2014-07-31 12:48:16

Meshë në Romë për të krishterët e persektuar. Atë Haddad: fe e dëshmuar me gjak


Në Irak vijon persekutimi nga ana e xhihadistëve të Shtetit islamik, kundër të krishterëve, që detyrohen të zgjedhin ose fenë, ose vdekjen. Rrugë të mesme nuk ka! Për t’i ndihmuar me lutje vëllezërit e persekutuar, posaçërisht në Mosul, pranë Kishës romake të Shën Gregor Naciancenit mbrëmë u kremtua një Meshë, kryesuar nga ipeshkvi–ndihmës Filippo Iannone. Atë Mtanoius Haddad, famullitar i Kishës greko-melkite pranë Selisë së Shenjtë duke e komentuar këtë nismë, e quan fenë e të krishterëve të Lindjes së Mesme: “Besë e dëshmuar me gjak” e lutjen, burim guximi:

Përgjigje: - Na jep pak guxim moral, sepse lutja mund të bëjë mrekulli! Por në terren, të krishterët kanë nevojë edhe për një ndihmë tjetër, që të mbeten të gjallë atje, sepse ne, të krishterët, kemi lindur atje e atje edhe duam të jetojmë e të vdesim! Jemi atje, që nga dita e parë pas Rrëshajësh: të krishterë arabë, kaldeas, sirianë, asirianë. Të gjithë, bij të kësaj toke. Duhet thënë se në këto shekuj, gjatë të cilëve jetuam me islamin, ka pasur të përpjeta e të tatëpjeta, po nuk kemi arritur kurrë deri në këtë pikë, sa të largohemi nga trojet tona, të kthehemi në islam ose të paguajmë taksa për të ruajtur fenë tonë të krishterë, me të cilën jemi të lidhur me të gjitha forcat, aq sa ta paguajmë besnikërinë me çmimin e gjakut. Mund të pranojmë edhe martirizimin, për të mbetur përgjithnjë të krishterë lindorë. Tani Kisha universale katolike, të gjithë ipeshkvijtë dhe konferencat ipeshkvnore, na ndihmojnë me lutjen e tyre, por duhet edhe të bëjnë gjithçka mund të bëhet, që të krishterët të mbeten në Lindje. Vetë Papa Françesku ka thënë: “Nuk mund të shikohet Lindja e Mesme, pa të krishterë”.

Pyetje: - Situata në Irak është gjithnjë e më problematike. Cilat janë lajmet e fundit që keni nga territori?

Përgjigje: - Territori mund të ndahet në dy zona: përsa i përket zonës së Mosulit, nuk mund të bëhen parashikime, sepse Isis, që e shpalli këtë kalifat mysliman, i cili s’ka të bëjë fare me Islamin, do të dëshironte ta zhdukte nga faqja e dheut çdo të krishterë, të shlyente nga rruzulli çdo gjurmë krishterimi. E kjo do të thotë se këta njerëz nuk e njohin as historinë: nuk e dinë se erdhën këtu shtatë shekuj pas nesh. Kam shumë frikë për Kishat tona, për manastiret tona, për dorëshkrimet tona…. Ndërsa në Bagdad e në zona të tjera, që e kuptuan rrezikun e një Lindjeje të Mesme pa të krishterë, tani edhe myslimanët po lëvizin e po thonë: “Ne dhe vëllezërit tanë të krishterë jemi të gjithë irakianë!”. Kjo na pëlqen e mund të jetë hapi i parë pozitiv, që do të thotë se ne, myslimanë e të krishterë, jemi një popull i vetëm, popull irakian, edhe pse duhet të shpërvjelim mirë mëngët për Irakun. Deri tani në Bagdad kanë jetuar gjithnjë bashkë të krishterë e myslimanë. Kështu myslimanët kanë dalë në rrugë duke mbajtur në njërën dorë Kuranin e në tjetrën Kryqin. Kjo mund të jetë fillesë, që mund ta rikthejë frymën e vëllazërimit.

Pyetje: - Pse opinioni publik ndërkombëtar duket se po rri duarkryq, duke e bërë sehir persekutimin kundër të krishterëve…

Përgjigje: - Sipas meje, e nuk dëshiroj të jem tepër i ashpër, Evropa kërkon të mbrojë interesat e veta në Lindjen e Mesme. Ndërsa Kisha nuk i ka harruar e nuk do t’i harrojë kurrë të krishterët, bijtë e vet, katolikë e ortodoksë. Këtu po flasim për Shtetet: populli më parë ishte i paditur, sepse mediat deshën t’i fshihnin shumë të vërteta të hidhura për vuajtjet e të krishterëve në Lindjen e Mesme. Tani, pak nga pak, me mjetet e komunikimit, që e kanë për zemër gjendjen tonë, vështirësitë tona, popullit po i hapen sytë. E, kur i hapen sytë, nuk mund të heshtë më. Dëshiron të hapë edhe gojën, por i mungojnë mjetet e duhura për të shkuar kundër rrymës, në një tokë, ku qeveritarët e Evropës kanë interesat e tyre, kanë sipërmarrjet e tyre…









All the contents on this site are copyrighted ©.