2014-08-04 17:24:06

Kinë. Një ipeshkëv denoncon fushatën e rrënimit të kishave


Imzot Vinçenc Zhou Weifang, ipeshkëv i Wenzhousë, në Kinë, ka denoncuar qeverinë e Zhejiangut për shkatërrimin e disa kishave dhe rrënimin e kryqeve në kishat protestante e katolike të provincës. Prelati – thotë agjencia AsiaNews – ka shpërndarë një letër baritore më 30 korrik, në të cilën u thotë besimtarëve “të mos kenë frikë, por të kenë fe”. Më 31 korrik edhe meshtarët e tij u kanë kërkuar autoriteteve ta ndalin fushatën që vijon prej disa muajsh. Disa besimtarë katolikë e protestantë janë lënduar gjatë përpjekjeve për të ndalur policinë, që po rrënonte kishat dhe kryqet.
Ipeshkvi 87 vjeçar, Imzot Zhou, në letrën e tij rrëfen se ka ngelur i befsuar nga fushata e rrënimit dhe shpjegon se në fillim nuk mori asnjë masë, sepse mendonte se do të përfundonte shpejt. Ai u kërkon falje besimtarëve për vonesën me të cilën ka reaguar.
Politika e shkatërrimeve – thekson ipeshkvi – është “e gabuar dhe e padrejtë”, sepse janë rrënuar edhe “ndërtesat brenda normave”. Ipeshkvi vëren se fushata “ka vënë në shënjestër kryqet mbi çatitë e kishave”, si “shenjë e fesë së krishterë”. Kjo e shton tensionin ndërmjet Kishës dhe qeverisë, shkakton dhunë, shkatërron harmoninë ndërmjet fesë dhe shtetit, kërcënon paqen shoqërore. Ipeshkvi njofton se kjo fushatë është gjithnjë e më e ashpër.
Imzot Zhou i fton besimtarët të luten për fatet e dioqezës, duke kushtuar një Rruzare në ditë dhe Udhën e Kryqit çdo të premte. “Të lutemi – bën thirrje ipeshkvi i moshuar – që ata të cilët na përndjekin të mund të pendohen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.