Imzot Mirdita për vizitën e Papës Françesku në Shqipëri
Dje, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë njoftoi programin e vizitës së Papës Françesku
në Tiranë, më 21 shtator. Në udhëtimin e tij të parë evropian, Ati i Shenjtë do të
vijë në një qytet, për të cilin është tashmë “Qytetar Nderi”. Tirana po përpiqet të
zbukurohet për ta pritur sa më mirë kreun e Kishës Katolike, sipas traditës së mikpritjes
shqiptare. Po rregullohet sheshi “Nënë Tereza”, ku Papa do të kremtojë meshën në orën
11.00, si edhe Muzeu Historik Kombëtar; po bëhen punime në Pallatin e Kongreseve,
ku do të jetë Qendra e Shtypit, që do të presë gazetarët nga e gjithë bota, dhe është
në plan prodhimi i dokumentarit “Pritja”, gjithnjë me rastin e vizitës së Atit të
Shenjtë. Qeveria ka vënë në dispozicion 600 milion lekë për këto shpenzime. Por si
e pret shpirtërisht populli shqiptar vizitën e Papës Françesku? Respekti për të përvijohet
që në motivazionin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi i Tiranës”. “Në nderim
të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë, për të respektuar dhe inkurajuar
njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës
së tij dhe veprave në krye të Selisë së Shenjtë, si dhe përzgjedhjen për të vizituar
dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës, pikërisht Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë,
simbol i bashkëjetesës fetare , i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen
e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë”, shkruhet në motivazionin e Bashkisë
së kryeqytetit. Për një këndvështrim tjetër, të dëgjojmë kryeipeshkvin metropolit
të Tiranës, imzot Rrok Mirdita, në mikrofonin e don Marjan Palokës…