2014-08-04 14:51:14

Mesazhi i Papës për skautët evropianë


Lutuni për paqen në Evropë e mos kini frikë t’i ruani vlerat e krishtera. Kjo është ftesa që u drejton Papa skautëve evropianë në mesazhin me rastin e mbledhjes së tyre të katërt ndërkombëtare në Normandi (Francë). Mbledhja, në të cilën marrin pjesë 12 mijë të rinj e të reja nga 20 vende, mbyllet më 10 gusht dhe mbahet në Normandi me rastin e 70 vjetorit të zbarkimit të forcave aleate. Tani “jeni ju aktorët e kësaj bote” – u shkruan Papa të rinjve.
“Për të njohur Jezusin duhet të vihemi në udhë dhe, duke ecur rrugës, zbulojmë se Hyji takohet në mënyra të ndryshme: nëpërmjet bukurisë së botës së krijuar prej tij, kur ndërhyn me dashuri në historinë tonë, në marrëdhëniet vëllazërore dhe në shërbimin ndaj të afërmit”. Me mesazhin e tij, Papa Françesku u beson skautëve evropianë një mision të rëndësishëm, duke ndjekur tri etapat për të cilat u kishte folur të rinjve në Rio de Janeiro: shkoni, pa frikë, për të shërbyer.
Papa i fton të gjithë të vijojnë, “ta shpallin dashurinë e tij deri në skajet e tokës, t’i shërbejnë të afërmit në periferitë më të largëta”, të fortë falë takimit sakramentor me Hyjin dhe të mbështetur në dashurinë e tij, që heq çdo frikë. Shumë brezni, thotë Ati i Shenjtë, “janë rritur në udhën e shenjtërisë, kanë ushtruar virtytin dhe janë bërë shpirtmëdhenj” duke ndjekur pedagogjinë e skautëve. Për këtë arsye, me rastin e njëqindvjetorit të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Françesku i fton të rinjtë të luten për një Evropë të bashkuar dhe në paqe duke u kujtuar se ata janë “aktorët e vërtetë të kësaj bote dhe jo vetëm spektatorë”. Pastaj i inkurajon të mos kenë frikë të përballen me sfidat për ruajtjen e vlerave të krishtera, veçanërisht në mbrojtje të jetës, të zhvillimit dhe dinjitetit të njeriut, të luftës kundër varfërisë dhe me shumë sfida të tjera, që duhen përballuar çdo ditë. Në çdo çast, kur ecja juaj do të jetë më e vështirë, përfundon Françesku, do t’ju ndihmojë dashuria dhe mbështetja e Kishës, që është nënë dhe të cilën ju jeni të thirrur ta doni dhe t’i shërbeni, me gëzimin dhe bujarinë karakteristike të rinisë.
“Mesazhi i Atit të Shenjtë – pohoi kryetarja e Bashkimit ndërkombëtar të Udhëheqësve dhe Skautëve të Evropës, Nicoletta Orzes – na shtyn dhe na jep zemër të vijojmë, me mjetet e skautizmit, edukimin tërësor të njeriut, sipas humanizmit të krishterë dhe sipas dinjitetit të çdo burri e gruaje për jetën e të cilëve Hyji e ka një shestim”
Asistenti federal i Bashkimit të Skautëve, Atë Boguslaw Migut, vërejti nga ana e vet se Papa i ftron skautët dhe udhëheqësit e Evropës të marrin përsipër detyrën “të shpallin Ungjillin e Krishtit”, veçanërisht me anë të dëshmisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.