2014-08-03 14:12:28

Ndjesa e Asizit. Në Porciunkola, lutja për Lindjen e Mesme


Që dje mijëra njerëz, ardhur nga të katër anët e botës, u mblodhën në kishëzën e Porciunkolës, nën strehën madhështore të Bazilikës të Shën Marisë së Engjëjve, për kremtimin solemn të “Ndjesës së Azisit”, që jepet më 2 gusht të çdo viti, qysh nga viti 1216, kur Papa miratoi kërkesën e Shën Françeskut. Ndjeti i lutjes së sivjetme është për paqen në Lindjen e Mesme. Ndjet i Papës, që zgjodhi pikërisht emrin e Shenjtit të Umbries.

Dritarja e porta. Të dyja të hapura në dy kapakët, për të kaluar nëpër to, drejt botës së madhe, mesazhi: paqe për Lindjen e Mesme. Dritarja e Papës Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, e porta me hark e Porciukolës, që të çon drejt e në zemrën e françeskanizmit, u lidhën sot me fillin e kuq të ndjetit të përbashkët, lutjes për t’i dhënë fund valës së dhunës, që po e mbyt në gjak tokën e Jezusit. Thirrjet për dialog të mirëfilltë, pa mëri, lartuar nga Papa Françesku çdo të diel në mesditë, përhapur në mbarë botën, janë zëri i vetëm, i cili jep forcën e shpresën e varrosur nga zhgënjimi i një mori premtimesh për armëpushim, që nuk kanë as edhe një orë jetë.
Flet për paqe, ndjesa e Françeskut të Azisit. Niset nga paqja, nga pajtimi i shpirtrave me Hyjin, ndjesa, që lindi ndërmjet gurëve të ndrequr me dorë të Porciunkolës, 800 vjet më parë. Jemi në vitin 1216 e Françesku, që në këtë kishëz kuptoi ç’donte Zoti prej tij e ku krijoi bërthamën e parë të sivëllezëve, përhumbej në lutje. Papritmas një dritë e fortë e përmbyti mjedisin e ai pa Jezusin e Marinë përmbi elter. E i dëgjoi kur e pyetën ç’dëshironte për shpëtimin e shpirtrave. Ndjesën e plotë e të përgjithshme, u gjegj menjëherë Varfanjaku. Faljen e plotë të mëkateve për çdo njeri që, i penduar e i rrëfyer, vjen të vizitojë kishëzën.
Krishti pranoi, me kusht që Françesku të kërkonte edhe miratimin e Papës. Varfanjaku u nis menjëherë për Peruxha, ku ato ditë ndodhej Papa i sapo zgjedhur, Onori II. Papa e dëgjoi e ia miratoi kërkesën, duke e pyetur për sa vjet e donte. E përgjigjja ishte nga më prekëset, për t’u kujtuar përgjithnjë: “Atë i Shenjtë, nuk kërkoj vite, por shpirtra”.
Kështu, më 2 gusht, në Porciunkolën e mbushur sa më nuk zinte, Françesku, i lum, mundi të jepte kumtin e madh, që do të ushtonte në shekuj: “Vëllezër të mi, dua t’ju çoj të gjithëve në Parajsë!”. Edhe sivjet Ndjesën e Asizit e fitoi një turmë tjetër, shumë më ndërkombëtare, se ajo që kremtonte këtu, 800 vjet më parë.







All the contents on this site are copyrighted ©.