2014-07-28 18:06:05

Lion. Marshim për të krishterët e Irakut. Patriarku Sako: “Mos na harroni!”


Zemra “pikon gjak për të pafajshmit, që vdesin apo dëbohen nga shtëpitë e veta”, kur mendojmë për gjendjen në Irak, Siri e Gazë, ndërsa shpirtin e zë trishtimi, kur shohim “ndrojtjen e botës së civilizuar kundrejt nesh”. Bashkësia ndërkombëtare nuk po ndërmerr asnjë veprim. Kështu u shpreh patriarku i Babilonisë së kaldeasve, Louis Sako, në një mesazh dërguar kryeipeshkvit të Lionit, kardinalit Philippe Barbarin – njofton agjencia AsiaNews.
“Guximi juaj, lutja dhe afërsia e atyre që janë mbledhur rreth jush në këtë marshim solidariteti – shkruan patriarku Sako – na e mban zgjuar besimin dhe forcën për të shpresuar. Krishtërimi lindor nuk duhet të zhduket. Zhdukja e tij është mëkat mortar dhe humbje e madhe për Kishën dhe mbarë njerëzimin. Ai duhet të mbijetojë, apo më mirë të jetojë në liri e dinjitet”.
Mesazhi u lexua të shtunën e kaluar, gjatë një marshimi të organizuar nga dioqeza e Lionit, në shenjë solidariteti me të krishterët e Irakut, gjendja e të cilëve është bërë tragjike pas pushtimit të veriut të vendit nga ushtria islamike, që ka përuruar në Mosul kalifatin islamik. Para disa ditësh ka dalë një edikt, i cili u vë këto kushte të krishterëve: ose të kthehen në islam, ose të paguajnë taksën e të pafeve, ose të braktisin qytetin e të arratisen.








All the contents on this site are copyrighted ©.