2014-08-01 14:42:30

Nisën kremtimet e Ndjesës së Asizit. Vëlla Michael Perry: kremtohet dashuria pa cak e Hyjit


Nisën, sot paradite, në Asizi, kremtimet e Festës së Ndjesës, e cila sivjet ka si ndjet kryesor, lutjen për fundin e luftës e të armiqësive në Tokën e Shenjtë.
Deri në mesnatën e nesërme, çdo besimtar mund ta fitojë ndjesën e Porciunkolës në të gjitha kishat famullitare françeskane të botës, pasi të jetë rrëfyer, të ketë marrë pjesë në një kremtim eukaristik, të ketë thënë Besojmën, Atynën e lutjen sipas ndjeteve të Papës. Nesër, në Asizi, do të arrijnë të rinjtë pjesëmarrës në marshimin tradicional françeskan. Për Ndjesën e Asizit flet, në mikrofonin tonë, eprori i përgjithshëm i Fretëve të Vegjël, vëlla Michael Perry:

Përgjigje: - Kremtohet dashuria pa cak, mëshira pa kufi e Hyjit, Zoti, që vijon të na ftojë të bashkohemi me Të, me njëri-tjetrin e me gjithë Krijimin. Të rëndësishme, fjalët e Shën Palit, në Letrën II drejtuar Korintianëve: “Ne u pagëzuam në Krishtin. Kjo do të thotë se u bëmë krijesë e re e, duke qenë krijesë e re, ne të krishterët quhemi dishepuj. Ashtu si Krishti, jemi të thirrur t’i shërbejmë pajtimit, mëshirës e paqes së Zotit për botën mbarë. Besoj se edhe Shën Françesku, në jetën e tij, pa shumë çaste mospërkimi, edhe ndërmjet sivëllezërve, edhe në Kishë e në botë. Prandaj deshi ta kremtojë e ta kujtojë këtë, që është themelore për jetën tonë në Krishtin, për Kishën e botën, në kohën e tij e në çdo kohë.

Pyetje: - Papa nuk pushon s’i foluri botës për mëshirën e Zotit. Françesku i Romës - në përkim të plotë me Françeskun e Asizit – “dëshiron t’i çojë të gjithë njerëzit në Parajsë”, shprehje kjo e Shenjtit, në bazë të solemnitetit të Ndjesës….

Përgjigje: - Besoj se kjo festë na krijon edhe ndjesinë e së ardhmes; ne jemi të kufizuar në këtë botë. Sytë tanë shikojnë kryesisht botën e sotme, vuajtjet, dhunën… Nësa kemi një thirrje, që hap horizonte pakufi, lidhet me planin e Hyjit për ne, për botën, për Gjithësinë… Pritet një ardhmëri shprese, e jo dëshpërimi; ardhmëri gëzimi, e jo mjerimi.

Pyetje: - Ç’na kujton Ndjesa, në sa shikojmë gjithato zjarre lufte, që ndizen nëpër botë…

Përgjigje: - Ndjesa e Asizit mund të na flasë për situatën në botën mbarë, në zonat e luftës si Siria, Libia, Sudani jugor, Ukraina, Toka e Shenjë, Republika Demokratike e Kongos, por edhe në qytetet e mëdha të SHBA-ve, Meksikës, mbarë botës. Kjo festë na flet, na fton e na nxit ta mendojmë e të rimendojmë Planin e Hyjit për sot e për të ardhmen.

Pyetje: - I fortë, aktualiteti i ndjesës, në një shoqëri, që vijon ta humbasë kuptimin e mëkatit, ndonëse e ndjen fort barrën e tij, që të shtyp, të shtyn në dëshpërim: dëshpërim që pak ka të bëjë me mesazhin ungjillor. A e ndjen kjo shoqëri, nevojën e ndjesës?

Përgjigje: - Të rinjtë, që marrin pjesë në marshimin françeskan, nga Italia, Gjermania, Franca, Spanja, Sllovakia, Zvicra, Kroacia e nga të katër anët e Evropës, të gjithë janë në kërkim të sigurisë, që buron nga prania e Hyjit, sepse të rinjtë e sotëm janë vërtet të pushtuar nga ankthi. Besoj se Ndjesa e Asizit mund të prekë gjithnjë e të hyjë në hapësirën e zbrazët njerëzore, për ta mbushur përplot me mëshirën, gëzimin dhe sigurinë se Zoti është i gjithëpranishëm në jetën e secilit nga ne.

Pyetje: - Me rëndësi, të kuptosh se je mëkatar, për të shijuar, pastaj, përqafimin përdëllyes të Zotit, që na pret gjithnjë me krahë hapur….

Përgjigje: - Sigurisht Shën Françesku kështu e nisi. Duke thënë: “Jam mëkatar, më i madh se të gjithë”. Duke pranuar këtë, zemra jonë hapet, përndryshe, mbetemi të mbyllur në botën tonë të vogël, në mendësinë tonë të vogël e në mëkatet tona, të vogla e të mëdha…

Pyetje: - Si përfundim, një urim nga ana juaj për Festën e Ndjesës së Asizit 2014?

Përgjigje: - Urimi im është ky: “O Zot, na bëj mjete të paqes sate. Ku ka urrejtje, të çojmë dashurinë, faljen, bashkimin, fenë, shpresën, gëzimin, dritën. Për të gjithë! Për botën. E edhe për mbarë Gjithësinë e sotme”.









All the contents on this site are copyrighted ©.