2014-07-29 10:24:29

SHBA. Kardinali Sandri: pa të krishterë, nuk ka ardhmëri në Lindjen e Mesme


“Nuk do të ketë ardhmëri në Lindjen e Mesme, pa praninë dhe kontributin e të krishterëve”: kështu u shpreh kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, gjatë Liturgjisë Hyjnore, kremtuar në San Diego të Kalifornisë, në Katedralen e Heparkisë kaldease. Duke u lutur për të krishterët e persekutuar në Irak, mëmëdheu i Kishës kaldease, Hirësia e Tij kujtoi edhe ata të Sirisë, të Palestinës, të Egjiptit, e jo më pak, situatën delikate të greko-katolikëve e të bashkatdhetarëve të tyre, duke u shprehur afërsinë dhe inkurajimin e Papës për t’u mbështetur fort mbi fenë, pa e humbur kurrë shpresën.
Si citoi, më pas, fjalët e patriakut kaldeas Louis Sako, kardinali Sandri nënvizoi se duke nisur që sot, për herë të parë në historinë e Irakut, në Mosul nuk ka më asnjë të krishterë, ndërsa vendi po shkon drejt greminës humanitare, kulturore e historike.
Edhe patriarku maronit Bechara Boutros Rai, shtoi prefekti i Kongregatës lindore, i nxiti persekutuesit e të krishterëve për dialog, në emër të humanitetit të përbashkët e duke i ftuar të zgjedhin dialogun, mirëkuptimin, respektin për tjetrin, në vend të armëve, terrorizmit, dhunës.
Asnjë fe, pohoi kardinali Sandri, nuk mund të pranojë t’i vrasë bijtë e Zotit, në emër të vetë Zotit, duke nënvizuar, më pas, se të krishterët e botës duhet të jenë zë i të nëpërkëmburve në shoqëri e t’i mbrojnë pa asnjë ngurim të drejtat e tyre.
Prej këndej, ftesa për t’u lutur në heshtje, jo indiferente, por me forcën e heshtjes së Krishtit në kryq e me dashurinë e amshuar, nga e cila asgjë nuk mund të na ndajë.
Së fundi kardinali Sandri i përgëzoi meshtarët e shumtë, të pranishëm në liturgji, njëherësh me veprimtarët, korin dhe rreth një mijë besimtarë, duke u uruar paqe e drejtësi të gjithë atyre, që sot ndrydhen nën thundrën e hekurt të dhunës pa pikë kuptimi.
Gjatë vizitës në Kaliforni, kardinali Sandri u takua me bashkësinë maronite të Los Anxhelos e të San Diegos si dhe me atë siro-malabareze.
Më pas do të vizitojë armenët e do t’i presë personalisht priftërinjtë e Kishës sire, kopte, greko-melkite e greko-katolike rumune, që kryejnë misionin në territor.
Diaspora e shumënumërt lindore pret, posaçërisht nga Iraku, një rritje të ndjeshme, për arsye të ashpërsimit të konfliktit, përfundoi Prelati i lartë, duke e konsideruar emigracionin sfidë baritore me ngarkesë historike, që e angazhon përsëri Kishën latine me detyrën e kujdesit për Kishat Lindore.








All the contents on this site are copyrighted ©.