2014-07-30 13:59:14

Irak: patriarku Sako në Erbil, me të krishterët e Mosulit


Në fund, do të fitojë paqja e jo lufta. Ky është mesazhi që u dha patriarku i kaldeasve, Louis Sako, të krishterëve të Mosulit, të strehuar në Erbil të Kurdistanit. Patriarkun e shoqëroi në katedralen e Shën Jozefit delegacioni i ipeshkvinjve francezë, me në krye kardinalin Philippe Barbarin, që shkoi në Irak për t’u shprehur solidaritetin të krishterëve të përndjekur.
“Vizita juaj na e lehtëson dhimbjen” – u tha patriarku anëtarëve të delegacionit gjatë meshës në katedralen e mbushur me të krishterë prej të gjitha zonave. “Feja jonë – shtoi prelati kaldeas – do të qëndrojë e patundur, pavarësisht të gjitha sakrificave, dhe shpresa gjithnjë e fortë. Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, më ka kërkuar ta mbajmë lidhjen me tokën, mbi të cilën është shkruar historia jonë, lidhje e gjatë dhe e thellë, dhe unë po jua përçoj këtë kërkesë bashkë me solidaritetin dhe dashurinë e tij për ju: le t’i themi botës mbarë se fjalën e fundit do ta thotë paqja dhe jo lufta”.
“Lufta nuk ka qenë kurrë e ligjshme, por e ligë dhe nuk lë pas tjetër gjë, përveç njerëzve të masakruar, të arratisur e të rrënuar. Të vrasësh të pafajshmit është krim kundër njerëzimit, kundër fesë e moralit. Duhen gjetur zgjidhje paqësore me anë të dialogut, diskutimit dhe mirëkuptimit. Në Irak dhe në Lindjen arabe njerëzit kanë nevojë të ndjehen pjesë e një njësie më të madhe dhe të jetojnë së bashku pa frikë, me dinjitet, në siguri, dashuri e paqe. Njeriu është krijuar i lirë dhe nuk duhet të jetë skllav i askujt, siç e parashikon statusi dhimmi (statusi i jomyslimanit, që duhet të paguajë taksën për ruajtjen e fesë).
Të krishterët janë nënshtetas të mirëfilltë, si vëllezërit myslimanë. Askush nuk ka të drejta kundrejt tyre. Me mentalitetin e tyre të hapur dhe pjesëmarrjen në institucione, i kanë dhënë shumë Irakut dhe myslimanëve. Ju bëj thirrje të jeni të fortë, pavarësisht nga të gjitha vuajtjet. Qëndroni të fortë e mbillni shpresën dhe solidalitetin, me besim e guxim. Jonën e gëlltiti balena, por doli prej andej shëndosh e mirë. Edhe Mosuli (Niniva), si ai, do të dalë shëndosh e mirë nga kjo luftë”.
“Duke përfunduar – tha patriarku Sako – nga kjo kishë dhe në emrin tuaj, u drejtohem vëllezërve tanë myslimanë në rajonin irakian të Kurdistanit dhe të mbarë botës, për t’u shprehur urimet për festën e Eid al-Fitr-it dhe për t’iu lutur të bëjnë ç’është e mundur për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e njerëzve. Marrëdhëniet e vërteta me të tjerët themelohen mbi mirëkuptimin, pranimin dhe respektin, pa synimin për të mbizotëruar”.
Nga ana e tij, kardinali Barbarin tha se vizita e tyre është vizitë solidariteti dhe afërsie me të krishterët e Mosulit, të cilët janë të etur për paqen e Krishtit. “Mos kini frikë, jetoni në paqe. Stuhia do të kalojë, me siguri. Duhet të qëndroni, sikurse tha edhe Fortlumturia e Tij. Mos e humbni shpresën. Jini më të fortë se e keqja”. Kardinali Barbarin lajmëroi se dioqeza e tij do të binjakëzohet me Mosulin dhe si shenjë e këtij binjakëzimi u përqafua me ipeshkvin e qytetit të vuajtur irakian.
Në optikën e solidaritetit duhet parë edhe njoftimi i qeverisë franceze, e cila u ka ofruar azil të krishterëve të larguar nga Mosuli.
Erbili, e në përgjithësi Kurdistani, ka pritur shumë familje të krishtera, të cilat u detyruan të largohen nga Mosuli pasi qyteti ra në duart e islamikëëve të Ushtrisë së Irakut e të Lindjes. Sipas vlerësimeve të OKB-së, sot në Mosul gjenden vetëm njëzet familje të krishtera. Të krishterët e qytetit të dytë irakian ishin 60 mijë para 2003 dhe 35 mijë kur hyri ushtria islamike.








All the contents on this site are copyrighted ©.