krishterë thirrjen të luten, sepse vetëm lutja mund t’i zgjidhë problemet e vështira, si ky i Libisë, sot.











All the contents on this site are copyrighted ©.