2014-07-27 15:59:30

E diela XVII gjatë vitit


Leximi i parë (1 Mbr 3,5.7-12)

Në ato ditë, në Gabaon Zoti iu shfaq Salomonit natën në ëndërr e i tha : “Kërko çfarë do që të të jap unë”! Salomoni tha: E tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet mbretëruar. Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit të panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që të dijë të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh”?
Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri dhe Hyji i tha Salomonit: “Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as jetën e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi, ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’ do ta ketë askush pas teje si ti.

Nga Psalmi 119 (118)

Ref. Ligji yt, o Zot, është gëzimi im

Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje,
por tani unë e mbaj fjalën tënde.
Më i mirë është për mua Ligji yt
se me mijëra ar e argjend.

Le të më ngushëllojë, pra, mëshira jote
sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.
Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj,
sepse Ligji yt është kënaqësia ime.

Oh, sa i dua urdhërimet e tua:
më tepër se arin, se gurin e paçmueshëm.
Ndërgut i mbaj urdhërimet e tua të gjitha,
e urrej çdo udhë gënjeshtre

Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua,
prandaj i mban shpirti im.
Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon:
të miturit i bën të urtë.




Leximim i dytë (Rom 8,28-30)

Ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse, ata të cilët i ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.

Ungjilli (Mt 13,44-52)

Në atë kohë Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me thesarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë.
Pastaj Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. Kur gjen një perlë me vlerë të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.
Përsëri, Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku. Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh. A i kuptuat të gjitha këto?”
Po! ‑ iu përgjigjën ata.
E ai u tha: “Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan të zotit të shtëpisë, që nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra.”


Mbretëria e Hyjit

Ekziston një kundërshtim i madh ndërmjet mësimeve të shumta biblike për “mbretërinë e Hyjit” dhe idesë së mangët që kanë të krishterët për të. Fjala mbretëri nuk zgjon më asgjë në mendjet tona. Edhe pse ende e kemi ndonjë ide për mbretërinë, të paktën sipas fjalëve të fjalorit kishtar të këtyre kohërave (ndërtimi i mbretërisë, ardhja e mbretërisë...), ato duket se e kanë humbur forcën domethënëse dhe lidhjen e ngushtë me përmbajtjen e tyre.
Mbretëria është objekti parësor i predikimit në Besëlidhjen e Re. Gjon Pagëzuesi dhe Jezusi e nisin predikimin me kumtimin e gëzimit: “Mbretëria e Hyjit është afër”. Lajmi i mirë i shpallur nga Jezusi është, tek e fundit, ardhja e mbretërisë. Çfarë dëshiron të na thotë Jezusi?

Projekti shpëtimtar i Hyjit

Duke përdorur një shprehje plot domethënie për popullin e zgjedhur (edhe në Besëlidhjen e Vjetër gjendet një skicë e doktrinës së mbretërisë), Mesia dëshiron t’i shpallë Izraelit se pritja e gjatë tashmë është plotësuar; premtimet që përbënin substancën dhe themelin e shpresës së tij janë bërë tashmë realitet. Por në të njëjtën kohë Jezusi dëshiron të korrigjojë mentalitetin që kishte zënë vend prej shekujsh në vetëdijen e Izraelit: mbretëria e Hyjit nuk qëndron në restaurimin e monarkisë davidike, as në mëtimet e tipit nacionaist.
Jezusi hyn në linjën e profetëve, kur e krahason mbretërinë e shpallur prej tij me thesarin dhe margaritarin e çmueshëm (Ungjilli), kundrejt të cilëve asgjë nuk ka vlerë; kur pohon se të varfërve u kumtohet Lajmi i Mirë dhe se në këtë mbretëri hyhet vetëm duke iu përgjigjur disa kërkesave të sakta, që përmblidhen në fjalët kthim e pendesë.
Kur e krahason mbretërinë me farën, me grurin, me tharmin, Jezusi do të thotë se kjo mbretëri është tashmë e pranishme, por është ende larg përmbushjes së saj përfundimtare. Mbretëria do të ndërtohet ngadalë falë besnikërisë së nxënësve ndaj urdhrit të ri të dashurisë pa kufi. Flitet për një mbretëri që nuk është e kësaj bote, edhe pse ndërtimi i saj fillon në këtë botë. Është mbretëria universale e hapur për të gjithë, sepse është mbretëria e Atit të të gjithë njerëzve.

Mbretëria e Hyjit dhe Kisha

Tema e mbretërisë së Hyjit është e lidhur ngusht me temën e Kishës, por nuk janë e njëjta gjë.
Në perspektivën e përmbushjes së saj përfundimtare, Kisha përkon sigurisht me mbretërinë, por në realitetin e saj historik e sociologjik në tokë, Kisha është vetëm toka e privilegjuar – megjithse gjithnjë e prekur nga mëkati – në të cilën ndërtohet dalë-ngadalë mbretëria. Mbretëria nuk është e kapshme në asnjë realitet sociologjik, as në trukturat fetare, por shkon gjithmonë përtej realizimeve konkrete me anë të të cilave dëftohet.
Mbretëria e Hyjit është e pranishme si fara, por ka nevojë të rritet. E themeluar nga Jezusi, ajo është sigurisht përmbushje e shpresës së vjetër, por është edhe një realitet që duhet të ndërtohet pak nga pak në të gjithë faqen e dheut.
Të krishterët e kanë për detyrë të jenë zejtarët e këtij ndërtimi, nën shtysën e Shpirtit të Shenjtë. Ata, si Kishë, janë para së gjithash në shërbim të mbretërisë. Pak kohë pas fellesave të saj, Kisha e ka kuptuar se mbretëria nuk duhet pritur duarkryq, por, për të qenë realiteti përfundimtar, kapara e të cilit mund të zotërohet që tani, kërkon që të gjithë të angazhohen në mënyrë aktive. Në mbretërinë e Hyjit gjithçka është përmbushur, por gjithçka duhet të përmbushet ende dhe përmbushet çdo ditë me ndërhyrjen e përbashkët të Hyjit dhe të njeriut, në Jezu Krishtin.

Kisha, filiz dhe fillesë e mbretërisë

Të krishterët e djeshëm e të sotëm rrezikojnë ta identifikojnë mbretërinë e Hyjit me institucionin Kishë; sot, nganjëherë, vërtetohet e kundërta, rrezikojmë të harrojmë se Kisha, e cila sigurisht nuk identifikohet me mbretërinë, prapë se prapë “është në tokë filiz dhe fillesë e kësaj mbretërie” (LG 5).
Sot zhvillohet një farë ungjillëzimi i cili është i ndjeshëm ndaj vlerave njerëzore, përpiqet të hyjë gjithnjë e më thellë në jetën e njerëzve, në situatat kulturore e njerëzore, por priret ta shtyjë drejt të ardhmes së paparashikueshme ftesën për kthim, predikimimn e mesazhit, propozimin për të hyrë në Kishë, me mendimin se po respektohen kohët e pjekjes dhe ritmet e ngadalta të kthimit. Në një rast të tillë rrezikohet të zhvillohet një koncept i gabuar për misionin e Kishës dhe një përpjekje e pavetëdijshme për ta zbutur krishtërimin. Ekziston një mënyrë e të bërit katekizëm që, për besnikëri ndaj njeriut, nuk ruan më besnikërinë ndaj Hyjit, duke tradhëtuar kështu besnikërinë rrënjësore ndaj njeriut, thirrja e të cilit përkon me projektin e Hyjit.

*** *** ***

Jam plot me gëzim në çdo ngushticë
(Nga “Homelitë mbi letrën e dytë drejtuar korintianëve” të Shën Gjon Gojartit, ipeshkëv)

Pali i kthehet fjalimit mbi dashurinë, duke e zbutur ashpërsinë e qortimeve. Pasi i pati fajësuar e qortuar korintianët për faktin se, edhe pse kishin marrë dashurinë e Hyjit, nuk i ishin përgjigjur kësaj dashurie, përkundrazi, ishin treguar mosmirënjohës dhe kishin dëgjuar njerëzit e këqinj, e zbut qortimin dhe thotë: “Na bëni vend në zemrat tuaja” (2 Kor 7, 2), domethënë, na duani. Kërkon një nder fare pak të vështirë, madje më të dobishëm për ata se për vetë apostullin. Nuk thotë: “duani”, por, me delikatesë e ëmbëlsi: “Na bëni vend në zemrat tuaja”. Duket sikur pyet: kush na ka dëbuar nga zemrat tuaja? Kush na ka nxjerrë përjashta, për cilën arsye jemi dëbuar nga shpirti juaj? Duke qenë se përpara kishte pohuar: “Jeni të ngushtë në zemrat tuaja” (2 Kor 6,12), këtu e shpreh të njëjtën ndjenjë duke thënë: “Na bëni vend në zemrat tuaja”. Kështu i tërheq edhe një herë tek vetja. Asgjë nuk e shtyn aq shumë në dashuri atë që është i dashur sa vetëdija se dashuruesi ka dëshirën e zjarrtë të marrë përgjigjen e dshurisë.
“Jua thashë pak më parë, vijon, se jeni në zemrën tonë për të vdekur së bashku e për të jetuar së bashku” (2 Kor 7,3). Kjo është shprehja më e lartë e dashurisë së Palit: edhe pse i përçmuar, dëshiron të jetojë e të vdesë me ta. Jeni në zemrën tonë jo në mënyrë sipërfaqësore, dosido, por siç ju kam thënë. Mund të ndodhë që dikush të dojë e t’i shpëtojë rrezikut, por për mua nuk është kështu.
“Jam plot me ngushëllim” (2 Kor 7,4). Me cilin ngushëllim? Me ngushëllimin që vjen prej jush: pasi jeni kthyer në rrugë të mbarë, më keni ngushëlluar me veprat tuaja. Kush do i pari, ankohet nëse nuk e duan edhe atë, pastaj ka frikë se i pikëllon të tjerët me këmbënguljen dhe ankesat e tepruara. Për këtë arsye shton: “Jam plot ngushëllim, i mbushur me gëzim”.
Me fjalë të tjera: kam ndjerë keqardhje të madhe për shkakun tuaj, por më keni shpërblyer me begati e më keni lehtësuar shumë. Jo vetëm që keni zhdukur shkakun e keqardhjes, por më keni mbushur me gëzim edhe më të madh.
Pali tregon sa shpirtmadh është, kur thotë jo vetëm “jam përplot me gëzim”, por shton edhe “në çdo ngushticë timen”. Kënaqësia që më keni dhënë është aq e madhe, saqë nuk mund ta errësojë as pikëllimi më i madh. Madje është e tillë, që me begatinë e pasurisë së saj më bën të harroj të gjitha pikëllimet që më kishin rënë përsipër dhe nuk i lejon të më më shtypin me peshën e tyre.

*** *** ***

Nga “Fjalimet” e shën Agostinit, ipeshkëv (109)

Në Ungjill Zoti i qorton ata që nuk dinë të gjykojnë aspektin e qiellit dhe nuk dinë të zbulojnë kohën në të cilën feja na mëson se mbretëria e qiellit është afër. Ai fliste kështu me hebrenjtë, mirëpo fjala e tij ka ardhur deri tek ne. Vetë Zoti Jezu Krisht e filloi predikimin e Ungjillit duke thënë: “Pendohuni, se mbretëria e qiellit është afër”. Kështu filloi edhe Gjon pagëzuesi, paraardhëti i tij: Pendohuni, se mbretëria e Hyjit është afër. Edhe tani Zoti i qorton ata që nuk pranojnë të bëjnë pendesë kur afrohet mbretëria e Hyjit. Mbretëria e qiejve – siç thotë ai vetë – nuk vjen në mënyrë të dukshme. Nga ana tjetër ai thotë: Mbretëria e qiellit është brenda jush. Secili prej jush, prandaj, t’i pranojë me urti qortimet e Mësuesit, në mënyrë që të mos e humbasë kohën e mëshirës së Shpëtimtarit, që ai tani e ushtron kundrejt gjinisë njerëzore, për ta kursyer. Njeriun e krusen që të kthehet e të mos dënohet askush. Vetëm Hyji e di kur do të vijë fundi i botës, ndërsa tani është koha e fesë. Unë nuk e di a do të jetë këtu poshtë ndokush prej nesh, kur të vijë fundi i botës, por është e mundur të mos jetë askush. Megjithatë, për secilin prej nesh fundi i botës është afër, sepse jemi vdekatarë. Ne ecim mes rreziqeve për t’u rrëzuar. Po të ishim prej qelqi, do të kishim më pak frikë të rrëzoheshim. Çfarë është më e brishtë se një enë qelqi? Megjithatë ruhet e qëndron për shekuj të tërë. Edhe pse mund të kemi frikë për rrëzimin e një ene qelqi, për të nuk kemi frikë se plaket apo e zënë ethet. Ne, pra, jemi më të brishtë e më të dobët, sepse pikërisht për shkak të brishtësisë sonë jo vetëm se çdo ditë kemi frikë nga aksidentet, që nuk mungojnë kurrë në jetën njerëzore, por edhe nëse nuk na bien fatkeqësitë, koha kalon njësoj. Mund të shmanget një goditje, por a mund të shmanget vdekja? Shmangen ngjarjet e jashtme, por a mund të largohen sëmundjet që burojnë prej brenda nesh? Kështu, një herë na dalin krimba në zorrë, pastaj na sulmon një sëmundje çfarëdo, shkurt, sado që të ruhemi, në fund, kur të vijë pleqëria, nuk ka asnjë mundësi për ta shtyrë.
Ta dëgjojmë, pra, Zotin dhe, sa të mundemi, të bëjmë çfarë na ka urdhëruar. Të shohim kush është kundërshtari për të cilin na ka trembur, duke thënë: nësi shkon tek gjykatësi me kundërshtarin tënd, përpiqu sa të mundesh gjatë rrugës të merresh vesh me të; ai mund të të zvarrisë tek gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë tek rojet e rojet të të fusin në burg, prej ku nuk do të dalësh pa paguar deri edhe qindarkën e fundit.
Kush është ky kundërshtar? Nëse është djalli, prej tij jemi çliruar tashmë. Çfarë çmimi është paguar për ne, që të çliroheshim nga skllavëria e tij? Ai për të cilin apostulli, duke folur për të njëjtin çmim, thotë: Hyji na ka çliruar nga pushteti i errësirës dhe na ka bërë anëtarë të mbretërisë së Birit të tij fort të dashur. Ne jemi shpërblyer, i kemi rënë mohit djallit, e si mund të përpiqemi të çlirohemi prej tij, që të mos na bëjë edhe një herë skllevër të tij ne, që jemi mëkatarë? Nuk është ai kundërshtari për të cilin na tërheq vëmendjen Zoti. Në një kalesë tjetër, një tjetër ungjilltar shpreh të njëjtin mendim në një mënyrë të tillë që, po t’i vëmë këto shprehje pranë njëra-tjetrës e t’i krahasojmë fjalët e dy ungjijve, do ta kuptonim menjëherë kush është ky kundërshtar.
Çfarë thotë, në fakt, njëri ungjilltar? Kur të shkosh tek gjykatësi me kundërshtarin tënd, përpiqu të lirohesh prej tij gjatë rrugës. Ndërsa tjetri, në këtë pikë, thotë: Merru vesh shpejt me kundërshtarin tënd, gjatë udhës. Sa vijon, pastaj, është njësoj: sepse kundërshtari yt mund të të dorëzojë tek gjykatësi, gjykatësi tek rojet dhe rojet të fusin në furg. Të dy ungjilltarët e kanë shprehur këtë në mënyrë të ngjashme. Njëri thotë: përpiqu të lirohesh prej tij gjatë rrugës, ndërsa tjetri: merru vesh me të. Nuk do të mund të lirohesh prej tij, pa u marrë vesh me të. A dëshiron të lirohesh prej tij? Merru vesh me të. Mos është vallë djalli ai me të cilin i krishteri duhet të merret vesh?
Ta kërkojmë, atëherë, këtë kundërshtar me të cilin duhet të merremi vesh, që të mos na dorëzojë tek gjykatësi e ky tek rojet. Ta kërkojmë e të merremi vesh me të. Nëse ti mëkaton, kundërshtari jot është fjala e Hyjit. Nëse, për shembull, të pëlqen të dehesh, ajo të thotë: “Mos u deh!”. Nëse të pëlqen të shkosh e të shohësh shfaqje e të zdërhallesh, ajo të thotë: “Mos e bëj!”. Nëse të pëlqen të thyesh kurorën, fjala të thotë: “Mos e bëj!”. Nëse me çfarëdo lloj mëkati dëshiron të bësh vullnetin tënd, ajo të thotë: “Mos e bëj!”. Ajo është kundërshtari i vullnetit tënd për sa kohë të mos jetë autori i shpëtimit tënd. Ah, sa i mirë dhe i dobishëm është ky kundërshtar. Ai nuk dëshiron vullnetin tonë, por përvujtërinë tonë. Është kundërshtari ynë për sa kohë edhe ne vetë jemi kundërshtari ynë. Për sa kohë të jesh armiku i vetes, do të kesh armik fjalën e Hyjit: bëhu mik i vetes e do të merresh vesh me të. Mos vrit! Dëgjoje e do të merresh vesh. Mos vidh! Dëgjoje e do të merresh vesh. Mos bëj gjëra të papastra! Dëgjoje e do të merresh vesh. Mos bëj dëshmi të rreme! Dëgjoje e do të merresh vesh. Mos dëshiro gruan e të afërmit tënd! Dëgjoje e do të merresh vesh. Mos dëshiro gjërat e të afërmit tënd! Dëgjoje e do të merresh vesh. Nëse do të merresh vesh me kundërshtarin tënd në lidhje me të gjitha këto urdhërime, çfarë do të humbasësh? Jo vetëm nuk humbet asgjë, por do të gjesh veten, sepse ishe i humbur. Ruga është kjo jetë; nëse merremi vesh me fjalën e Hyjit dhe e dëgjojmë, në fund të rrugës nuk do të kemi frikë nga gjykatësi, nga rojet, nga burgu.








All the contents on this site are copyrighted ©.