Siri: mesazh i Patriarkut Gregorios për fundin e Ramazanit
“Të krishterë e myslimanë, ne jemi garantët më të mirë për njëri-tjetrin”. Kështu
shkruan Patriarku greko-melkit katolik i Antiokisë dhe i gjithë Lindjes, Gregorios
III, në një mesazh për myslimanët e vendeve arabe e të gjithë botës, me rastin e festës
Eid al-Fitr, festës së Bajramit, e cila mbyll Ramazanin. “Kjo festë – lexohet
në dokument – mbërrin në rrethana veçanërisht të vështira e dramatike në botë, sidomos
në vendet tona arabe, ndërsa Siria e dashur dhe Iraku vuajnë, Palestina e Gaza kanë
varrë mbi trup, pa folur për Marokun, Egjiptin, Jemenin dhe vendet e Gjirit Persik.
Kudo rrjedh gjak, shtohet dëshpërimi; shkatërrohen vendet e kultit, kisha e xhamia;
dhunohen të drejtat e shenjta të njeriut; dinjiteti, liria, nderi i tij shkelen me
këmbë, duke kërcënuar të gjitha fitoret njerëzore, artistike e teknike, morale e fetare
të kulturës sonë”. Këtë qytetërim arab, të krishterë e myslimanë e kemi ndërtuar
së bashku e jetuar me respekt të ndërsjellë. Duke kapërcyer edhe ‘retë e krizës’,
që e kanë mbuluar qiellin nganjëherë, kemi vazhduar të ecim së bashku në jetë. Për
hir të kësaj miqësie, shkruan Patriarku, u urojmë festën vëllezërve tanë myslimanë,
duke vajtuar për viktimat e pafajshme, të krishterë e myslimanë, gra e burra, pleq
e të rinj, që humbin jetën çdo ditë, duke i lagur me gjak rrugët, shtëpitë, vendet
e kultit të qyteteve e fshatrave tona. Të përqafuar nga vdekja e përbashkët, e përziejnë
gjakun, ashtu siç ka qenë gjithnjë në historinë, qytetërimin e kulturën e tyre. Gregorios
III u bën thirrje të gjithë arabëve të bashkohen për ta shpëtuar Islamin dhe muslimanët
nga armiqtë, që duan ta fundosin në humnerë Lindjen e Mesme. Ne të krishterët, shkruan
ai, jemi mbrojtësit më të sinqertë të Islamit, sepse e dimë se jetojmë bashkë me myslimanët,
në të mirë e në të keq. Të krishterë e myslimanë janë garantët më të mirë të njëri-tjetrit.