Mëse 50 mijë xhakoj gjermanë do të takohen me Papën
Nesër pasdite, në orën 18.00, mëse 50 mijë xhakoj gjermanë do të takohen në sheshin
e Shën Pjetrit me Papën Françesku, me rastin e shtegtimit të tyre kombëtar në Romë,
me moton “Të lirë! Prandaj mund të bëjmë mirë”. Mbi domethënien e këtij shtegtimi,
intervistuam ipeshkvin ndihmës të Friburgut, imzot Michael Gerber: Për ne,
ky shtegtim është shumë i rëndësishëm. Për shembull, nga dioqeza ime, që është ajo
e Friburgut, do të vijnë në Romë 10 mijë ministrantë, me një moshë nga 14 deri në
22 vjeç. Për shumë prej tyre, ky do të jetë edhe rasti për t’u thelluar në fe, për
të kuptuar më mirë përkatësinë e tyre në Kishë e shërbimin, që kryejnë për të. Ata,
do të mund të shohin se janë vërtet shumë ata, që bëjnë pjesë në diçka më të madhe:
në Kishën universale. Kjo do të sjellë ndryshime në zemrën e tyre e ndoshta, në të
ardhmen, do të vazhdojnë t’i shërbejnë Kishës si të rritur. Motoja e shtegtimit
“Të lirë! Prandaj mund të bëjmë mirë” i referohet Ungjillit sipas Mateut, aty ku Jezusi
lejon të bëhet mirë ditën e shtunë. Pse u zgjodh kjo pjesë? Do të thotë se
Zoti na ka dhuruar lirinë, lirinë e Tij e atë të Krishtit. Ajo na bën neve të lirë
që të bëjmë mirë ashtu si Krishti. Çasti qendror i këtij shtegtimi do të jetë
takimi me Papën Françesku, nesër pasdite. Çfarë prisni nga ky takim? Për ministrantët,
është gëzim i madh të takohen me Papën Françesku, sepse së paku 90% e tyre vijnë për
herë të parë në sheshin e Shën Pjetrit, shohin për herë të parë Atin e Shenjtë dhe
i dëgjojnë për herë të parë, drejtpërdrejt, fjalët e tij. Mendoj se Papa Françesku
do t’i inkurajojë xhakojt në shërbimin e tyre për Krishtin, për Kishën, për të vuajturit,
për të rinjtë e fëmijët. Cilat janë karakteristikat, që duhet të kenë ministrantët
sot? Të jenë plot gëzim për shërbimin që kryejnë për Krishtin e Kishën e Tij,
si edhe ta ndjejnë thellë personalisht atë që ndodh në meshë, shprehje e fesë së gjallë.
Gjithashtu, duhet të kenë ndjenjën e përgjegjësisë, që vjen me moshën, sepse në Gjermani,
xhakojt shërbejnë për më shumë se dhjetë vjet. Kjo do të thotë se baritoria për të
rinjtë ka pikërisht ata në qendër, punon me ta. Në Friburg, për shembull, kemi 45
mijë xhakoj: janë shumica e të rinjve të Kishës. Sa rëndësi ka përkrahja e
familjes për fëmijën, që vendos të bëhet ministrant? Ka shumë rëndësi! Pjesa
më e madhe e familjeve është e lumtur që të bijve u jepet mundësia të marrin pjesë
në jetën e famullisë, t’i afrohen fesë. E anasjelltas: ministrantët janë të kënaqur,
që përkrahen nga familjet. Shpresoj që takimi i Romës të ndryshojë diçka brenda të
rinjve që vijnë, të jetë “ngjarje e madhe” për zemrën e tyre. Kur njeriu thellohet
në fe, duke u nisur nga ai çast, i ofron Kishës dhe shoqërisë një shërbim më të mirë.