2014-07-25 16:11:40

Papa në radhë, në mensën e Vatikanit


Vizitë e papritur, sot, e Papës Françesku në mensën e Vatikanit, ku drekojnë nëpunësit e Selisë së Shenjtë. Papa u paraqit si një nga drekuesit e zakonshëm, duke zënë radhën e duke i çuditur të gjithë; posaçe, drejtorin e mensës, Franko Paìni, që flet, me emocion të thellë, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Po. Papa ishte mysafiri ynë, sot.

Pyetje: - Si u paraqit?

Përgjigje: - Eh… normalisht, si nëpunësi më i përvuajtur. U paraqit këtu, mori tabakanë, lugën, pirunin e thikën, mbajti radhën e i shërbyem. Hëngri makarona të bardha e merluc, sepse sot është e premte, apo jo. Ishte mrekullisht mirë, i rrethuar nga familja e tij e madhe. Tepër mirë. Iu paraqitëm, na pyeti për shëndetin, për punën, na lavdëroi… ishte diçka tejet e mirë. Më fal, po nuk mund të shprehem si duhet, sepse tejet i emocionuar nga kjo e papritur krejt e pazakontë…

Pyetje: - E në fund, ju dha bekimin?

Përgjigje: - Na dha bekimin, bëri foto me ne e u nis e shkoi. Kishte kaluar një orë e tërë…

Pyetje: - Ishte e papritur për juve, apo jo?

Përgjigje: - Krejt e papritur... Rrufe në qiell të kthjelltë. E kush e priste! Papa, që vjen të hajë tek ne?! Eh… Mbetëm të gjithë me gojë hapur nga habia, para kësaj kënaqësie nga më të mëdhatë, që mund të provojë njeriu…











All the contents on this site are copyrighted ©.