2014-07-29 16:31:46

Traettino: të prekur nga humaniteti i Papës. Ëndërra e Zotit është bashkimi


Të ndryshëm, por të bashkuar. Këtë thanë e theksuan disa herë dje paradite Papa Françesku, miku i tij pastor Giovanni Traettino dhe bashkësia pentekostale, që u takua me Atin e Shenjtë në Kazertë, në një atmosferë vëllazërore dhe ekumenike. Në mikrofonin tonë, pastori Traettino shpreh përshtypjet e ndjenjat, pas këtij takimi:

Jemi thellësisht të prekur nga thjeshtësia e Papës Françesku, të cilën e njihnim që më parë, por edhe nga humaniteti i tij. Janë gjërat që na bëjnë më shumë përshtypje. Përveç kësaj, fakti që jetuam, në mënyrë eksperimentale, vëllazërinë mes nesh. Edhe kjo na bën përshtypje.
Ashtu si Papa Françesku, edhe ju kërkoni një jetë, që t’i ketë rrënjët e thella në Ungjill. Cili nga qëndrimet e Papës ju ndihmon për këtë?
Besoj se është përvoja e Krishtit. Besoj se janë marrëdhëniet personale me Krishtin. Për mua, është e qartë se ai ështe njeri, që e ka takuar Jezusin, prandaj, kur takohet me njerëzit, që kanë këtë lloj marrëdhënie me Zotin e që duan ta jetojnë Ungjillin, menjëherë krijohet ajo që ai vetë e quan empati.
Para pak ditësh, ju vetë deklaruat se nuk ka Rrëshajë që të mos lindë jetë e bashkim e se askush nuk mund ta quajë veten pentekostal, pa e dëgjuar këtë thirrje…
Po. Unë jam thellësisht i bindur për këtë. Çdo Rrëshajë – ato të Besëlidhjes së Vjetër e ato të Besëlidhjes së Re – shto dikimin e jetës prodhojnë bashkim. Kisha ka lindur gjatë Rrëshajëve. Prandaj, është e qartë se nga shumë gjuhë doli një gjuhë e vetme, nga shumë popuj, një popull… Rrëshajët na çojnë drejt kufirit: duhet të ecim gjithnjë e më përpara drejt realizimit të ëndërrës së Zotit. E ëndërra e Zotit është bashkimi, sepse vetë Zoti është bashkim.
Megjithëse vizita e Papës Françesku ishte ngushtësisht private, vizitë tek një mik, shumë e shohin si takim ekumenik…
Po, në përmasën e dialogut vëllazëror, në këtë kuptim… Pra, përmasa teologjike, doktrinore mungon, por është shumë e fuqishme dhe e pranishme ajo përmasa e parë për të cilën u flet shën Pali efesianëve në kapitullin e katërt: bashkimi i Shpirtit, që duhet ruajtur. Pasi kur provon praninën e Shpirtit Shenjt, bashkimi “me” Shpirtin sjell bashkimin “e” Shpirtit, bashkimi me Shpirtin Shenjt sjell bashkimin e Shpirtit Shenjt. Prandaj, në këtë kuptim, unë besoj se kur provojmë praninë e Zotit dhe e mbajmë Hyjin në zemër – “Trupi juaj është tempull i Shpirtit Shenjt” – e shohim se dikush tjetër përjeton të njëjtën përvojë, krijojmë me të këtë mirëkuptim, këtë marrëdhënie të menjëhershme.








All the contents on this site are copyrighted ©.