2014-08-05 14:52:39

5 gusht, “Mrekullia e borës” në Bazilikën e Zojës së Madhe


“Borë” lulesh për të kujtuar mrekullinë, që i dha shkas ndërtimit të shenjtërores më të lashtë mariane të Perëndimit. Kjo ndodh sot në Bazilikën e Zojës së Madhe, ku paradite, kardinali Santos Abril y Castello kremtoi meshën përkujtimore të kushtimit të kishës. Pasdite, kremtimi solemn i Mbrëmësores.
Një dukuri meteorologjike jashtë stinës, siç janë edhe shirat e vazhdueshme të këtij viti, më pak të jashtëzakonshëm se ajo që njihet si “mrekullia e borës”, mbledh çdo 5 gusht në Romë, besimtarë, turistë e kuriozë për të rijetuar simbolikisht skenën, e cila, sipas traditës, mahniti Papën Liberi në vitin 358. Një natë më parë, ai dhe një patric romak, që quhej Gjon (Giovanni), kishin parë njëkohësisht në ëndërr Zojën, e cila u kërkonte të dyve të ndërtonin një kishë aty ku të nesërmen do të gjenin dëborë të freskët, të saporënë. E dëbora kishte rënë, në mes të gushtit e të një vere të nxehtë, pikërisht aty, ku pas disa dhjetra vjetësh përfundoi ndërtimi i bazilikës më të lashtë të krishterimit, ajo e shën Marisë së Madhe. Është siç e shohim sot që nga viti 431, pas punimeve të kryera nga Papa Siksti III. Kujtojmë se kjo është bazilika ku “vrapoi” të lutej Papa Françesku sapo u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit. E sa herë mundet, shkon të gjunjëzohet para fugures së Zojës – Salus Populi Romani.
E sot, duke simuluar mrekullinë e dikurshme, Bazilika mbulohet me petale lulesh, që nga qielli, bien mbi njerëzit e mbledhur për meshë e për lutjet mbrëmësore. Pas liturgjive solemne, “mrekullia” zhvendoset jashtë, në fasadën e Zojës së Madhe, me spektaklin e dritave shumëngjyrëshe, ideuar nga arkitekti Cesare Esposito e me aparatin, që bën të bjerë borë, duke e zbardhur sheshin, ashtu si gushtin e 1650 vjetëve më parë.








All the contents on this site are copyrighted ©.