2014-07-30 17:55:45

Sri Lanka: fanatikët budistë ua mohojnë lirinë e kultit të krishterëve


Ekstremistët budistë të grupit “C” i paralajmëruan të krishterët ungjillorë ta ndërpresin veprimtarinë e tyre fetare në Polonnaruwa, qytet në veri të Sri Lankës. Anëtarët e grupit Ravana Balaya këto ditë morën pjesë në më se 20 takime lutjeje të të krishterëve, për t’u kërkuar pastorëve ta ndalojnë menjëherë kthimin e srilankezëve në fenë e krishterë. Sipas burimeve të Agjencisë Fides, lideri budist Ittekande Saddhatisa Thero, sekretar i përgjithshëm i grupit, njoftoi se ka marrë qindra padi nga budistët dhe hinduistët, që pohojnë se pastorët e krishterë po i joshin me dhurata e me para, për t’i kthyer në fenë e Krishtit.
Të krishterët i hodhën menjëherë poshtë akuzat, duke pohuar se po ndodh e kundërta. Jo me para, e as me dhurata, por me kërcënime. Shumë pastorë e besimtarë të krishterë kërcënohen e edhe rrihen, pikërisht nga paditësit e grupit fanatik. Në fillim të korrikut, një turmë budistësh, me në krye dy murgjër, hyri pa leje në një takim të krishterë lutjeje në zonën Ratnapura për të ndaluar lutjen e për të sekuestruar Biblat.
Sipas besimtarëve, dhuna e budistëve mund të ketë pasoja negative mbi gjithë vendin, parë edhe në këndvështrimin e vizitës së Papës, parashikuar për janarin e vitit 2015. Sipas “Chistian Evangelical Alliance”(Besëlidhja e Krishterë Ungjillore), në vitin 2014, rreth 60 kisha e qendra ungjillore lutjeje, u sulmuan nga ekstremistët budistë, ndërsa gjatë vitit 2003 pati 120 sulme.








All the contents on this site are copyrighted ©.