2014-07-27 15:58:32

Të krishterët e Kazertës: Shenjtëri, na e rikthe shpresën!


Kazerta është tokë e askujt, ku njeriu humbet, ku ambienti e peizazhi vijojnë të degradojnë, ku zhvillimi shoqëror nuk ecën, por zvarritet e ku nuk ndjehet kurrfarë zhvillimi kulturor. Kështu i patën shkruar, në një letër, më 1992, të krishterët e Kazertës, Gjon Palit II. Pas 22 vjetësh, në Vatikan arrin një letër tjetër, shkruar nga të krishterët kazertanë, drejtuar Papës Françesku, në prag të vizitës së tij. I shkruajnë për rëndimin e mëtejshëm të situatës në qytetin “e të drejtave të mohuara”, siç e quajnë. Në letër, të krishterët dënojnë ashpër frymën feudale të politikës vendase e të pushtetit ekonomik, që nuk prin, por prapëson. Kështu gjithçka ecën mbrapsht. Qyteti jeton pa kurrfarë programi, bie poshtë e më poshtë… Askush nuk do t’ia dijë fare se aty ka edhe të vegjël, të poshtëruar, të ligësht, të zhytyr në harresë të plotë.
Në mesazh, Veprimi Katolik vendas, Shtëpia Rut e motrave orsoline, Shtëpia Xakeu e Etërve sakramentinë dhe Komiteti Kazerta Qytet i paqes, e shikojnë plot shpresa vizitën e Françeskut dhe e sigurojnë Papën se do të bëjnë çmos të fitojë drejtësia, munguese e madhe e vëllazëria, e zbehur aq, sa të mos njihet më mes njerëzve.
Don Domenico Dragone, rektor i Shenjtërores së Zonjës të Fatimës në Marçianise, do të bëjë pjesë në një grup meshtarësh, që do të takohen me Papën të shtunën, më 26 korrik. I kërkuam mendimin për gjendjen e Kazertës në vitet e fundit, pa asnjë ndryshim pozitiv, sipas banorëve…

Përgjigje: - Nga pikëpamja praktike, është po ajo, që ishte, por po ta shikojmë më hollë, shumë gjëra bëhen pa u vënë në pah. Për shembull, në çdo famulli kemi qendrat e dëgjimit, të cilave u drejtohen besimtarët, që nuk kanë mundësi ekonomike e që gjejnë këtu, për shembull, mjekun vullnetmirë për të mjekuar fëmijën. Në qendër vjen i pastrehi e famullia gjen dikë, që e ndihmon.

Pyetje: - A po ecën më mirë a më keq ky vend, që më 1992 të krishterët kazertanë e quajtën “tokë e askujt”. E kujt është kjo tokë, sot…

Përgjigje: - Do të thosha se në këtë aspekt, shumë gjëra janë më keq sesa më përpara. Ta tregon puna vetë! Njerëzit ikin nga Kazerta, nga Kapua, nga Marçianise, nga Madaloni, sepse këtu edhe ajri është i helmatisur. Prandaj njerëzit detyrohen të ikin në mal, ku bëjnë si bëjnë për të jetuar, por të paktën thithin ajër të pastër, e jo të helmatisur. Ajër, ky i fundit, që e thithin edhe administruesit, politikanët, bijtë e tyre, nipat e pasardhësit. Nuk e kanë kuptuar akoma se kur ambienti vijon të zvetënohet, as ata nuk mund të shpëtojnë nga ajri i prishur. U duhen kujtuar fjalët që don Patriciello i pati thënë një kamorristi; “Po si kështu, qenke kaq budalla, sa ta mbash helmin në shtëpi! Do të vdesësh ti e, me ty, edhe bijtë e tu”. E kujtoj, sepse njerëzit po vdesin nga kanceri. Burra, gra, fëmijë helmatisen nga ajri i ndyrë, që ua ndot frymën jetës.

Pyetje: - “Tokë e tumoreve”, është një nga emrat e zonës suaj. E ka edhe emra të tjerë, aspak të këndshëm: “Tokë e Gomorës”, “Tokë e zjarreve”…

Përgjigje: - Unë jam famullitar në Marcianise. Këtu ditët e fundit ka pasur një mori arrestimesh e sekuestrimesh me vlerë milionash. Të gjitha, pasuri e njerëzve të botës së krimit e edhe atyre, që lidhen me ta e i ndihmojnë. Njerëz në rendje pas parave, që fitohen lehtë, parave të pandershme, pa djersë, e jo atyre, që janë të nevojshme e duhen për të jetuar ndershmërisht, ditë për ditë. Mendësi tejet e gabuar. Deri në atë pikë, sa edhe kur shkon te famullitari për të kërkuar një çertifikatë Pagëzimi, përpara na u dashka miku, rekomandimi. E kjo është një nga gjërat më të këqija, që e pengon seriozisht ecjen e jetës përpara. Rekomandime, miq. E ai që nuk ka miq, por ka të drejtë, ku shkon?

Pyetje: - Ju jeni në lidhje të ngushtë me të rinjtë: a shikoni ndonjë ndryshim në vetëdijen e tyre?

Përgjigje: - Në një pjesë fare të vogël. Shumica zdërhallen, sepse të rinjtë e sotëm e kanë vështirë të ndalohen e të reflektojnë. Kur studioja, një nga dhuratat më të bukura, që na jepej në Seminar, ishte dhurata e heshtjes, për të reflektuar. Mungon koha për të reflektuar, për të kuptuar ku je, kush je, ku po shkon. Ecën verbërisht drejt së panjohurës, pa shikuar se shkel mbi një truall të helmatisur….

Pyetje: - Po familja, ç’ bën? Shkolla, pastaj…Interesohet?

Përgjigje: - Jo. Duhet të them se në anët tona, unë njoh drejtorë shkollash, pedagogë… bëhet ç’është e mundur për t’i mbajtur sa më pranë këta të rinj, për t’i nxitur të studiojnë. Po shpesh herë mungon vetëdija e etërve, e mëmave, të cilët duan rezultatet më të larta për fëmijët e tyre, që nuk e hapin kurrë librin. E kjo e frenon keqas çdo tip zhvillimi!

Pyetje: - E tani që erdhi Papa Françesku? Ju mendoni se vizita, Mesha që do të kremtojë Papa para Pallatit Mbretëror, do t’i japë frymëmarrje të re besimtarëve?
Përgjigje: - Papa në Kazerta tha gjëra, që i kemi dëgjuar, por, thënë prej Tij, thënë në këtë rrethanë, mund të hyjnë në zemra e t’i shndërrojnë. Mrekullitë bëhen me ngadalë. Kur Papa Gjoni XXIII e pati nisur Koncilin e II të Vatikanit, pati thënë: “Nuk është shiu i rrëmbyer ai, që e pllenon tokën, po shiu i butë, i shtruar”. Prandaj nuk do të jetë mesazhi i Papës, në Sheshin e Karlit III, ai që do ta shndërrojë Kazertën, por ne, që do ta dëgjojmë këtë mesazh, që do ta meditojmë; e do të jenë, pastaj, famullitarët e realiteteve e krishtera, katolike, që do ta shpjegojnë, do ta bëjnë shi të shtruar, të lehtë, që reshet mbi tokën e tharë, derisa ta bëjë pjellore. Shndërrimi nuk vjen si vetëtimë, po ngadalë-ngadalë. Duhet të ecim e të punojmë gjithnjë mbi të njëjtat realitete, mbi të njëjtat hapa, mbi të njëjtat mesazhe.







All the contents on this site are copyrighted ©.