Kohët e fundit, një shfaqje artistike për Nënë Terezën po bën xhiron e Bosnjës. Quhet
“Majka Tereza – Svetica Tame” (Nënë Tereza – Shenjtja e Errësirës). Më 19 qershor,
drama e frymëzuar nga jeta e së Lumes shqiptare të bamirësisë, vënë në skenë nga Shoqata
Kulturore “Napredak” me regji të Gradimir Gojer, boshnjak me origjinë kroate, u shfaq
për herë të parë në Teatrin Popullor të Sarajevës. Më 15 korrik, pati sukses të jashtëzakonshëm
në Banja Lukë, kryeqendra e Republikës Srpska të Bosnjës, ku, siç nuk mund të mendohej
kurrë më parë, boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonas dhe shqiptarë, duartrokitën fuqishëm
aktorët nga Bosnjë-Hercegovina, nga Kroacia dhe nga Kosova. Ilir Tafa ishte artisti
shqiptar nga Prishtina në këtë shfaqje, bazuar në tekstin e maqedonasit Venko Andonovski.
Rolin e Nënë Terezës e luajti Kostandinka Velkovska, artiste e njohur e Teatrit Kerempuh
në Zagreb. Pritet që trupa teatrale të niset për një turne ballkanik, për ta shfaqur
kudo, dramën për figurën e madhe të shenjtes shqiptare. E është pozitiv edhe fakti
se mediat e gazetarët, megjithëse pa i harruar pasojat e luftrave të fundit në Ballkan,
theksojnë nevojën e dialogut e të shkëmbimeve kulturore ndërmjet popujve. Citojmë
Ukë Lushin , i cili shkruan kështu në faqet e Gazetës “Blic” të 21 korrikut: “Majka
Tereza- Svetica Tame”, natyrisht që do të ngrinte në këmbë së bashku [në duartrokitje]
boshnjakë, kroatë, serbë, maqedonë dhe shqiptarë midis Republikës Srpska, ku deri
para disa vitesh boshnjakët, serbët dhe kroatët priteshin e vriteshin me njëri- tjetrin
thua se fati i universit varej nga lufta e jo nga paqja mes tyre. Urat janë më të
dobishme dhe më të rëndësishme se sa kufijtë dhe kudo ka njerëz mendjehapur dhe zemërgjerë.
Është e mundur të hiqet një copë kufi dhe të ndërtohet një urë, derisa, ndoshta, një
ditë, jo fort të largët, të mos ketë kufij fare”.